Aksident tragjik në Dom të Gjegjanit: 14 të vdekur dhe 12 të plagosur - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Tragjedi në aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrëz. Dalja nga rruga dhe rënia në humnerë e autobusit të linjës Durrës-Fushë Arrëz, ka shkaktuar 14 persona të vdekur dhe 12 të tjerë të plagosur. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi gjithë opinionin publik ndodhi rreth orës 17.00, të së shtunës 17 korrik 2010, në afërsi të fshatit Dom të komunës Gjegjan të rrethit të Pukës. Autobusi me targa PU 1330 A, ka dalë nga rruga në një kthesë të fortë dhe ka rënë në greminë. Mes të vdekurve 4 fëmijë. Qeveria shpalli 18 korrikun ditë zie dhe mori përsipër të gjitha shpenzimet e ceremonive mortore për familjet që humbën njerëzit e tyre në aksident

18 Korrik - 14 persona kanë gjetur vdekjen në aksidentin e rëndë që ndodhi të shtunën pasdite kur një autobus me pasagjerë përfundoi në një humnerë në fshatin Dom të komunës Gjegjan në Fushë Arrëz, në veriperëndim të Shqipërisë rreth 200 kilometra larg Tiranës.
Tragjedi në aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrëz. Dalja nga rruga dhe rënia në humnerë e autobusit të linjës Durrës-Fushë Arrëz, ka shkaktuar 14 persona të vdekur dhe 12 të tjerë të plagosur. Ngjarja e rëndë, e cila tronditi gjithë opinionin publik ndodhi rreth orës 17.00, të së shtunës 17 korrik 2010, në afërsi të fshatit Dom të komunës Gjegjan të rrethit të Pukës. Autobusi me targa PU 1330 A, ka dalë nga rruga në një kthesë të fortë dhe ka rënë në greminë. Mes të vdekurve 4 fëmijë. Qeveria shpalli 18 korrikun ditë zie dhe mori përsipër të gjitha shpenzimet e ceremonive mortore për familjet që humbën njerëzit e tyre në aksident.
Mes viktimave 4 ishin në moshë të mitur, po ashtu edhe mes të plagosurve ka fëmijë, dy prej të cilëve në gjendje të rëndë shëndetësore.

Pjesa më e madhe e të mbijetuarve nga aksidenti i rëndë që ndodhi rreth orës 17:00 në Fushë - Arrëz janë transportuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë me helikopterë të emergjencës civile dhe Ministrisë së Shëndetësisë. Dy prej tyre janë transportuar në spitalin e Shkodrës.
Njëri prej të plagosurve, bënë të ditur burime zyrtare, gjeti vdekjen në Spitalin Ushtarak, pak minuta pasi mbërriti me helikopter.

Fill pas aksidentit të rëndë, ministria e Brendshme ngriti menjëherë grupin e emergjencës. Në vendngjarje, krahas forcave të shumta të policisë dhe punonjës të shëndetësisë janë nisur zv/ministri i Brendshëm Avenir Peka dhe drejtori i Pergjithshem i Policise se Shtetit, Hysni Burgaj.
Qeveria shqiptare e ka shpallur ditën e diel (18 korrikun), dite zie kombëtare, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik në Fushë Arrëz.
“Një aksident që ka sjellë një zi të rëndë në Pukë dhe mbarë vendin”, e cilësoi Kryeministri Sali Berisha këtë ngjarje, pasi u njoh nga afër me gjendjen e të plagosurve që ndodhen nën kujdesin e mjekëve në spitalin ushtarak në Tiranë. Të plagosurit janë vizituar dhe nga Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i cili u shpreh për mediat se "ndjehem shumë i lënduar për këtë aksident me përmasa tragjike. Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjet e viktimave, duke qenë pranë tyre në këto momente të vështira. Uroj që të plagosurit të dalin nga gjendja kritike”.
Më pas, për gjendjen e tyre shëndetësore është interesuar dhe kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, i cili zhvilloi një vizitë në spitalin ushtarak ku dhe shprehu ngushëllimet për të afërmit e viktimave.
Edhe Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë shprehu sot në mbrëmje keqardhjen për tragjedinë e ndodhur ne aksin rrugor Rrëshen-Fushë Arrëz bashkë me solidaritetin e saj me familjet e viktimave.
"Shpresojme që ata të përjetojnë sa më lehtë këto momente vështirësie që i kanë prekur nga afër. I lutemi Zotit për shpirtin e atyre që kanë vdekur dhe shërim sa më të shpejtë për ata që janë të plagosur", thuhet në njoftimin në emër të Imzot Rrok Mirditës, president i Konferencës Ipeshkvore të Shqipërisë.

Aksidenti sipas policisë
Nga hetimet e kryera nga grupi hetimor për zbardhjen e rrethanave dhe të shkakut të aksidentit të rëndë, ndodhur gjatë ditës së shtunë, 17 korrik, në aksin rrugor Fushë Arrës-Durrës, në fshatin Dom, Gjegjan, rezulton sipas burimeve të Policisë se:
"Nga kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit ka rezultuar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar, sistemi i drejtimit të mjetit ka funksionuar normalisht. Po ashtu nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim, ndërkohë gjendja e rrugëve ishte e rregullt. Nga raporti i mjekësisë ligjore nuk rezulton që drejtuesi i mjetit të ketë pasur probleme të menjëhershme të natyrës shëndetësore gjatë drejtimit të mjetit."
Ndërkohë nga pyetja e dëshmitarëve nuk rezulton të ketë pasur mjet tjetër në momentin e ndodhjes së aksidentit.
Grupi hetimor i ngritur për hetimin e kësaj ngjarje të rëndë i kryesuar nga Prokurori i rrethit Pukë, ka arritur në përfundimin se shkak i këtij aksidenti ka qenë humbja e kontrollit gjatë drejtimit të mjetit nga ana e drejtuesit të tij, shtetasit Zef Mark Frroku (Gjergji). Nga ana e grupit hetimor vazhdon kryerja e veprimeve procedurale për këtë ngjarje me pyetjen e dëshmitarëve, të dëmtuar nga ky aksident.
Mira Shkurta, ATSh

Viktimat e aksidentit
1. Arsen Gjon Marku, 8 vjeç
2. Edona Adem Mustafa, 12 vjeçe
3. Adela Paulin Prenga, 14 vjeçe
4. Gjovalin Gjin Pera, 15 vjeç
5. Fran Llesh Paloka, 22 vjeç
6. Paulin Lazër Gjoni, 28 vjeç
7. Mimoza Mhill Dyzeni, 29 vjeçe
8. Marte Ndue Lleshi, 31 vjeçe
9. Alma Nikollë Marku, 33 vjeçe
10. Prengë Dyzeni, 38 vjeç
11. Lavdie Hysen Mustafa, 41 vjeçe
12. Zef Mark Frroku (Gjergji), 47 vjeç
13. Adem Mustafa, 52 vjeç
14. Marie Prenga, 60 vjeçe

Të plagosurit
1. Mirsaf Mustafa, 4 vjeç
2. Dona Mustafa, 6 vjeç
3. Sara Pali, 6 vjeç
4. Xhesi Pali, 7 vjeç
5. Armando Mustafa, 8 vjeç
6. Erison Peraj, 9 vjeç
7. Ilir Prendi, 10 vjeç
8. Gentian Meçi, 19 vjeç
9. Artjola Prenga (Marku), 30 vjeç
10. Pjerin Kola 33 vjec
11. Flora Peraj, 37 vjeç
12. Gjon Marku, 40 vjeç