Demokratët zgjedhin sërish Lulzim Bashën - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Në zgjedhjet e djeshme për kryetarin e PD-së, Basha fitoi me rreth 54 mijë vota mbi rreth 6 mijë që mori Eduart Selami

Tiranë, 23 korrik 2017 – Lulzim Basha konfirmohet sërish në krye të Partisë Demokratike.

Në zgjedhjet e së shtunës, ku morën pjesë 59.834 anëtarë me të drejtë vote ose 57,5 % nga 103.952 anëtarë që ka Partia Demokratike në të gjithë Shqipërinë, 91,3% votuesve i dhanë besimin e tyre sërish Bashës, ndërsa vetëm 8,7% votuan për kundërshtarin e tij në garë, Eduard Selamit.

Në përfundim të numërimit të kutive të votimit, Kryetari i Komisionit Qendror Elektoral në PD, Jemin Gjana i  shpalli rezultatin përfundimtar: “Numri i votuesve është 59.834. Fletë votimi të dëmtuara gjatë procesit janë 61 copë, të pavlefshme janë 766, të vlefshme janë 59.067 te vlefshme. Për kandidatin Lulzim Basha janë 53.931 dhe për kandidatin Eduart Selami janë 5.136. Komisioni shpall fitues zotin Lulzim Basha”.

I sapokonfirmuar, Lulzim Basha deklaroi se pjesëmarrja e lartë e demokratëve në zgjedhje është dëshmia e besimit të demokratëve tek PD dhe shenjë se ata janë të bashkuar, ashtu siç sipas tij, është tregues se janë të vendosur të punojnë për forcimin e Partisë Demokratike dhe të Shqipërisë.Është mesazhi që e ardhmja e Partisë Demokratike është e sigurtë”, deklaroi Basha.

Partia Demokratike do të jetë më demokratike, duke u dhënë pushtet anëtarëve të saj dhe kaluar vendimmarrjen për çështjet kryesore tek ata. Dua të siguroj të gjithë anëtarët e PD-së se vendimmarrja do të jetë në duart tuaja. Se ju do të shpreheni e do vendosni siç do të jetë çdo ditë në vijim se kush do të jenë përfaqësuesit tuaj në zgjedhje. Asnjë prej jush nuk do të nëpërkëmbet, por do të pyetet e do të shprehet”, deklaroi Basha.

Akti i djeshëm nuk është aspak një derë e mbyllur, përkundrazi tregon se çdo kush që vendos PD-në të parën, që zgjedh kauzën e drejtë të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që zgjedh qytetarin e jo rehatinë personale, që vendos të luftojë drogën, krimin e korrupsionin, është i mirëpritur, pjesë e jona dhe jemi të gëzuar ta kemi mes nesh edhe nëse për një moment ka humbur rrugën”, tha ai.

Më herët kandidati në garë për kreun e PD-së Eduart Selami deklaroi se e pranon rezultatin, duke theksuar se ai do të vazhdojë të jetë pjesë e PD-së. Sipas tij, Partia Demokratike doli më e fortë nga këto zgjedhje.
E kam telefonuar zotin Basha dhe e kam uruar për fitoren. U bëj thirrje të gjithë demokratëve që të bashkohemi dhe t’i japim vendit një opozitë të fortë. Unë do vazhdoj të jap kontributin tim. PD ka dalë më e fortë nga këto zgjedhje. Jam një demokrat krenar”, u shpreh Selami.