Futboll. Kukësi-Legia Varshavë ndërpritet për probleme sigurie - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Është thuajse e sigurt që Kukësi do ta humbasë ndeshjen 3-0 në tavolinë por skuadra shqiptare rrezikon gjithashtu edhe gjobë e përjashtimin nga garat evropiane

Sezoni 2015/2016 sapo ka nisur me ndeshjet e garave evropiane e bashkë me të edhe problemet me tifozeritë. Një episod i rëndë ka ndodhur sot në Tiranë, në ndeshjen Kukësi – Legia e Varshavës, takim i vlefshëm për turin e tretë të Europa League. Hedhja në fushë objektesh të forta, – një prej të cilave ka goditur futbollistin sllovak Ondrej Duda të skuadrës mike, që doli nga fusha e gjelbër në barelë – ka bërë që arbitri fillimisht të ndalojë lojën për 15 minuta e më pas të ndërpresë përfundimisht takimin për arsye sigurie. Edhe agjenti i sigurisë që ishte caktuar nga UEFA ka kërkuar që takimi të mos vazhdojë.

Tashmë është thuajse e sigurt që Kukësi do ta humbasë ndeshjen 3-0 në tavolinë por ai rrezikon gjithashtu edhe gjobë e përjashtimin nga garat evropiane.    

Në momentin e ndërprerjes në minutën e 52-të rezultati ishte 1-2 për polakët. Pjesa e parë ishte mbyllur me rezultatin 1-0 për polakët e Legias me golin e shënuar nga Nikolic në minutën e 29-të. Me fillimin e pjesës së dytë kuksianët kanë barazuar në minutën e 49-të me brazilianin Santos. Dy minuta më pas polakët kaluan në avantazh me Rzezniczak.