Ilir Meta mund të zgjidhet nesër Presidenti i Republikës - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Është Meta kandidati i raundit të katërt, kur mund të zgjidhet me vetëm 71 vota, edhe sikur opozita të mos marrë pjesë fare në seancë. Rama: “Është kandidatura e duhur që ka mbështetjen e plotë të LSI dhe PS”

Tiranë, 27 prill 2017 - “Partia Socialiste mbështet kandidaturën e Ilir Metës për President”. Kështu u shpreh mbrëmjen e sotme nënkryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Balla shpjegoi se qëndrimi i PS-së për çështjen e zgjedhjes së Presidentit u bë publik në sallën e Kuvendit të Shqipërisë nga kryetari i grupit parlamentar Gramoz Ruçi, pas ezaurimit të raundit të tretë për zgjedhjen e Kreut të Shtetit. Menjëherë më pas, u zhvillua dhe konferenca e kryetarëve në ambientet e Kuvendit në të cilën u caktua që nesër në orën 17:00 të zhvillohet edhe raundi i katërt për zgjedhjen e Presidentit të ri të Republikës.

“Në vijim të një procesi shumë konstruktiv të nisur, janë zhvilluar disa negociata dhe përgjatë kësaj dite një përfaqësi e PS-së e kryesuar nga Kryetari Edi Rama u takua me aleatët tanë të LSI-së nga të cilët u njohëm me propozimin e ardhur nga kryesia dhe strukturat drejtuese të kësaj partie, dy propozime shumë të mira. U njohëm me propozimin e ardhur nga LSI për Petrit Vasilin dhe Ilir Metën si kandidatura për President. Kryesia e PS-së, pasi u njoh me propozimet e ardhura vendosi në mënyrë unanime që nga këto dy kandidatura të mbështesë kandidaturën e Ilir Metës”.

Mbrëmjen e sotme, edhe vetë Kryeministri Rama ka pranuar gjatë intervistës në Top Story në Top Channel se Ilir Meta është kandidatura e duhur e u shpreh i bindur: “Nesër Ilir Meta zgjidhet President i Republikës me mbështetjen e plotë të LSI dhe PS”,

“Është një president që me siguri mund të kompensojë boshllëkun e madh që kemi patur deri më tani. Është një President i lidhur me të gjithë. Ka akses tek të gjithë, flet me të gjithë dhe u thotë të gjithëve se çfarë mendon", tha Rama.

“Edhe sot Ilir Meta është kandidat për President që vjen natyrshëm sepse është situata e tillë që kërkon Ilir Metën President. Po të mos ishte kjo situatë, Meta do të ishte në krye të betejës për të marrë edhe më shumë deputetë dhe për të qenë në vazhdimësi pjesë e jetës politike aktive”, shtoi Kryeministri Rama.

“Unë jam i lumtur se President më pranë PD-së, por jo të PD-së, veç Ilir Metës ne nuk mund të gjenim”, shtoi Kryeministri.