Arrihet marrëveshja mes Ramës dhe Bashës. PD hyn në zgjedhje - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Pas tre muajve çadër në bulevard nga anë e PD-së e shumë e shumë negociatave me ndërmjetësimin e të huajve, më në fund natën duke gdhirë dita e sotme, pas një takimi disaorësh kokë më kokë është arritur një marrëveshje mes kryeministrit Rama dhe kreut të partisë më të madhe opozitare.
Kryeministri Edi Rama dhe kreu i opozitës kanë dalë së bashku nga Kryesia e Kuvendit rreth orës 1:20 të natës. I pari që ka folur shkurt për mediat ishte Basha. Ai tha se është arritur një marrëveshje sipas paketës McAllister +. Brenda ditës së sotme do të jepen edhe detajet e kësaj marrëveshjeje.
I pyetur për datën e zgjedhjeve, Basha ka hezituar të flasë, duke i dhënë fjalën Ramës, i cili është shprehur shkurt: “Jam 100% dakord me kryetarin e opozitës për këtë pjesë”.
Rama është largur pasi i ka shtrënguar dorën Bashës. Ky i fundit është pritur me oavacione nga simpatizantët e PD-së në çadër ku shkoi menjëherë më pas për një komunikim të shkurtër me simpatizantët që ndodheshin aty.
Basha tha se është rënë dakord të mos thotë asgjë derisa të konkretizohet marrëveshja, që sipas tij garanton zgjedhje të lira e të ndershme.
“Gjithçka ka ndryshuar dhe e pamenduara tre muaj më parë, është arritur. Marrëveshja i hap rrugën zgjedhjeve të lira e të ndershme.  Sot nisim përgatitjet për t’i dhënë shqiptarëve zgjedhje të lira. Ju falenderoj për qëndresën tuaj”, iu drejtua kreu i PD-së mbështetësve të tij por theksoi se “Çadra nuk do të mbyllet. Në fillim të detajojmë marrëveshjen dhe pastaj të japim lajmin e mirë”.