Deklaratat e sotme të Ndërkombëtarëve për situatën zgjedhore në Shqipëri - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Ndërsa kryetari i opozitës Rama nuk resht së kërkuari ndihmën e ambasadorëve dhe përfaqësuesve të lartë të huaj në Shqipëri, as ata nuk u shmangen deklaratave për normalizimin e situatës, për qëndrimin në kuadrin ligjor, për pavarësinë e institucioneve, për përfundimin sa më shpejt të këtij procesi zgjedhor. Ja qëndrimet e sotme të disa prej tyre:

KE: NUK MUND TË KETË DY REZULTATE TË NDRYSHME

"KQZ-ja të garantojë respektimin e kuadrit zgjedhor. Nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme për zgjedhjet", deklaroi zëdhënësja e Komisionerit Europian për Zgjerimin. Sipas saj, Komisioneri Barroso dhe komisioneri i BE-së, Stefan Fule, po monitorojnë situatën në Shqipëri, duke ndjekur orë pas ore zhvillimet e saj.

“Nuk mund të ketë dy rezultate të ndryshme dhe rezultatet duhet të bëhën në mnëyrë të shpejtë” – nënvizoi sot zëdhënësja e Komisionerit Europian për Zgjerimin Sfetan Fyle, Natasha Butler duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetari bërë në konferencën e zakonshme për shtyp në Bruksel. Zëdhënësja e KE-së, Natasha Butler, i ka kërkuar Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të veprojë pa ndërhyrje politike.

AMBASADORI OSBE WOLLFARTH: KQZ TË JETË E PAVARUR

Ambasadori i OSBE-së Eugen Wollfarth është takuar sot me Prokuroren e Përgjithshme, Ina Rama. Takimi u zhvillua në ambientet e Prokurorisë së Përgjithshme ndërsa mendohet se në qendër të diskutimeve do të jetë situata pas zgjedhjeve lokale të 8 majit në Tiranë.

Në lidhje me situatën postzgjedhore, ai ka thënë se KQZ duhet të jetë e pavarur dhe duhet të mbështetet në ligj për punën e saj. “E rëndësishme është që të respektohet Kushtetuta, ligji. Po ashtu e rëndësishme është që të ketë transparencë nga media, sidomos në lidhje me procesin post-zgjedhor e atë që po ndodh në KQZ. Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve puna duhet të jetë e pavarur dhe e mbështetur në ligj”, tha Wollfarth.

TOPI-MCWLLHAM: SITUATA E TENSIONUAR NË DËM TË INTEGRIMIT TË SHQIPËRISË

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, zhvilloi sot paradite një takim pune me Ambasadoren e Mbretërisë së Bashkuar në Tiranë, Fiona Mcwllham, me të cilën diskutoi rreth situatës paszgjedhore në vend.

Kreu i Shtetit shqiptar dhe Ambasadorja britanike ndanë të njëjtin mendim se situata e tensionuar në vend po dëmton jo vetëm aspiratën integruese evropiane të Shqipërisë, por edhe imazhin e saj në botë, duke e ilustruar këtë edhe me shtyrjen e vizitës së planifikuar e të mirëpritur të Presidentit të Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso në Tiranë.

Ambasadorja Fiona Mcwllham i shprehu Kryetarit të Shtetit shqiptar gjithë mbështetjen e saj si përfaqësuese diplomatike e Mbretërisë së Bashkuar për rolin konstruktiv që po vazhdon të luajë si dhe për mesazhet dhe apelet pozitive te bëra deri më tani nga Presidenti Topi në funksion të qetësimit të situatës dhe gjetjes së një zgjidhje institucionale e ligjore.