Emra të vjetër për qeverinë e re. Majko, ministër shteti për diasporën - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Kryeministri Edi Rama deklaron emrat e qeverisë së re: 11 ministri dhe 2 ministra shteti. Shumica kanë qenë pjesë edhe e qeverisë së shkuar, 7 gra

Tiranë, 27 gusht 2017 – Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, në punimet e Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, emrat e atyre që do të përbëjnë qeverinë e tij të re, që do të jetë më e vogël se pararendësja, me 11 ministri dhe 2 ministra shteti. Bashkë me zëvendëskryeministren, janë shtatë gratë e qeverisë.

Për të parën herë, siç paralajmëroi pak ditë më parë, do të ketë një ministër shteti për diasporën, detyrë për të cilën do të kthehet në qeveri Pandeli Majko.

Qeveria 'Rama 2' – që, në të vërtetë, ka shumë emra nga qeveria e vjetër e pak emra të rinj – do të përbëhet nga:

Kryeministër – Edi Rama
Zëvendëskryeministër – Senida Mesi
Ministër Shteti për Diasporën – Pandeli Majko
Ministre e Shtetit për Sipërmarrësit – Sonila Qato
Ministër i Jashtëm – Ditmir Bushati
Ministër i Brendshëm – Fatmir Xhafaj
Ministre e Mbrojtjes -Olta Xhaçka
Ministër i Drejtësisë – Etilda Gjonaj
Ministria e Financave, Ekonomisë dhe Punës – Arben Ahmetaj
Ministria e Shëndetësisë dhe Kujdesit Social – Ogerta Manastirliu
Ministria e Energjisë dhe e Infrastrukturës – Damian Gjiknuri
Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural – Niko Peleshi
Ministër i Turizmit dhe Mjedisit – Blendi Klosi
Ministër i Kulturës – Mirela Kumbaro
Ministër i Arsimit, Sportit dhe Rinisë – Lindita Nikolla

“Kjo është qeveria me të cilën do të nisim mandatin e ri. Nëse do të përfundojmë mandatin me këtë qeveri do të varet nga puna e çdo ministri, nga ritmi i punës në mandatin e ri. Ministrat do të kenë gjithë mbështetjen time, por do të kenë një besim të kushtëzuar nga performanca”, deklaroi Rama. Ai bëri të ditur se ekipi i ri qeveritar do të nisë që nesër punën konkrete për finalizimin e programit të qeverisë.

Kryeministri Rama deklaroi gjithashtu se kryetar i Kuvendit do të jetë Gramoz Ruçi, ndërsa kryetar i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.