KQZ: “Mbyllet procesi i numërimit të votave të 25 qershorit, fiton PS” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Kanë votuar 1,6 milionë zgjedhës, që kanë përcaktuar cilat parti do të përfaqësojnë shqiptarët në Kuvend për katër vjetët e ardhshëm

Tiranë, 27 qershor 2017 – “Sot, në ora 19:00 u mbyll numërimi i kutisë së fundit për zgjedhjet për kuvendin në KZAZ-në, nr. 35, të qytetit të Tiranës. Me rezultatin e kësaj kutie përfundon procesi i numërimit dhe tabulimit të rezultateve në gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë”. E deklaroi kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Klement Zguri, kur në një konferencë për shtyp paraqiti sot rezultatet paraprake të zgjedhjeve të 25 qershorit, sipas të dhënave të mbërritura në KQZ në rrugë elektronike.

“Të dhënat tregojnë së në këto zgjedhje në Shqipëri, kanë marrë pjesë në votim 1.613.087 zgjedhës, ose 46,72 % e numrit të përgjithshëm”, theksoi Zguri.

Zguri bëri të ditur se numri i përgjithshëm i votave të vlefshme ka qenë 1.580.778. Votat janë ndarë sipas subjekteve elektorale si vijon:
- Partia Socialiste 763.999 vota ose 48,33 përqind të numrit të përgjithshëm të votave të vlefshme e kthyer në 74 mandate,
- Partia Demokratike 455.481 ose 28,81 përqind, 43 mandate,
- Lëvizja Socialiste për Integrim 225.678 vota ose 14,28 përqind , 19 mandate,
- Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet 75.938 vota ose 4,8 përqind, 3 mandate,
- Partia Social Demokrate 14.988 vota ose 0,95 përqind , 1 mandat,
- Partitë e tjera, të cilat nuk kanë kaluar pragun elektoral kanë marrë në totalin e tyre 44.661 vota ose 2,8 përqind të votave të vlefshme.

Ai shpjegoi se KQZ do të vazhdojë me administrimin e mëtejshëm të procesit, sipas hapave dhe procedurave që parashikon Kodi, deri në përfundimin e tij.

Zguri shprehu në emër të KQZ-së vlerësimin më të lartë për të gjithë zgjedhësit që shprehën vullnetin nëpërmjet votimit. “Kultura e tyre demokratike është burim krenarie dhe obligim. Uroj që sjellja e tyre të bëhet model i pashmangshëm i kulturës politike të shoqërisë sonë. Një vlerësim i posaçëm u shkon të gjithë aktivistëve të zgjedhjeve, komisionerë, numërues, përfaqësues dhe vëzhgues subjektesh, si dhe administratorëve të rendit dhe atyre zgjedhorë, të cilët me punën e tyre i rritën vlerat procesit dhe bënë të mundur respektimin rigoroz të vullnetit të zgjedhësve”, tha ai.

Kreu i KQZ-së vlerësoi gjithashtu edhe vëzhguesit vendas dhe ata ndërkombëtarë, të cilët tha si kanë qenë në këto zgjedhje mbikëqyrësi i mprehtë i procesit. “Për ne, ata kanë qenë burim sigurie dhe besimi. Duke i falenderuar për përkushtimin dhe prezencën masive, dua t’i siguroj se gjetjet, konstatimet dhe rekomandimet e tyre do të jenë program pune për KQZ-në, bazë për përmirësimin e performancës në të ardhmen”, tha Zguri.

Zguri u shpreh se “subjektet elektorale ishin aktorët e padiskutueshëm të fushatës dhe menaxhimit të procesit. Nëse këto zgjedhje do të vlerësohen si arritje, atëherë merita e parë u takon atyre. Nëse do të ketë kritika, korrigjimi duhet të nisë nga ata”.

“Nga ana e KQZ-së dua të shpreh vlerësim dhe mirënjohje për bashkëpunimin institucional që mundëm të zhvillonim midis nesh, si dhe t’u uroj suksese në aksionin e tyre të mëtejshëm politik, për një qeverisje të suksesshme, të dobishme dhe rezultative, apo për një opozitë të fortë, parimore dhe konstruktive”, përfundoi Zguri.

Lexo edhe:
Ja kush janë deputetët e rinj