Ekspozitë e përhershme për Nënë Terezën, në muzeun historik kombëtar - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Tiranë, 19 tetor 2011 - Muzeu Historik Kombëtar ka çelur në një nga pavijonet e tij një ekspozitë të përhershme, në kuadër të tetë vjetorit të Lumturimit të Nënë Terezës.

Për herë të parë në këtë ekspozitë Ministria e Punëve të Jashtme ka bërë publike një dokument të vitit 1970 lidhur me përgjigjen zyrtare të Ministrisë së Jashtme shqiptare pas kërkesës së bërë në vitin 1969 nga ambasada franceze lidhur me strehimin e nënës dhe motrës së Nënë Terezës pranë Caritas-it. 

Ekspozita përmban një album fotografish të bamirëses me mbishkrime të sajat dhe ç’kanë thënë personalitete të ndryshme për të.  Aty janë ekspozuar edhe disa prej objekteve të saj personale si kryqi, dhuratë nga Papa Gjon Pali II, peshqiri që ajo ka përdorur në vizitën e saj në Shqipëri, në vitin 1991, rruzaret, ujëbekorja, etj.

Pjesë e këtij këndi, është edhe një dokumentar i vitit 2010 “Ikona e dashurisë”, një realizim i Muzeut Kombëtar dhe RTSH-së, me skenar të Luan Malltezit dhe regji të Ilir Harshovës.