Gianni De Biasi, “Doctor Honoris Causa” nga UET - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
"Për rolin e veçantë që së bashku me ekipin kombëtar, nëpërmjet sukseseve të tij ndërkombëtare ka ndikuar cilësisht në ndryshimin e imazhit ndërkombëtar të shqiptarëve; duke kontribuar kësisoj fuqimisht në krijimin e një ndjenje kombëtare në brezat e ndryshëm të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, kryesisht tek të rinjtë, duke i afruar gjithnjë e më shumë ata tek sporti, larg veseve të kohës që jetojmë"

Tiranë, 4 tetor 2015 - Trajneri i Kombëtares shqiptare, italo-shqiptari Gianni De Biasi, u nderua të shtunën, më 3 tetor, me titullin më të lartë akademik “Doctor Honoris Causa” nga Universiteti Europian i Tiranës.

Motivacioni i vlerësimit: “Për merita të jashtëzakonshme si kreativiteti, kërkimi, disiplina taktike, si dhe puna e madhe në themelimin e ekipit kombëtar shqiptar ndoshta më të suksesshëm në historinë e futbollit tonë.
Për rolin e veçantë që së bashku me ekipin kombëtar, nëpërmjet sukseseve të tij ndërkombëtare ka ndikuar cilësisht në ndryshimin e imazhit ndërkombëtar të shqiptarëve; duke kontribuar kësisoj fuqimisht në krijimin e një ndjenje kombëtare në brezat e ndryshëm të shqiptarëve, brenda dhe jashtë vendit, kryesisht tek të rinjtë, duke i afruar gjithnjë e më shumë ata tek sporti, larg veseve të kohës që jetojmë.
Për këmbënguljen dhe besimin tek djemtë e ekipit kombëtar të futbollit, duke rigjetur nëpërmjet tyre ndjenjën e thellë dhe të bukur të krenarisë kombëtare. Për krijimin e frymës së skuadrës me talentin dhe mjeshtërinë e tij me një model suksesshëm bashkëpunimi mbështetur fort në këtë frymë, e cila përbën në fakt modelin më të mirë për vetë shoqërinë shqiptare”.

Duke argumentuar pse UET kishte vendosur që këtë titull nderi këtë vit t’ia akordonte një personaliteti që vjen nga bota e sportit,  e pikërisht trajnerit të kombëtares shqiptare Gianni De Biasi, Presidenti i UET-it, Prof.Dr. Adrian Civici, tha se “ai është bërë një shqiptar më shumë se shqiptarët e që ndoshta na ka dhënë një krenari të madhe kombëtare që më profesionalizmin e tij, me sjelljen e tij, me gjithçka që ka arritur na ka bërë që ne të atashohemi më shumë emocionalisht me përfaqësuesen tonë të futbollit. Në botë ka shumë raste kur futbolli, megjithëse është një lojë, bëhet një element për të mbledhur rreth tij emocionet më të bukura të një populli dhe kombi, për t’u atashuar me suksesin për t’u ndier më krenarë dhe më të bashkuar, ky është rasti”.

Në ceremoninë e zhvilluar në UET, ku Gianni De Biasi ishte me të shoqen dhe të bijën, ishin të pranishëm personalitete të politikës dhe sportit, si kreu i qeverisë Rama, ministrja Nikolla, ambasadori italian në Shqipëri Massimo Gaiani.

Gjatë fjalës së tij De Biasi tha se është “më i emocionuar se sa herën time të parë në Camp Nou të Barcelonës, ku përballë meje dhe skuadrës time ishin Mesi, Eto, Ronaldinjo, Xavi dhe Iniesta. Jam i nderuar që po e marr këtë nderim nga një Universitet prestigjioz me mbiemrin EUROPIAN. Shpresoj shumë që ky titull të na sjellë fat për kualifikimin e Kombëtares sonë në Europianin 2016”.

Ndërsa duke ndarë eksperiencën e tij në krye të Kombëtares Shqiptare ai tha se nuk mjafton talenti, por duhet shpirti i skuadrës. “Edhe më parë Shqipëria ka pasur lojtarë të shkëlqyer, madje besoj që Shqipëria vërtet ka pasur një grup lojtarësh me të vërtetë të talentuar. Ndoshta i ka munguar diçka që një përzgjedhje lojtarësh të zotë të bëhej një skuadër e mirë…
Besoj se njëri nga limitet, nëse mund t’i quaja kështu, është ai që të mendosh vetëm për interesin personal, para se të mendosh për atë të skuadrës tënde: Dmth të paravendosësh përemrin “unë”, para atij që është shumëpërfshirës “Ne”. Unë luaj-ne luajmë; unë luftoj-ne luftojmë; unë fitoj-ne fitojmë!
”.

Në fjalën e tij, kryeministri Rama citoi Majkëll Xhordanin: “Ji i vërtetë ndaj lojës, në mënyrë që loja të jetë e vërtetë ndaj teje. Nëse lojës i bën hile, edhe loja do të të bëjë hile. Nëse në çdo lojë, përpiqesh të shkosh më tutje, patjetër që më tutje të presin gjëra të mira”.

Më tej ai iu referua De Biasit dhe Kombëtares duke u shprehur se “besoj që sot më shumë se sa çdo gjë tjetër, ne jemi këtu për të kremtuar këtë të vërtetë. Të vërtetën e një kapiteni që mori në dorë një skuadër së cilës në rradhë të parë i mësoi që të jetë e vërtetë ndaj lojës dhe bëri të mundur që loja të jetë e vërtetë për skuadrën dhe po ashtu i mësoi që të kërkojë çdo herë e më shumë nga loja në mënyrë që loja t’i japë çdo herë e më shumë skuadrës dhe nëse sot ne kemi një skuadër që na bën të gjithëve krenarë, nuk është thjesht sepse ndryshe nga herë të tjera ka bërë rezultate të panjohura deri më sot, por sepse këto rezultate kanë ardhur si rrjedhojë e një filozofie të re të të qenit skuadër dhe të të jetuarit të lojës në mënyrë të vërtetë. Kjo është kaq e vërtetë saqë edhe kur rezultatet kanë humbur apo kur jemi tradhtuar në pritshmërinë tonë në momentin e fundit si në ndeshje me Portugalinë, përsëri të gjithë sëbashku pa asnjë hipokrizi, i kemi qenë mirënjohës skuadrës”. (Sipas Mapo.al)