Blushi: “T’u hapim dyert refugjatëve. Kujtoni anijet e ’91-shit që dyndën Italinë” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Duke folur në Kuvend për çështjen e migrantëve dhe refugjatëve, për të cilët bëhet përditë e më e detyrueshme të zgjedhin Shqipërinë si rrugë për të arritur vendet e Evropës veriore, Blushi ka kujtuar pritjen e shqiptarëve nga vendet e tjera, gjë që duhet të shtyjë qeverinë dhe popullin të jenë solidarë me refugjatët. Por për ministrin e Jashtëm dhe atë të Brendshëm, Shqipëria është e gatshme të kontribuojë, por vetëm në kuadrin e bashkëveprimit evropian dhe sipas mundësive.

Tiranë, 10 mars 2016. Çështja e itinerarit të ri të mundshëm të migrantëve që mund të përfshijë edhe Shqipërinë, kryesisht si rrugë kalimi për në vendet e BE-së kot ka përfunduar në sallën e Kuvendit.

Deputeti socialist Ben Blushi, ngriti sot në parlament shqetësimin e ardhjes së një vale refugjatësh nga Lindja, pas mbylljes së kufijve nga Maqedonia dhe bllokimit të tyre në Greqi, Shqipëria shihet si një mundësi që ata të vendosen në vendin tonë.

“Çfarë do bëjmë si shtet dhe si popull nëse disa mijëra njerëz qe i ikin luftës dhe persekutimit do kërkojne bukë, strehë dhe një urë kalimi në vendin tone?, Do u mbyllim kufijtë, do ngremë mure, do i dëbojmë me polici? Qeveria ka thënë se ne nuk mund t’i hapim dyert nëse kjo ndodh. Sot dëgjova një nga zyrtarët e lartë të shtetit që tha se Shqipëria nuk ka leverdi t’i pranojë dhe strehojë sirianët qeë i ikin luftës. Unë besoj se kjo nuk është çështje leverdije, është çështje solidariteti”.

“Nëse popujt e tjerë përreth nesh, italianët, grekët, gjermanët, zviceranët, anglezët do kishin mbajtur të njëjtin qëndrim ndaj nesh përpara 20 vitesh, ku do kishin emigruar 1 milion shqiptarë? Sa prej tyre do ishin mbytur në det? Sa varre do ishin hapur? Sa fëmijë nuk do kishin lindur? – ka vazhduar Blushi duke sjellë në vëmnedje të deputetëve eksodin shqiptar - A i mbani mend anijet mbushur me shqiptarë që dyndën Italinë në vitin 1991? Ato janë pamjet e një populli që i ikën mjerimit. Ai popull jemi ne, Shqiptarët. Dhe kini parasysh që 1 milion shqiptarët nuk ikën nga dhuna. Nuk ikën nga lufta. Ata ikën nga varfëria. E pra Evropa kishte më pak arsye për të na pranuar ne dje, se ç’ka sot arsye për të pranuar sirianët. Ata janë viktima të një territori pa shtet, pa rend, pa kontroll. Ata janë viktima të një lufte civile që nuk dihet a do ketë fund. Unë mendoj se ne duhet të jemi shumë më të ndjeshëm. Sado e padrejtë të duket, ne duhet ta ndajmë varfërinë tonë me ta”.

“A jemi ne racistë? Ka ardhur koha ta provojmë. Ne nuk mund t’u mbyllim dyert emigrantëve, pavarësisht kostove që mund të kemi”. U shpreh Blushi.

Në përgjigje të këtij shqetësimi, ministri i Brendshem Sajmir Tahiri tha se institucionet shqiptare janë rakorduar për të koordinuar masat dhe për të adresuar çështjen. “Sot që flasim institucionet në tërësi janë të rreshtuara me urdhër të kryeministrit dhe një grup institucional pune që mblidhet çdo javë për të koordinuar masat dhe për të adresuar çështjet në rast se vjen kjo situatë. Një zgjidhje e qëndrueshme nuk vjen kurrë nga vullneti unilateral i çdo vendi”, tha ministri Tahiri.

Ndërsa ministri i Jashtëm Ditmir Bushati tha se Shqipëria është mes 12 vendeve që mund të preken potencialisht nga kriza e refugjatëve të cilat në rang kryeministrash bëjnë konferenca në distancë për koordinim masash dhe shkëmbime informacioni. “Shqipëria do të kontribuojë në mundësitë dhe sintoni të plotë me zgjidhjet europiane, pasi jemi dëshmitarë që asnjë vend i vetëm nuk mund të jetë përballë sot për sot me këtë krizë. Sistemi Shengen u mendua për një Evropë në kushte normale, por kjo krizë e ka venë sistemin në pikëpyetje”, deklaroi ministri i Jashtëm sot në Kuvend.

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)