90 ditë. 6 muaj. Mirëardhshi në shtëpi! - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Udhëtoni të sigurt: njihni të drejtat tuaja; respektoni rregullat

Shkodër, 12 janar 2011 - Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM), në partneritet të plotë me Qeverinë Shqiptare, filloi një fushatë të re informacioni për të rinjtë në qytetin e Shkodrës në lidhje me migracionin e rregullt. Fushata është pjesë e Projektit të Përbashkët të OKB mbi Punësimin dhe Migracionin e të Rinjve të financuar nga Qeveria Spanjolle.

Dje, duke folur përpara rreth 100 studentëve në sallën 307 të Fakultetit Ekonomik në USH-në “Luigj Gurakuqi” në Shkodër, drejtuesja e projektit në IOM, Znj. Teuta Grazhdani, tha se “Me liberalizimin e vizave tashmë realitet, të shumtë do të jenë ata që do të mendojnë për të udhëtuar jashtë shtetit. Si pjesë e fushatës, do të informojmë të rinjtë në zonën e Shkodrës dhe Kukësit për të drejtat dhe detyrimet e tyre në lidhje me këtë regjim të ri, sidomos në lidhje me dallimin mes udhëtimit për qëndrim të shkurtër dhe atij me qëllim emigrimi. Një informacion i duhur para nisjes është i domosdoshëm në mënyrë që njerëzit të mund të udhëtojnë të sigurt. Një informacion i duhur në lidhje me udhëtimin është një e drejtë dhe një detyrë. Dëshirojmë gjithashtu të drejtojmë të rinjtë në institucione publike si Sportelet e Migracionit pranë Zyrave Rajonale dhe Lokale të Punësimit, në mënyrë që të mund të marrin më shumë informacion mbi emigrimin e rregullt, liberalizimin e vizave, rreziqet e emigrimit të parregullt dhe mundësitë e ri-integrimit në kthim”.

Sot në Botë ka më shumë se 214 milionë migrantë. Migracioni është realitet për shumë shqiptarë. Më shumë se 1 milionë shqiptarë jetojnë jashtë Shqipërisë. “Të gjithë luajmë një rol në lidhje me emigracionin dhe individët duhet gjithashtu të jenë të përgjegjshëm për të udhëtuar të sigurt. IOM dëshiron që njerëzit të udhëtojnë të sigurt, të njohin të drejtat e tyre dhe të respektojnë rregullat”, komentoi mes të tjerash Znj. Grazhdani në fjalën e saj para studentëve. Gjatë 3 (tre) muajve të ardhshëm, fushata e informacionit e IOM do të arrijë rreth 10000 të rinj në Shkodër dhe Kukës.

Në këtë hapje të fushatës ishin pjesëmarrës ndër të tjerë: Teuta Grazhdani, Drejtuese e Projektit, IOM, Arjeta Trashani, Dekane e Fakultetit Ekonomik në USH-në “Luigj Gurakuqi”, Nikollë Ndoci, Drejtor i Drejtorisë së Migracionit dhe Ripranimit Departamenti i Kufirit dhe Migracionit, Silvana Banushi, Drejtore e Drejtorisë së Politikave Migratore Kthimit dhe Ri-integrimit, Ministria e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta (MPÇSSHB), Redan Bushati, Kryetar i Këshillit Studentor të Universitetit të Shkodrës (K.S.U.SH)