Importimi i plehrave (italiane?) e shkrimi aktual i Ardian Klosit - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

“Ligji për ndalimin total të importimit të plehrave në Shqipëri është i mirë sepse është në këtë fushë i vetmi ligj që mund të zbatohet sot për sot tek ne. Prej çastit që fillojnë përjashtimet, i hapet porta së keqes” shkruante më 16 tetor 2010 te Shekulli publicisti i ndjerë Ardian Klosi që luftën kundër importimit të mbetjeve urbane e kish kthyer në një kalë beteje të angazhimit të tij civil.

E i njëjti mendim i asokohe, ndihet sot në atmosferë, paçka se duan të na mbushin mendjen se situata ka ndryshuar e ka ardhur koha që, për t’i ardhur në ndihmë industrisë së riciklimit, duhet lejuar importimi i plehrave nga jashtë. Atëherë Klosi shihte si një prej arsyeve të vendimeve në favor të importit, ndihmën që qeveritë e “vëllait të vogël”, në fillim Nano e pastaj Berisha, i bënin “vëllait të madh” Italisë e qeverive Berlusconi. Do të vlenin edhe sot këto argumente? Pse jo. Qytetet e mëdha italiane kalojnë periodikisht kriza që kanë të bëjnë me riciklimin apo asgjesimin e plehrave. Ku ta gjejnë që Shqipëria t’u vijë në ndihmë në këtë aspekt.

Demagogji e re për një projekt të vjetër
Nga Ardian Klosi

Një projekt i vjetër dhe gjithmonë i dashur i qeverive Berlusconi: shkarkimi i mbeturinave të Italisë në Shqipëri merr jetë sërish. Në të vërtetë e prisnim prej kohësh dhe po na habiste vonesa e qeverisë Berisha për të hequr pengesat ligjore që ndalojnë importimin e plehrave në Shqipëri. Të gjitha projektet e tjera që kishin zënë fill nën qeverinë Nano, të cilat mund t'i përmbledhim nën titullin: lehtësimi i fqinjit të madh nga industritë dhe veprimtaritë e tjera ndotëse duke përdorur Shqipërinë, po bëhen realitet: ngritja e TEC-eve në Porto Romano, e portit të hidrokarbureve me rafineri në Vlorë etj. Me sa kuptohet për mbeturinat urbane u gjet çasti i duhur për ta shpallur: pasi u platit konflikti për Petroliferën në Vlorë, pasi u shpallën njëra pas tjetrës dhe filluan të ndërtohen fabrikat e çimentos në ultësirën nga Fushë Kruja në Shkodër, pasi u dha zona e Karaburunit dhe Llogorasë për mullinjtë me erë të një firme siciliane, pasi zuri vend mirë edhe centrali bërthamor në protokollet e bashkëpunimit të ardhshëm midis dy shteteve, pasi u harrua disi nga media lufta për mbeturinat urbane që përfshiu Napolin dhe zona të tjera të jugut italian, qeveria Berisha kërkoi këto ditë që të hiqet ndalimi për importimin e plehrave në Shqipëri.

Çast më të mirë për të hedhur një hap të tillë në vështrimin e tij nuk mund të kishte: ende s'mund të thuhet që kjo qeveri është e paralizuar nga skandalet e shumta që i janë hapur ose nga protesta këmbëngulëse të opozitës. Ende është ajo periudha e mjegullt kur mund të merren vendime, siç ishte 2004, një vit para zgjedhjeve për Fatos Nanon kur ai bëri marrëveshjen për Petroliferën dhe atë me Beketin për sjelljen e mijërave tonelata me mbeturina nga Italia. Për më tepër, Berisha e bën këtë lëvizje pasi ka provuar që vetëdija ekologjike dhe lëvizja ambientaliste në këtë vend janë të tepër dobëta; e për sa u takon protestave popullore siç ndodhën në qershor 2004, këtyre me sa duket s'ua ka më frikën sidomos pas Gërdecit, pas përfundimit të protestave në Vlorë dhe tani në fund protestave politike të opozitës.

Këto janë testime të rëndësishme për një ujk të vjetër të pushtetit dhe politikan që nuk ka asnjë skrupull kur është fjala për t'u shërbyer të fuqishmëve, njerëzve që mund ta mbajnë në pushtet, grupeve okulte siç janë bizneset famëkëqija të eksportimit të plehrave të rrezikshme, pa përfillur interesat e sotme dhe të ardhme të Shqipërisë. Shqipëria, siç u vu në dukje me të drejtë këto ditë, është e paaftë të zgjidhë problemin e mbeturinave të veta urbane e jo më të përpunojë plehra të importuara. Argumenti se me djegien e këtyre plehrave përfitohet energji është sa qesharak aq edhe i dëmshëm: qesharak sepse përfitimi është minimal në krahasim me koston e transportit, ndarjes së mbeturinave, koeficientin e energjisë termike që çliruakan këto mbeturina në djegie (edhe një TEC me naftë që ngritën në Vlorë nuk po e vënë dot në punë për shkak të kostos së lartë të lëndës djegëse); i dëmshëm, sepse në mbeturinat që vijnë për djegie në inceneratorë fare mirë mund të fshihen mbeturina të rrezikshme radioaktive etj.

Ligji për ndalimin total të importimit të plehrave në Shqipëri është i mirë sepse është në këtë fushë i vetmi ligj që mund të zbatohet sot për sot tek ne. Prej çastit që fillojnë përjashtimet, i hapet porta së keqes; kush është në gjendje të dallojë në këtë vend mbeturinat e rrezikshme si elementet e djegies bërthamore, ose mbeturina kimike ose spitalore etj? këtu e shumta mund të dallojnë letrën nga xhami, rakinë nga uji dhe kaq. Përfytyroni një doganier në portin e Durrësit i cili do shquajë mes dengjeve me plehrat e Pulies mbeturina fosfatesh ose uraniumi nga veriu i Italisë dhe Europës. Absolutisht e pamundur, ndaj e vetmja rrugë për sa kohë ekziston kjo injorancë dhe ky nivel zbatimi ligjesh e rregulloresh te ne, është ndalimi total. Ç'ishte ky lajm i mirë i pasuar nga një lam i keq? Sikur të kishte këtu impiante për riciklimin e letrës, të plastikës, të aluminit etj., atëherë do të funksiononte i gjithë zinxhiri, nga ndarja e mbeturinave te furnizimi i fabrikave që thotë zv. ministri. Sikur të mos funksiononte, atëherë do të subvenciononte qeveria që të funksiononte kjo industri ricikluese.

Kush ka qoftë dhe një fije mendimi ekonomik në kokë e kupton që në qoftë se në Itali a kudo gjetiu në vendet e zhvilluara europiane, mbeturinat janë ndarë dhe janë bërë gati për riciklim, ato nuk kanë nevojë të ngarkohen në vaporë për t'u prurë te impiantet e riciklimit në Shqipëri. Kjo nuk është një punë dore, si bie fjala qepja e të mbathurave, që të del më lirë t'i gatitësh në Kavajë sesa në Milano, jo ky është një proces industrial riciklimi ku natyrisht, nëse kursen rrugën, ke ulur dhe çmimin e produktit të ricikluar. Por e mësuar me një popull që s'kundërshton, që është tepër i lodhur nga këta politikanë, me vetëdije tepër të ulët ekologjike dhe tepër individualist në veprimtaritë e tij, qeveria i heq atij nëpërmjet zv.ministrit të saj të Mjedisit edhe mundësinë që të ketë një fije mendimi ekonomik në kokë.

Kur dëgjon një arsyetim të tillë pyet: por përse duhet një arsyetim? Si kanë ardhur punët, është më mirë që kjo qeveri të mos japë asnjë shpjegim për punët që bën sepse ajo punët e këqija i bën që i bën, ndaj dhe nuk është nevoja të fyhen kaq keq njerëzit në inteligjencën e tyre. E gjitha është një demagogji e keqe për të fshehur projektin e rrezikshëm të importimit të plehrave nga Italia dhe vende të tjera të zhvilluara në Shqipëri, një projekt që e dinim të vdekur qysh në 2004-n. Ai duhet ndaluar me të gjitha mënyrat, në radhë të parë me anë të vetëdijesimit të qytetarëve shqiptarë, duhet organizuar edhe një herë shoqëria civile, në qoftë se projekti s'mund të ndalet politikisht, për të ndaluar shitjen e mëtejshme të interesave të vendit në formën më të keqe të mundshme, atë të helmimit të tokës dhe ajrit të tij me mbeturinat e të tjerëve.

*Botuar te gazeta “Shekulli”, më 16 Tetor 2010. Ribotohet sot kur importi i mbetjeve urbane po votohet në Kuvend në seancë plenare