Hahn: Komisioni Evropian njeh Çështjen Çame - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Duke përgëzuar vullnetin e mirë të Shqipërisë e Greqisë për zgjidhjen e çështjeve dypalëshe të pazgjidhura, komisioneri Johannes Hahn thotë hapur se fut mes këtyre çështjeve edhe atë çame

Paketa e ministrit të Jashtëm Ditmir Bushati për adresimin e çështjeve të hapura mes Shqipërisë dhe Greqisë, merr bekimin e Komisionit Europian. Në një seancë dëgjimore me eurodeputetët, komisioneri Johannes Hahn ka theksuar faktin që çështja e detit, ndryshe nga sa ka deklaruar ambasadorja greke në Tiranë, njihet nga Komisioni Europian si një çështje e pazgjidhur mes dy vendeve.

Komisioneri Hahn është ndalur në marrëveshjen dypalëshe për adresimin e çështjeve historike mes dy vendeve, pjesë e paketës Bushati-Kotzias, duke vënë në dukje se Komisioni njeh si një prej tyre edhe “Çështjen Çame”. Top Channel siguroi përgjigjen që Komisioneri Johannes Hahn i ka kthyer shqetësimit të eurodeputetes greke Maria Spyraki lidhur me ato që ajo i ka quajtur “pretendime irredentiste të Shqipërisë”, duke renditur një sërë ngjarjesh të ndodhura përpara dhe gjatë vizitës së ministrit Kotzias në Tiranë.

Deputetja e nisi që nga deklaratat e kryeministrit Edi Rama në Konventën e Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet dhe protestën e zhvilluar gjatë vizitës së ministrit grek në Tiranë. Në fund, eurodeputetja e Demokracisë së Re i adresoi dy pyetje Komisionerit Hahn.

A e konsideron Komisioni veprimet e kësaj partie (PDIU) në qeveri të jetë në frymën e fqinjësisë së mirë, kjo duke qenë dhe një parakusht për anëtarësimin e Shqipërisë?
A do të merren parasysh ngjarjet e mësipërme në raportin e progresit për Shqipërinë?
, pyeti eurodeputetja greke.

Përgjigjja e komisionarit Hahn ishte shumë e qartë. “Komisioni ka vërejtur pozitivisht rritjen e frekuencës së vizitave të nivelit të lartë në mes të autoriteteve të Shqipërisë dhe Greqisë. Marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve janë intensifikuar, gjithashtu edhe dialogu politik është formësuar më mirë. Komisioni mirëpriti faktin se të dy vendet po diskutojnë krijimin e një mekanizmi të përbashkët, që do të mblidhet në mënyrë periodike, për zgjidhjen e çështjeve të pazgjidhura dypalëshe. Këtu përfshihet përcaktimi i shelfit kontinental dhe të zonave detare shqiptaro-greke, të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve dhe çështja çame. Komisioni ka përgëzuar këto përpjekje, duke shprehur mirënjohjen për ripërtëritjen e një angazhimi të tillë të rëndësishëm diplomatik dypalësh”, u përgjigj Komisioneri Hahn. (Top Channel)