Freedom House: Shtypi në Shqipëri pjesërisht i lirë, në Kosovë pak më i lirë - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Me përjashtim të Maqedonisë, të gjitha vendet e tjera të Ballkanit, përfshirë Kosovën, renditen më lart se Shqipëria

Shqipëria dhe Kosova janë vende me shtyp pjesërisht të lirë. madje Kosova liri shtypi pak më të lartë se Shqipëria. E thotë raporti i fundit i organizatës Freedom House, me seli në ShBA, që rendit Kosovën në vendin e 96-të me 49 pikë, ndërsa Shqipërinë në vendin e 106-të, me 51 pikë. Klasifikimi bëhet sipas një shkalle nga 0 në 100, ku zero është rezultati më pozitiv, ndërsa 100, rezultati më i keq. Një vit më parë Shqipëria dhe Kosova  ishin radhitur në vendin e 98-të.

Organizata vlerëson se liria botërore e medias gjatë vitit 2015 ka rënë në pikën më të ulët në 12 vitet e fundit, ndërsa forcat politike, organizatat kriminale e terroriste kërkojnë të kontrollojnë ose t'i mbyllin gojën shtypit në përpjekjet e tyre për më shumë pushtet. Sipas Freedom House vetëm 14% e njerëzve jetojnë në shoqëri me shtyp të lirë.

Në raportin e organizatës Freedom House thuhet se dhuna dhe kriza e emigrantëve kanë mbizotëruar lajmet në Evropë në vitin 2015. Ndonëse jo në mënyrë dramatike sikurse vrasjet në Francë, në redaksinë e revistës Charlie Hebdo, sulmet kundër gazetarëve në Ballkanin Perëndimor kanë ndikuar në rënien e lirisë së shtypit.

Përsa i përket rajonit, Shqipëria renditet pas Malit të Zi, Serbisë, Kosovës dhe Bosnje Hercegovinës. Mbetet prapa Shqipërisë, vetëm Maqedonia, që bashkë me Turqinë klasifikohen si vende me shtyp jo të lirë dhe renditen të fundit në Evropë. 

Në mesin e vendeve të Evropës juglindore, Mali i Zi zë vendin e 80-të, ndërsa Serbia vendin e 87-të. Më keq janë radhitur Bosnja në vendin e 104-të dhe Maqedonia në vendin e 136-të.

Në Serbi, shumë gazetarë kanë pësuar sulme fizike, gjë që ka ndikuar në shtimin e auto-censurës. Serbia ka shënuar rënie në renditje për shkak të retorikës armiqësore të qeverisë së kryeministrit Vuçiçit ndaj gazetarëve hulumtues, censurës dhe uljes së mundësive për raportim kritik e të pavarur.

Në raport thuhet se sulmet dhe kërcënimet me vdekje në Maqedoni dhe Bosnje Hercegovinë kanë shtuar shqetësimet bashkë me rastet e shumta të dhunës kundër gazetarëve që hetonin korrupsionin qeveritar.

Organizata thekson se mbetet çështje e diskutueshme nëse qeveritë e këtyre vendeve janë të sinqerta në përkushtimin e tyre tndaj normave evropiane për median e lirë e të pavarur.

Maqedonia ka shënuar rënie edhe për shkak të zbulimit të përgjimeve të paligjshme e në shkallë të gjerë të qeverisë ndaj gazetarëve, lidhjeve korruptive ndërmjet zyrtarëve dhe pronarëve të medias dhe shtimit të kërcënimeve dhe sulmeve ndaj punonjësve të medias.