Komisioneri Hahn: “Shqiptarët meritojnë proces zgjedhor demokratik” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Në një letër të hapur drejtuar shqiptarëve, thekson se zgjedhjet do të bëhen edhe pa opozitën. “Nuk mund të bojkotohet demokracia. Edhe moszhvillimi i zgjedhjet në Kavajë është humbje për demokracinë”

Tiranë, 11 maj 2017 – “Gjatë disa javëve të fundit, janë bërë disa përpjekje për të nxitur dialogun midis partive politike në Shqipëri. Nga përfaqësues të BE-së, përfshirë veten dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ne kemi dëgjuar me kujdes shqetësimet dhe pritjet nga të gjitha anët, duke u përpjekur për të lehtësuar një zgjidhje të krizës në vazhdim. U ofruan një numër opsionesh, me shpresë që partitë dhe udhëheqësit të jetojnë në përgjegjësinë e tyre për të gjetur një zgjidhje të përbashkët. Për fat të keq, ky nuk ndodhi”. Kështu u drejtohet sot shqiptarëve “me shqetësim të madh” Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Europian, Johannes Hahn me një letër të hapur.

Në vijim ai shton se opozita u tërhoq nga procesi zgjedhor. “Zgjedhjet do të zhvillohen më 18 qershor pa pjesëmarrjen e partive kryesore të opozitës. Ishte zgjedhja e qëllimshme e opozitës aktuale për të mos kandiduar për zgjedhje. Unë duhet ta respektoj, por në të njëjtën kohë shpreh keqardhje të thellë për këtë vendim nga pikëpamja demokratike. Shqiptarët kërkojnë dhe meritojnë zgjedhje që ofrojnë një ofertë të gjerë politike dhe standarde zgjedhore. Megjithatë, procesi demokratik duhet të vazhdojë, edhe nëse disa vendosin të qëndrojnë prapa. Demokracia dhe standardet demokratike nuk do të pengohen duke bojkotuar institucionet dhe zgjedhjet demokratike. Zgjedhjet do të vlerësohen sipas meritave të tyre, bazuar në standardet ndërkombëtare”, lexohet në letrën e Komisionerit.

Hahn kërkon nga institucionet shqiptare të angazhohen për procesin zgjedhor, dhe shton se autoriteti më kompetent evropian për vëzhgimin e zgjedhjeve, ODIHR, kohët e fundit ka nisur aktivitetin e vëzhgimit të zgjedhjeve në Shqipëri. Madje shton: “Është në interes të Shqipërisë dhe institucioneve të saj që OSBE/ODIHR dhe vëzhguesit e tjerë ndërkombëtarë të mund të kryejnë më së miri rolin e tyre vendimtar dhe vlerësimin e zgjedhjeve”.

Hahn thekson: “Më lejoni të jem i qartë për një gjë. I dënoj fort thirrjet për “veprime” që do të cenonin të drejtën e votës dhe liritë themelore të qytetarëve. “Veprime” të tilla s’mund të justifikohen dhe nuk puqen me standardet e BE-së”.

“Në të kundërt është një e drejtë themelore evropiane që idetë dhe propozimet politike, pavarësisht se u pëlqen apo jo, të diskutohen në brendësi të institucioneve demokratike, veçanërisht në parlamentin shqiptar. – vazhdon Hahn – Kjo është theksuar fort në të gjitha takimet me lederë politikë shqiptarë të të gjitha palëvë. Në këtë aspekt më lejoni të them një gjë: moszhvillimi i zgjedhjet në Kavajë nuk është fitore e askujt përkundrazi është një humbje e qartë për demokracinë”.

Më tej, Hahn shpreh besimin se populli shqiptar do të kërkojë nga udhëheqësit e tyre politikë të demonstrojnë vetëpërmbajtjen dhe maturinë demokratike që pritet në një vend që aspiron të jetë anëtar i BE.

“Le të jemi të qartë: liderët do të mbajnë përgjegjësi nëse ata përpiqen të bllokojnë aspiratat legjitime të popullit shqiptar për një të ardhme më të mirë. BE do të ndjekë dhe do të monitorojë nga afër procesin elektoral. Dhe ajo që është më e rëndësishme është që do vazhdojmë të ju mbështesim ju në rrugën drejtë anëtarësimit në BE”, përfundon Komisioneri Hahn.

Letra e plotë në origjinal: Statement of Commissioner Hahn to the citizens of Albania