Çelibashi: Vendimi i KQZ-së për numërimin e këtyre ditëve është në kundërshtim me kodin zgjedhor - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në vitet 2001-2006, Ilirjan Çelibashi, e konsideron në kundërshtim me Kodin Zgjedhor vendimin e KQZ-së për vlerësimin e fletëve të kontestuara për kryetarin e bashkisë Tiranë.

Duke interpretuar ligjërisht aktin e KQZ-së për vlerësim të fletëve të hedhura në kutitë e gabuara dhe që e shndërron Komisionin Qendror në një KZAZ, ai shpreh bindjen se ky vendim i KQZ-së nuk është i bazuar në Kod. "Në këtë Kod, të paktën për këtë moment të procesit zgjedhor, është përcaktuar qartë ajo se çfarë aktesh dhe veprimesh do të duhet të kryejë KQZ", thotë Çelibashi.
“Mendoj, - vijon ai, - se edhe për dikë që ka pak, ose aspak aftësi për të njohur dhe për të interpretuar një normë juridike të caktuar, nëse do të lexojë dy dispozitat përkatëse të Kodit Zgjedhor, do të kuptojë pa vështirësi se ajo çfarë është duke bërë KQZ në këtë moment vjen në kundërshtim me atë që e urdhëron Kodi Zgjedhor të bëjë".

Ish-kreu i KQZ-së kujton që në nenin 122, pika 6 të Kodit Zgjedhor përcaktohet: "Për zgjedhjet e Kryetarit dhe Këshillit Bashkiak të Bashkisë së Tiranës, KZAZ-ja miraton Tabelën Përmbledhëse të Rezultateve të Qendrave të Votimit të njësisë bashkiake përkatëse. Kopja origjinale e Tabelës Përmbledhëse të Rezultateve dhe Tabelat e Rezultateve për çdo qendër votimi i dërgohen KQZ-së për të nxjerrë rezultatin, sipas nenit 123 të këtij Kodi".

"Pra mendoj se është e qartë, për momentin deri këtu, që është KZAZ e njësisë bashkiake (e minibashkisë), ajo që miraton tabelën e rezultateve për kryetarin e bashkisë (dhe për këshillin e bashkisë). E bën këtë bazuar në tabelat e rezultateve për çdo qendër votimi të asaj njësie bashkiake (minibashkie). Këtë tabelë KZAZ-ja e njësisë bashkiake ia dërgon KQZ-së për vepruar kjo e fundit sipas nenit 123 të Kodit Zgjedhor", shprehet Çelibashi. Në nenin 123 përcaktohet: “KQZ-ja nxjerr rezultatet e votimit për zonën zgjedhore, në bazë të tabelave të rezultateve të nxjerra nga çdo KZAZ e zonës zgjedhore përkatëse. Për këtë, KQZ plotëson Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për Zonën Zgjedhore dhe e miraton atë me vendim, jo më vonë se 48 orë nga mbërritja e të gjitha tabelave të Zonës Zgjedhore”.  Çelibashi thotë se "nga kjo dispozitë është qartësisht e kuptueshme që KQZ, pasi të ketë marrë tabelat e rezultateve të 11 KZAZ-ve që përbëjnë njësitë zgjedhore të Bashkisë Tiranë, duhet të mbledhë të dhënat e tyre dhe t'i shpallë ato jo më vonë se 48 orë nga momenti që i ka marrë këto tabela".
Për ish-kryetarin e Komisionit "nuk ka asnjë dispozitë tjetër në Kodin Zgjedhor, e cila edhe në një interpretim të zgjeruar të saj t’i japë të drejtë KQZ-së të kryejë procedurë tjetër, të ndryshme nga ajo që përcaktohet në dispozitat e Kodit Zgjedhor të sipërcituara. Kjo do të thotë se edhe pretendimi që KQZ është duke vepruar si një "super KZAZ" nuk është i bazuar në ligj. Nuk ka Kodi Zgjedhor asnjë dispozitë që qoftë edhe indirekt, kur është momenti i nxjerrjes së rezultateve, apo i vlerësimit të votave, e "transformon" KQZ-në, për rastin e Tiranës, në një KZAZ"! "Për më tepër Kodi Zgjedhor e përcakton qartë që vlerësimi i votave të një qendre votimi të caktuar nuk mundet të bëhet nga një KZAZ e dytë, kur kjo gjë është bërë nga një KZAZ tjetër. KQZ në procedurën që ka nisur, me statusin e vetëmarrë të KZAZ-së, është duke rivlerësuar votat, të cilat më parë i ka vlerësuar KZAZ e njësisë bashkiake", thotë Çelibashi.

Ka edhe një argument tjetër, shton ai. "Procesi zgjedhor është një proces politik, por është në të njëjtën kohë edhe një proces ligjor. Si i tillë ai duhet të zhvillohet me rigorozitet në përputhje të plotë dhe të qartë me ato dispozita të ligjit në bazë të të cilit ky proces zhvillohet. Është e rëndësishme që kjo qasje të jetë e tillë ndaj ligjit, pasi vetëm kështu palët politike pjesëmarrëse në të mundet të kenë besim tek ky proces", sqaron Çelibashi. Gjithashtu, sipas tij, çdo rregull që ka të bëjë me të gjitha aspektet e Kodit Zgjedhor duhet domosdoshmërisht që të jetë miratuar të paktën përpara datës së zgjedhjeve dhe mundësisht me një konsensus sa më të gjerë. Ai thotë se "nëse KQZ (shumica e saj) vlerëson se për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve në Tiranë, duhej një procedurë ekstra, ku sipas së cilës, KQZ duhet të marrë kompetencat e KZAZ-së, domosdoshmërisht kjo procedurë do të duhej të miratohej përpara datës së zgjedhjeve dhe të ishte bërë publike".

“Jam i sigurt që askush nuk e ka pritur apo e ka menduar, përpara se KQZ të merrte këtë vendim, që procedura për nxjerrjen e rezultatit të zgjedhjeve për Bashkinë e Tiranës do të ishte kështu, sikurse po procedohet që prej datës 17 Maj 2011”, përfundon Çelibashi opinionin e tij për vendimmarrjen e KQZ-së, lidhur me fletët e kontestuara në procesin zgjedhor të 8 majit në kryeqytet.