Gjata: numërimi i KQZ-së është i ligjshëm, çdo vote i duhet dhënë një status - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Çlirim Gjata, deklaron që procedura për vlerësimin e fletëve të votimit, që janë hedhur në kutitë e gabuara, është plotësisht e ligjshme, për faktin e thjeshtë se këto fletë votimi duhen vlerësuar dhe se është e kundërligjshme dhe përbën një precedent të rrezikshëm, lënia e fletëve të votimit pa u numëruar.

I pyetur mbi funksionimin e KQZ-së si KZAZ, Gjata thotë se "mbështetja ligjore ndodhet në nenin 122, pika 6 të Kodit Zgjedhor. Ne themi se funksionon si KZAZ, sepse Tirana, ndryshe nga bashkitë e mëdha që kanë secila KZAZ-në e vet, nuk ka një të tillë të vetme për të gjithë Tiranën, por KZAZ-të e të 11 minibashkive i dërgojnë tabelat e tyre, me gjithë bazën materiale dhe kontestimet, për vlerësim në KQZ, e cila në bazë të nenit 123 të Kodit Zgjedhor nxjerr në mënyrë të veçantë rezultatin për Tiranën”. 

Në këtë kuadër, Gjata thekson se mund të jetë një e metë e ligjit që nuk ka parashikuar një të tillë për Tiranën, që kuptohet nuk ngarkon me përgjegjësi KQZ-në, por parlamentin. 

Sipas tij, problemi i ngritur sot është numërimi i fletëve të votimit të gjetura në kuti tjetër, por në të njëjtën qendër votimi. "Pra, KQZ ligjërisht në këtë rast vepron si KZAZ, por nuk është kjo e rëndësishme, sepse edhe po të kishte një KZAZ përsëri do të ndodheshim përpara të njëjtit problem, ia vlen të diskutojmë se si zgjidhet ky problem, madje të diskutojmë a po zgjidhet drejt ky problem nga pikëpamja ligjore, sepse nga pikëpamja institucionale e vlerëson gjykata (Kolegji Zgjedhor)", shpjegon më tej Gjata. Sipas tij kjo procedurë është plotësisht e ligjshme për faktin e thjeshtë se këto fletë votimi të hedhura në kutinë e gabuar duhen vlerësuar në një farë mënyre. "Pra s'mund t’i lësh kot, janë gjetur aty dhe kaq. Atyre u duhet dhënë një status. Pra duhen vlerësuar medoemos sepse lënia në këtë mënyrë, jo vetëm është e kundërligjshme, por është edhe një precedent i rrezikshëm për të ardhmen, pasi nesër mund të lihen fletë votimi pa numëruar për lloj lloj arsyesh", thotë Gjata. Në këtë kuadër, Gjata shprehet se nëse këto fletë do të klasifikohen të pavlefshme, kjo duhet të bazohet në dispozitë ligjore. Por sipas tij “në asnjërin prej tetë kritereve ligjore të nenit 117, pika 3 të kodit, nuk parashikohet si pavlefshmëri gjetja e fletës së votimit në kutinë tjetër brenda së njëjtës qendër votimi. Atëherë janë të vlefshme sepse sipas pikës 1 të të njëjtit nen, ligji e ka përcaktuar qartë se  fletët e votimit ndahen në vota të vlefshme, ose në vota të pavlefshme. Të tretë nuk ka; ose njëra, ose tjetra. Këtë duhet ta kishin bërë KZAZ-të përkatëse dhe meqenëse nuk e kanë bërë, atëherë KQZ si KZAZ e Tiranës është e detyruar ta kryeje si numërim të parë, numërim fillestar, sepse nuk e kanë bërë grupet e numërimit", thotë Gjata. 

Në këtë rast, ai argumenton se KZAZ e Tiranës po plotëson pazëllin zgjedhor me fletët e votimit që janë aty, por që nuk kanë status. “Kjo është e detyrueshme në funksion të së drejtës së qytetarit për të votuar dhe kur themi për të votuar edhe për t'iu numëruar dhe vlerësuar vota, se në të kundërt s`ka kuptim, pse po voton”.   

I pyetur nëse ka precedentë për këtë, Gjata sqaron se ka pasur abuzime mediatike në këtë pikë. "Në vitin 2007, kur mund të vihej re ky problem nuk ka pasur asnjë akt të KQZ-së për t'u konsideruar këto vota, pra të gjetura në kutinë e gabuar, si të pavlefshme. Është kërkuar një procedurë e veçantë për bashkinë e Tiranës që grupet e numërimit gjatë procesit të numërimit të linin kutitë e QV hapur derisa të gjendeshin fletët e hedhura gabim dhe të kombinoheshin duke u vlerësuar edhe në tabelat përkatëse", tregon Gjata. Por kjo, sipas tij, do të sillte mbajtjen hapur të të të gjitha kutive edhe pas numërimit. "Kjo do të ishte një aventurë sepse me marrjen vesh të rezultatit mund të lindin probleme deri në shkatërrim të kutive të hapura apo djegie fletësh votimi dhe ta çonte procesin në eliminim të plotë. Prandaj u rrëzua si procedurë por në asnjë rast nuk u vendos nga KQZ e kohës që këto fletë të quhen të pavlefshme. Por për këtë nuk ka asnjë akt të miratuar. Nga ana tjetër, sipas tij, "nuk mundej KQZ-ja ta udhëzonte KZQV se si të vepronte për rastin konkret, sepse pala që do ankohej, nuk mund të ankohej në KQZ sepse kjo e fundit kishte dhënë mendim". "Nuk mund të ankohesh në një institucion që e ka dhënë qëndrimin e vet zyrtar. Dhe e fundit ky problem shqyrtohet pasi ka ndodhur, jo para se te ndodhe, sepse nuk ka kuptim. Në 2007-tën, ky problem nuk u shqyrtua më sepse nuk pati ankimime edhe për faktin se rezultati e bënte të pakuptimtë. Ndërsa sot rezultati është shumë i ngushë", vijon Gjata.

Rasti i dytë, sipas tij, "ka të bëjë me një ankimim për zgjedhjet në bashkinë e Durrësit". "Ky ankimim nuk ka të bëjë me gjetjen e fletëve në kutinë e gabuar, por me kërkesë për rivlerësimin e fletëve të votimit të shpallura me vendim si të pavlefshme,për faktin se numri i tyre e kalonte diferencën në rezultat midis fituesit dhe humbësit. E thënë me thjesht nëse diferenca ishte 400 vota, numri i votave të pavlefshme ishte 800", thotë Gjata. Ai rikujton se "kjo kërkesë u rrëzua sepse nuk kishte prova dhe as indicie që ky vlerësim ishte bërë gabim dhe të shkaktonte rivlerësimin e tyre". "Numëruesit partiake nuk mund të thonë pasi del rezultati që tani që humbëm kemi gabuar. Kjo kërkon prova të forta. Për këtë u rrëzua kërkesa, jo për fletet e gjetura në kutinë e gabuar. Duhet të dini një gjë: fenomeni i fletës së votimit në kutinë e gabuar ndodh vetëm në Tiranë sepse ka katër kuti votimi, ndërsa në njësitë e tjera ka vetëm dy kuti dhe vetëm dy fletë votimi, ku përmasat dhe ngjyrat janë shumë të ndryshme dhe nuk mund të ngatërrohen. Ndaj në atë kohë shqyrtimi i pavlefshmërisë u bë për shkaqe të tjera nga ato që po diskutohen sot", thotë në përfundim ish-kreu i KQZ-së.