Çdo 10 udhëtarë në Rinas, 6 shkojnë apo vijnë nga aeroportet italiane - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Roma e Milano janë aeroportet nga ku vijnë e shkojnë numri më i madh i udhëtarëve të Rinasit. Analiza e revistës Monitor për vitin e shkuar

Romë, 11 mars 2018 – Trafiku i pasagjerëve në Aeroportin e Rinasit ka ardhur në rritje vit pas viti, për të arritur në një rekord prej 2,6 milionë pasagjerësh në vitin 2017 (+20% në lidhje me një vit më parë) sipas të dhënave nga Tirana International Airport (TIA). Këtë e shumë të dhëna të tjera interesante mbi kompanitë që udhëtojnë nga e drejt Rinasit, destinacionet më të lidhura me aeroportin e vetëm shqiptar dhe numrin e udhëtarëve sipas çdo destinacioni jep shkrimi “Gara për ajrin, kush e fitoi në 2017-tën” i të përjavshmes ekonomike shqiptare, revista Monitor.

Sipas këtij shkrimi është Italia ajo që prej vitesh vazhdon të mbajë vendin e parë qoftë për numër lidhjesh e qoftë për numër pasagjerësh. E prej falimentimit të shqiptares Belle Air, është italiane edhe kompania më e pranishme në Rinas.
Ja çfarë shkruan Monitor:

Në vitin 2002, rreth 50% të tregut të fluturimeve dhe të numrit të pasagjerëve, e zinte kompania Belle Air, që kishte fluturime të shumta direkte drejt qyteteve italiane. Por, pas falimentimit të saj në fund të vitit 2013, tregu u rikonfigurua dhe operatorë të rinj kanë hyrë, duke ndarë, së bashku me kompaninë Alitalia, tregun e Italisë.

Në fund të vitit 2017, sipas të dhënave nga TIA-s, Blue Panorama, operatori italian që zëvendësoi Belle Air, kishte 29% të tregut total të fluturimeve, nga 30% vitin e mëparshëm.

Pas saj renditet Alitalia, me 11% të tregut. Kjo kompani ka humbur vazhdimisht terren dy vitet e fundit (zinte 31% të tregut në vitin 2015), pasi ka shkurtuar destinacionet e drejtpërdrejta me disa qytete të Italisë. Krahas kompanive Blue Panorama dhe Alitalia në 2017-tën forcuan pozitat në tregun e Italisë edhe Albaëings me 8% të totalit (nga 2% vitin e mëparshëm) dhe Ernest Airlines dhe Mistral Air me përkatësisht 6% dhe 3%.

Trafiku i pasagjerëve sipas aeroporteve italianeDestinacionet drejt Italisë zinin 57% të tregut total të fluturimeve në 2017-n, e pandryshuar në krahasim me vitet e mëparshme.

Destinacioni kryesor nga dhe drejt Rinasit për vitin 2017 ishte Roma, me 323 mijë pasagjerë, me rritje prej 7,6% me bazë vjetore. Duhet kujtuar që Roma shërben jo vetëm si destinacion i drejtpërdrejtë, por edhe si tranzit për të udhëtuar në Europë dhe jashtë saj.
Destinacioni i dytë ishte Milano, me 267 mijë pasagjerë, me rritje 27% në krahasim me një vit më parë. Në total, pasagjerët nga dhe drejt Italisë ishin gati 1,5 milionë në vitin 2017 (rritje 18,4%), ose 62% e totalit.

Stambolli ishte në vend të tretë, me 235 mijë pasagjerë (16% rritje). Edhe Stambolli është bërë konkurrues vitet e fundit si një destinacion tranzit, kryesisht drejt SHBA-së, por edhe vendeve aziatike. Vjena mbetet pika kryesore e kalimit drejt gjithë Europës e jashtë saj. Në vitin 2017, nga dhe drejt aeroportit të Vjenës udhëtuan rreth 174 mijë pasagjerë, me një rritje prej 9,6% në krahasim me 2016-tën.

Më pas u renditën qytetet e Italisë, si Piza, Bergamo, Bolonja, Verona, ku (aty e në zonat përreth) jetojnë e punojnë dhjetëra mijëra emigrantë.

Nga e drejt Athinës udhëtuan rreth 84 mijë pasagjerë (numri është i ulët edhe për faktin që qytetet e Greqisë janë përgjithësisht të arritshme përmes kufirit tokësor).

Artikulli i plotë i revistës Monitor: Gara për ajrin, kush e fitoi në 2017-n

 

 

 

Advertisement