Grabitja në aeroportin e Rinasit. I kujt është faji? - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Pingpongu i përgjegjësive

Tiranë, 5 korrik 2016 - Prej disa ditësh tashmë, ngjarja që ka monopolizuar mediat shqiptare është grabitja në pistë të aeroportit të Rinasit të një shume të madhe parash (ka që thonë një e ka që thonë tre milionë euro) të një banke të nivelit të dytë. Gjithçka ndodh në mes të ditës së 30 qershorit, kur tre persona të armatosur hyjnë, jo fshehurazi, duke u tërhequr mbas shkurreve, por me makinë nga një derë e jashtme të cilës i thyejnë kyçin drejt e në pistë, pak metra nga një avion linje dhe një makine të hapur me vetëm shoferin brenda e me shumë shumë para. Morën dy thasë e dolën po aq sheshit e të pashqetësuar nga askënd siç hynë. Gjithçka në as 3 minuta. Ngushëllimi i vetëm, “shyqyr që nuk kishin ndërmend ndonjë atentat sepse mund edhe ta bënin shumë lehtësisht”.

E nga ajo ditë nisi pingpongu i përgjegjësisë dhe fajit. Ndërsa të gjithë, përpara një pijeje freskuese në kafenè dhe maksi-ekraneve të ndeshjeve që nisën të shfaqnin edhe filmimet e kamerave të (pa)sigurisë të aeroportit tonë të vetëm ndërkombëtar, harruam Anjezën e kopshtit privat, për të folur rreth ngjarjes më të re të bujshme duke u shprehur të bindur që grabitësit kanë pasur bashkëpunëtorë të tyre në gjirin e atyre që transportonin paratë apo të atyre që ruanin aeroportin, policia e Shtetit dhe Autoriteti i Aviacionit Civil nga njëra anë dhe TIA-Tirana International Airport nga ana tjetër po përpiqen t’i mbushin mendjen opinionit publik që faji nuk ishte i tiji por i tjetrit.

Ervin Hodaj, drejtor i Policisë së Tiranës: Reagimi i Policisë  ka qenë i menjehershëm pas njoftimit të dhënë, megjithëse sipas regjistrave, është njoftuar rreth 10 minuta pas hyrjes së makinës dhe 5 minuta pasi autoret janë larguar nga rrethimi i aeroportit.  

Arlinda Çausholli, zëdhënëse e TIA: TIA ka ndjekur me shqetësim raportimet zyrtare të policisë së shtetit mbi raportimin më së paku të pasaktë të ngjarjes në fjalë. Duam të theksojmë se TIA ka zbatuar me korrektësi të plotë procedurën e njoftimit në kohë të policisë.Theksojmë se njoftimi i TIA për policinë është bërë në kohën kur makina, bashkë me autorët e krimit, ishte ende në vendngjarje. Autoriteteve të hetimit u janë dorëzuar të gjitha dokumentet që provojnë se ky njoftim është kryer nga menaxheri i operimit në detyrë i TIA-s kundrejt sallës operative të policisë në Rinas. Përveç kësaj theksojmë se punonjësit e policisë kanë qenë prezentë në pistë, vetëm pak metra nga ku ndodhi grabitja. Këtë e vlerësojmë si saktësi të domosdoshme informacioni.

Policia: Në bazë të Marrëveshjes Koncensionare ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Shoqërisë Koncensionare Tirana International Airport, siguria e perimetrit të jashtëm të aeroportit, portat hyrëse të tij, vendqëndrimin e Avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe sallën e kamerave CCTV, e bën në mënyrë eksluzive shoqëria koncesionare nëpërmjet kompanive private të sigurisë.  Madje vetë policia, mbi bazën e kësaj marrëveshje, e ka rreptësisht të ndaluar të patrullojë në aereoport. Sa më sipër, theksojmë se perimetri i jashtëm i aeroportit, patrullimi nga brenda i perimetrit të aereoportit, portat hyrëse të tij, vendpushimi i avionëve, ambientet hyrëse të terminalit si dhe salla e kamerave CCTV, janë përgjegjësi direkte e kompanisë ICTS, e cila është kontraktuar nga TIA (Tirana International Airport).

TIA: Për qartësinë e publikut, por edhe të autoriteteve shtetërore të përfshira, dëshirojmë të sjellim në vëmendje se kompania ICTS është përgjegjëse vetëm për shërbimin e sigurisë aeroportuale, shërbim i cili as nuk e zëvendëson dhe as nuk e zvogëlon detyrën dhe përgjegjësinë e policisë së shtetit. ICTS, si kompani ndërkombëtare për ofrimin e sigurisë në aeroporte si dhe e certifikuar në mënyrë të vazhdueshme nga Autoriteti i Aviacionit Civil Shqiptar nuk ka asnjë të drejtë të ndërhyjë fizikisht. ICTS operon e paarmatosur. E vetmja forcë e armatosur në aeroport është policia e shtetit. Përsa i takon ruajtjes së rendit dhe sigurisë publike jashtë gardhit të aeroportit, nga ku ka hyrë makina, kjo është përgjegjësi e plotë dhe e vetme e policisë së shtetit. Sipas ligjit, policia e shtetit duhet të sigurojë patrulla me të gjitha mjetet, përfshirë ato këmbësore, në të gjitha zonat e aeroportit, duke parandaluar çdo incident dhe aktivitet të paligjshëm.

Policia: Pikërisht për shkak të konstatimit të shpeshtë të mungesës së disa elementëve të sigurisë, Policia e Shtetit me shkresë nr 457 datë 21.04.2014 i ka komunikuar autoritetit Aeroportual TIA, në lidhje me mangësitë të konstatuara në drejtim të parametrave të sigurisë, vecanërisht për sistemin e kamerave, pasi kamerat nuk mbulonin me monitorim të gjitha pikat nervlagjike të aeroportit. Me shkresë ref. RCV/IA, datë 24.04.2014, protokoll 273/1, nga Autoriteti Aeroportual TIA, i është kthyer përgjigje Komisariatit të Polcisë Rinas se: Shqetësimet e ngritura lidhur me sigurinë dhe kamerat e sigurisë, nuk janë kompetencë e Policisë së Shtetit.
Në vazhdimësi të korespodencës për riparimin e mangësive të  konstatuara, me shkresë nr 496 protokoll 25 .04.2014 Komisariati i Policisë Kufitare Rinas i është drejtuar Autoritetit të Aviacionit Civil (AAC),  me kërkesë për ndërhyre për marrjen e masave të menjëherëshme për zgjidhjen e problemtaikave të konstatuara lidhur me sigurinë në Aereoport, duke i kërkuar Koncesionarit që të zgjidhe menjëherë problemet e sigurisë në përputhje me standartet ndërkombëtare për sigurinë në Aeroporte.
Nga Autoriteti i Aviacionit Civil akoma deri ditën e sotme nuk është kthyer asnjë përgjigje.
Po në vijim të korespodencës me shkresë nr 534/protokoll datë 24.03.2016, Komisariati i Policisë Kufitare Rinas, i kërkon autoritetit Aeroportual TIA, marrjen e masave për lëvizjen e mjeteve të shërbimeve të linjave ajrore brenda në pistë si dhe rishikimin e sistemit të kamerave.
Në mbledhjen e këshillit të sigurisë së aeroportit datë 30.03.2016 mbajtur me protokoll nr 145  Ref: RCV-GM/STO nga ana e Policisë së Shtetit është kërkuar rishikim i masave të sigurisë përfshirë dhe sistemin e kamerave si dhe shkëmbim i menjëhershëm i informacionit në rast të ngjarjeve të mundshme kriminale
.

TIA: Dokumentet që janë bërë publike janë pjesë e auditimeve periodike që kryhen në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës dhe secila nga këto dokumente e ka patur përgjigjen e duhur dhe planin përkatës të veprimit në lidhje me dinamikën e operimeve në TIA. Të gjitha dokumentet e dërguara Autoritetit të Aviacionit Civil u janë vënë në dispozicion pa asnjë hezitim, nga Aeroporti Ndërkombëtar i Tiranës, autoriteteve kompentente që po hetojnë ngjarjet e 30 qershorit. Mënjanë kësaj, TIA do të kishte dashur që etika e konfidencialitetit, e bazuar në ligj të shkruar e të pashkruar, të respektohej nga të gjitha organet shtetërore. Në këtë incident të rëndë, nëse qëllimi është fajësimi, pasojat do të jenë shumë më të rënda se grabitja.

Autoriteti i Aviacionit Civil: TIA dështoi në zbatimin e 3 masave të sigurisë
AAC
: Në datë 20 Prill 2016, AAC në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, ka kryer një testim të fshehtë të sigurisë në aeroport, në ushtrim të funksioneve të tij rregullatore/mbikqyrëse dhe jo operacionale.
Në raportin e dërguar në dt. 13/05/2016 janë evidentuar dështimet në zbatimin e 3 masave të sigurisë nga Operatori TIA. Në të njëjtin raport, AAC  ka rekomanduar veprimet detyruese për korrigjimin e gjetjeve.
Në dt. 07/06/2016, Operatori TIA dërgoi Planin e Veprimeve Korrigjuese për mangësitë e identifikuara nga raporti i datës 20 Prill.
Pas shqyrtimit  të masave të propozuara, AAC më dt. 08/06/2016 kërkoi rivlerësimin e masave të propozuara, dhe është në pritje të Planit të rishikuar nga ana e TIA-s.
AAC do të presë rezultatin e hetimit nga organet kompetente, rezultati i të cilit, bashkë me rekomandimet e AAC do t’i dorëzohet edhe Organit Shtetëror  të Autorizuar, përkatësisht MTI dhe MZHETTS, për ta vlerësuar atë kundrejt edhe detyrimeve të kontratës konçesionare, për pjesën që lidhet me zbatimin e  masave të sigurisë së Aviacionit Civil të parashikuar në këtë kontratë.
AAC po ndjek dinamikën e kësaj ngjarjeje dhe theksojmë se është detyrim ligjor për të respektuar  konfidencialitetin sipas ligjit.
AAC në përmbushje të detyrimeve ligjore do të vazhdojë aktivitetin mbikëqyrës ndaj operatorit të Aeroportit, për mbrojtjen e aviacionit civil nga aktet e ndërhyrjes së paligjshme dhe për të garantuar standartin më të lartë të sigurisë në këtë aeroport.

E duke lexuar a dëgjuar deklarata të tilla, thua akoma me më shumë bindje që qenkemi me fat të madh që deri më sot nuk na ka ndodhur ndonjë gjë shumë më e rëndë se një grabitje parash!