Ilir Meta president. Një jetë e çuar në pushtet - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Në vitin 1992 hyn me socialistët në të parin Parlament pluralist pas rënies së regjimit dhe që atëherë ka qenë deputet për të gjithë 25 vjetët e mëpasshëm. Së fundi, në pak vjet, Meta ia arrin të imponojë veten në skenën politike të vendit, duke e kthyer LSI-në në partinë e tretë të Shqipërisë, falë edhe lëvizjeve të tij të guximshme, majtas e djathtas
Nga Lavdrim Lita, East Journal

Ilir Meta, 48 anni, kryetari aktual i Kuvendit të Shqipërisë u zgjodh më 28 prill presidenti i ri i Republikës së Shqipërisë me 87 vota në favor e vetëm 2 kundër, ndërsa opozita e qendrës së djathtë e udhëhequr nga Lulzim Basha ka bojkotuar votimin. Meta do të betohet më 24 korrik, kur përfundon mandati i presidentit në ikje, Bujar Nishani.

Në fjalimin e tij menjëherë pas zgjedhjes, Meta pohoi se e pranoi rolin e kreut të shtetit i shtyrë nga bojkotimi parlamentar i opozitës, që nuk mori pjesë në votim. Ai u bëri thirrje partive politike që të gjejnë konsensus, “që Shqipëria të mos bëhet si Maqedonia”. Meta premtoi të zgjedhë demokracinë përpara pushtetit “siç kam bërë gjithmonë”, dhe pohoi dëshirën për bashkëpunim me presidentin në ikje Nishani, kryeministrin Rama dhe opozitën për të siguruar zgjedhje të lira dhe demokratike.

Zgjedhja e Metës në krye të shtetit, në prag të fushatës për zgjedhjet 18 qershorit që Partia Demokratike e Lulzim Bashës kërcënon të bojkotojë, mund të përforcojë koalicionin mes LSI-së, tashmë të drejtuar nga ministri i Drejtësisë Petrit Vasili, dhe Partisë Socialiste të Edi Ramës.   

Kush është Ilir Meta

Ilir Meta është një nga politikanët me përvojën më të gjatë në jetën politike shqiptare. I biri i një komisari partie në Akademinë ushtarake të Tiranës, Ilir Meta hyn në politikë me ndihmën e profesorëve të tij të ekonomisë kapitaliste dhe socialiste.

Anëtar i lëvizjes studentore, në moshën 23-vjeçare Meta hyn me socialistët në të parin Parlament pluralist pas rënies së regjimit. Ishte viti 1992 e që atëherë ka qenë deputet për të gjithë 25 vjetët e mëpasshëm. Ka qenë i pari politikan i vendit i zhveshur nga imuniteti parlamentar: iu hoq pas një revolte në Poliçan, në krahinën e tij të lindjes, në të cilën Meta kishte pasur rolin e ndërmjetësuesit për të garantuar lëshimin e dy komisarëve të marrë peng. Berisha e akuzoi se ishte ai organizuesi i revoltës dhe i hoqi imunitetin për të mundësuar arrestimin, por prokuroria nuk çoi përpara çështjen dhe socialistët e zgjodhën nënsekretar të partisë. Nga ai çast, karriera e tij politike mori krahë. 

Është një nga themeluesit e Forumit Eurosocialist të të rinjve (FRESSH), zëvendës kryeministër në qeverinë e Pandeli Majkos në vitin 1998. Në moshën 30 vjeç, ngjit shkallët e pushtetit në gjirin e partisë socialiste dhe në qeveri, e nga viti 1999 deri në 2002-shin bëhet kryeministër i vendit, më pas ministër i jashtëm e ndeshet ashpër me kryeministrin e ri socialist Fatos Nano. Si kryeministër Meta lidh aleancë gjithnjë e më të fortë me kryebashkiakun e ri të Tiranës, Edi Ramën, gjithnjë në funksion të një lufte të brendshme me liderin e partisë Fatos Nanon. Në dhjetë vitet që do të pasojnë, marrëdhënia e tij me Edi Ramën do të karakterizohet më shumë nga urrejtja se nga dashuria.

Meta njihet si kokëfortë. Pas disa përleshjesh në Tropojë, vendlindja e Sali Berishës, pa iu dridhur qerpiku, në nëntor 2000 Ilir Meta urdhëroi ndalimin dhe marrjen në pyetje të liderit të kreut të opozitës, Berishës.

Në vitin 2004, bashkë me një grup eksponentësh të PS-së, pas një zënieje më kryeministrin e asokohe, Nanon, braktis socialistët dhe themelon një forcë të re politike, Lëvizjen Socialiste për Integrim (LSI), që drejton deri ditët e sotme. Partia e re merr 5 deputetë (ndër 140 të Kuvendit) në vitin 2005 e 4 në vitin 2009, duke fituar kështu një rol kyç për zgjidhjen e ngërçit mes socialistëve dhe demokratëve.

Brenda pak vjetëve, Meta ia del të imponojë veten në skenën politike të vendit, duke e kthyer LSI-në në partinë e tretë të Shqipërisë, falë edhe lëvizjeve të guximshme, si ajo në vitin 2009, kur lidh aleancë me qendrën e djathtë, duke i ofruar ish kryeministrit Sali Berisha mundësinë për një mandat të dytë qeverisës. Pas pesë vjetësh në opozitë në krah të socialistëve, në fakt, në 2009 Meta ndërron kah politik. Berisha ia shpërblen duke i dhënë Metës postin e zëvendës kryeministrit, të ministrit të Jashtëm, dhe më pas të ministrit të Ekonomisë, tregtisë dhe Energjetikës. Por pas një viti, Meta detyrohet të japë dorëheqjen pas publikimit të një videoje që e tregon teksa diskuton për një ryshfet prej 700,000 € për ndërtimin e një hidrocentrali, duke deklaruar se  kishte ndikuar deri edhe Gjykatën e Lartë. Një vit më vonë, e njëjta Gjykatë e Lartë i njeh pafajësinë për shkak të mungesës së provave.

Në zgjedhjet politike të vitit 2013, Meta ndahet nga Berisha për t’u lidhur me socialistët e Ramës. LSI fiton 16 vende në Kuvend e Ilir Meta zgjidhet Kryetar i Kuvendit të Shqipërisë.

Artikulli në origjinal në East Journal:
ALBANIA: Ilir Meta eletto presidente. Un vita passata al potere