Eurostat: Shqipëria plaket me ritme më të larta se BE - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Edhe pse jemi akoma vend me moshë mesatare më të ulët se vendet e BE-së, shpejt, me ritmet e tanishme të plakjes së popullsisë mund “t’ia marrim” edhe Evropës

Tiranë, 4 tetor 2016 - Numri i të moshuarve mbi 80 vjeç është rritur në Shqipëri me ritme më të larta se në Bashkimin Europian gjatë dekadës së fundit.

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, që festohet çdo vit më 1 tetor, Eurostat (zyra e statistikave të Bashkimit Europian) publikon treguesit demografikë për të moshuarit që jetojnë në BE. Sipas raportit të fundit, - disa të dhëna të të cilit janë botuar nga Monitor, revista e përjavshme ekonomike shqiptare - numri i të moshuarve mbi të 80-at është rritur me 58% në Shqipëri nga viti 2004 në vitin 2015, ndërsa në Europë, numri i kësaj grupmoshe është rritur me 38%.

Eurostat thotë se, popullsia mbi 80 vjeç arriti në 27 milionë banorë në fillim të 2015-s nga 19,7 milionë që ishin më 2004. Ndërsa në Shqipëri, popullsia mbi 80 vjeç arriti në mbi 64 mijë persona në 2015 nga rreth 40 mijë që ishin më 2014.

Gjithsesi, në totalin e krejt popullsisë në Shqipëri, 80-vjeçarët kanë një peshë më të ulët se në vendet e tjera evropiane. Në BE, kjo grup-moshë zuri në vitin 2014, 9,5% të totalit të popullsisë ndërsa në Shqipëri, kjo grup-moshë zuri 2,3% të totalit të popullsisë.

Në Shqipëri, sipas shifrave të bëra publike edhe nga INSTAT, pjesa e popullsisë me moshë nga 65 vjeç e lart rritet nga viti në vit. Ishte vetëm 5% në 1989 e largët, por kapërceu dyfishin e asaj vlere relative në vitin 2011 duke arritur në 11%. Është13% sot e do të shkojë në 29% në vitin 2060. Arsyet lidhen me uljen e lindshmërisë dhe emigracionin e vazhdueshëm. Pasojat? Pas disa dhjetëvjeçarëve në Shqipëri do të jetë shumë më të larta se sot shpenzimet për pensionet. Nga ana tjetër, për shkak të zvogëlimit të grupmoshës së aftë për punë, do të jetë më i ulët numri i punonjësve që do të derdhin kontribute e për rrjedhojë do të jenë më të ulëta të ardhurat që do të mbulojnë pagesën e pensioneve.