Basha: “Shqiptarët pa viza nuk kërkojnë azil” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

 

Duke bërë një bilanc të dy muajve të lëvizjes pa viza të shqiptarëve në Schengen, ministri Basha deklaron se prova është kaluar me sukses

Tiranë, 15 shkurt 2011 -  Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka deklaruar se, pas dy muajve të parë të qarkullimit pa viza të shqiptarëve në Schengen, mund të thuhet që nuk janë vërejtur probleme të veçanta, si vërshimi i qytetarëve drejt Schengen-it që shoqëroi liberalizimin e vizave për Maqedoninë dhe Serbinë.

Ministri Basha vëren se “nga monitorimi i përditshëm dhe analiza e të dhënave të dy muajve të parë të lëvizjes së lirë të shqiptarëve, fluksi i personave nga Shqipëria drejt vendeve të zonës Schengen ka qenë normal”.

Sipas tij, vetëm 2% e atyre që kanë aplikuar për të lëvizur jashtë janë refuzuar. Gjatë kësaj periudhe,  “deri dje në mesnatë kanë përfituar nga lëvizja e lirë 126 mijë e 922 shqiptarë ndërsa 38 mijë e 580 shqiptarë janë rikthyer sërish në Shqipëri”. Për më tepër, në asnjë prej vendeve Schengen nuk ka pasur kërkesë azili nga shqiptarë.