KQZ RINUMËROI VOTAT{br}Basha shpallet kryebashkiak të Tiranës - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

23 maj 2011 - Përditëso këtu faqen

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur në orën 17.00 nisi mbledhjen e radhës gjatë të cilës pritet të miratohet tabela e rezultateve për Tiranën. Deri tani po diskutohet rreth projektaktit të miratuar nga kreu i KQZ-së Arben Ristani në lidhje me ndryshimin dhe përllogaritjen e fletëve të kontestuara që KQZ ka numëruar gjatë javës së shkuar.

KQZ NZJERR FITUESIN: LULZIM BASHA KRYETARI I BASHKISË SË TIRANËS

23.05 KQZ miraton me 4 vota pro e 3 vota kundër, tabelën përmbledhëse të ndryshuar këto pesë ditët e fundit komisionit: shpallet fitues Lulzim Basha.

KQZ SHPALL TABELËN PËRFUNDIMTARE: BASHA FITUES

22.18 KQZ shpall tabelën përfundimtare për bashkinë e Tiranës. Sipas kësaj tabele, kandidati i Aleancës për qytetarin, Lulzim Basha, ka një epërsi prej 81 vota mbi Edi Ramën. Sipas kësaj tabele, kandidati Basha ka marrë 124.786 vota, Rama ka marrë 124.705, ndërsa kandidati i Partisë Komuniste të Shqipërisë, Hysni Milloshi 1.394 vota. Votat e vlefshme për kryetarin e Tiranës ishin 250.880.

20.06 Menjëherë pasi lexoi projekt-aktin, Ristani hapi votimin. Projekt-akti u kthye në akt me 4 vota nga 7. Seanca ndërpritet për të rinisur pas gjysmë ore me miratimin e tabelave përmbledhëse të ndryshuara këto ditë nga KQZ. Me miratimin pak çaste me parë të aktit që i jep të drejtë KQZ-së të ndryshojë tabelat, mund të thuhet se nuk mund të ketë më asnjë papritur tjetër: sipas KQZ-së, Lulzim Basha do të jetë kryebashkiaku i Tiranës.

19.50 Kryetari i KQZ-së, Arben Ristani, autor i projekt-aktit vendosi ta lexojë atë të plotë, gjë që po bën në këto çaste. Këtë vendim e mori “në të mirë të transparencës” dhe si “përgjigjen më të mirë për ata që janë kundër aktit”. Sipas Ristanit, ata që janë anti-akt, janë për parimin stalinist “s’ka rëndësi kush voton, rëndësi ka kush numëron”.

19.20 Sapo mbaroi fjalën e saj edhe nënkryetarja e KQZ-së, Dëshira Subashi, që e quajti absolutisht të paligjshëm projekt-aktin që po diskutohet në këto çaste në KQZ, dhe vendimet e komisionit të javës së shkuar që “ishin të njëanshme dhe të parregullta. “Sot kemi përpara një projekt-akt të ndryshuar që në emërtimin e tij, sepse në aktin e parë u fol për bashkinë e madhe, sot përfshihen të gjitha njësitë zgjedhore të Tiranës. Ky projekt-akt është i veçantë edhe për mënyrën se si është hartuar. Duke dashur të justifikojë një veprim të paligjshëm, akti është i deformuar në kontekstin ligjor, është akt konfuz dhe kontradiktor për mënyrën se si i trajton problemet”.

“Ky akt denoncon parregullsinë e vendimmarrjes së KQZ-së. Neni 33 i Kodit Zgjedhor flet për detyrat e KZAZ-ve. Nuk ka asnjë lidhje me vendimmarrjen e KQZ-së. Në 10 njësi zgjedhore të Tiranës rezultati zgjedhor ka vendimmarrje. E vetmja që nuk ka është njësia 49 e cila i është drejtuar për vendimmarrje KQZ-së . Kryetari nuk thirri mbledhjen për ta bërë këtë mbledhje, unë dhe kolegu im e kërkuam, por ende sot nuk është zhvilluar. A nuk është kjo një fakt i vendimmarrjes së një anshme.”,- tha Subashi.

Anëtari opozitar i KQZ-së, Pandeli Varfi, u shpreh se shqetësimet nisën, rregullat u ndryshuan dhe u vendos standarde të reja në zgjedhje, menjëherë pas projektimit të rezultatit nga kutia e fundit. Sipas tij, KQZ duhet të kishte dhënë porosi që të vazhdohej me rregullin që ishte ndjekur deri në ato momente, nxjerrja e pavlefshme e fletëve të hedhura në kuti të gabuara. Ai tha se akti ka dy karakteristika, “së pari ishte i panevojshëm dhe e dyta ky akt është diskriminues sepse në momentin kur fillon të funksionojë në vendin tonë janë numëruar më shumë se gjysma e kutive”.

Kodi Zgjedhor në situatën e sotme, shtoi më tej ai, përcakton në mënyrë kapitale që s’mund ta anulojë asnjëri: “Rezultati del nga numërimi i kutive për kryetar bashkie në Tiranë. Kodi nuk lë rrugë tjetër”.

Artan Lazajanëtari i KQZ i zgjedhur nga opozita,  theksoi se projekt-akti i paraqitur nga KQZ është akt normativ dhe për këtë arsye duhet të ishte paraqitur më parë. “Ky akt kërkon vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara për kryetarin e bashkisë dhe për kryetar njësie dhe për këshillat bashkiak. Ai është akt normativ dhe si i tillë të ishte miratuar 6 muaj para fillimit të ditës së votimit”, tha mes të tjerash Lazaj.

Përfaqësuesi i LSI në KQZ, Ylli Manjani, deklaroi se veprimi i KQZ-së për rinumërimin e fletëve të kontestuara ishte vendimi i duhur sepse kështu vihet mbi të gjitha interesi i votuesit. “KQZ kishte dy mundësi: ose ta injoronte këtë fakt, duke shkelur barazinë e votës ose të gjente një zgjidhje dhe ju zoti kryetar e gjetët një zgjidhje pavarësisht se u kundërshtua. Vota meriton të shkojë në destinacionin e duhur”,  theksoi Manjani.

Sipas Njazi Kosovastrit, anëtar demokrat i KQZ-së, është e vërtetë e kundërta: “KQZ ka bërë ka bërë të mundur vetëm vlerësimin e votave të qytetarit në bazë të rregullave, pasi ajo ndodhi nga një gabim njerëzor”. Ai solli në vëmendje se nga viti 2009 PS ka bërë protesta që ajo të shihte votën e saj, tashmë sipas Kosovrastit, ajo po bie në kundërshtim me ato që ajo vetë ka kërkuar. Për dy vjet rresht nga viti 2009, PS e çoi vendin drejt situatave të pakëndshme në bazë të një kërkese “Dua të shoh votën time, ndërkohë që sot thotë nuk e dua as votën time”,- solli në vëmendje Kosovrasti.

 “Ne vendosëm që vota të vlerësohet dhe numërohet, Kodi ka bërë kujdes për votën e qytetarit. Ai thotë që qytetari kur voton gabim vjen kthehet dhe i kërkon komisionit një fletë tjetër, po e bëri përsëri nuk ja jep. Vijmë në rastin konkret ashtu siç gabon në fletën e votimit kur shënon për kandidatin ai gabon edhe në hedhjen e kutisë së gabuar, por ky gabim nuk rregullohet në vend, ndaj meqenëse gabimi ishte njerëzor. KQZ vendosi që vota e qytetarit të numërohet” u shpreh ai.

Përfaqësuesi ligjor i PS Genci Gjonçaj ka argumentuar se  projekt-akti i propozuar ka probleme si në formë ashtu edhe në përmbajtje, madje sipas tij KQZ ka kryer vendime të jashtëligjshme. Përsa i përket formës, akti është normativ e si i tillë kishte nevojë për vendim të marrë me pesë vota e jo me katër. Përsa i takon përmbajtjes, projektakti nuk është tjetër veçse një përpjekje e KQZ-së për të argumentuar me baza historike dhe teorike vendimmarrjen e tij, por vendimi është konfuz dhe i pavërtetë. Për më tepër, projekt-akti që paraqitët sot është i ndryshëm nga ai që u paraqit më 17.5.2011. “Fillimisht flitej për votat e panumëruara, sot fitet për votat të kontestuara dhe të shpallura të pavlefshme nga KZAZ-të”. Gjithnjë sipas Gjonçajt, ndryshimi i tabelave të KZAZ-ve nga KQZ me 4 vota ishte një akt i paligjshëm. “E vetmja detyrë që kishte KQZ ishte të nxirrte rezultatin përfundimtar nga ajo e tabelave të KZAZ-ve dhe ta bënte jo më vonë se 48 orë’,- theksoi Gjonçaj.

KQZ: MBLEDHJA PËR DHËNIEN E REZULTATEVE TË TIRANËS NË ORËN 17.00

15.30 KQZ shtyn për në orën 17.00 mbledhjen e saj për dhënien e rezultatit të Tiranës. Pasi e kishte shtyrë disa herë këtë mbledhje, e nisi në orën 14.00, por anëtarët përfaqësues të  PS-së, kërkuan 24 orë kohë për shqyrtimin e materialit prej 60 faqesh, që ka të bëjë me aktin normativ dhe vendimin për fletët e panumëruara, mbi bazë të të cilave do të përpilohet tabela përmbledhëse përfundimtare për Tiranën. Por kryetari i KQZ-së u ka dhënë vetëm tre orë kohë dhe vendosi të shtyjë për në orën 17.00 mbledhjen për votimin e aktit normativ.

Gjithsesi beteja për rezultatin e Tiranës nuk do të mbarojë sot. Ndërsa paradite KQZ ka përditësuar faqen e saj duke përfshirë në të edhe rezultatin e kutisë së fundit të numëruar nga KZAZ-të, dhe që nxjerr fitues Ramën me 10 vota, është mëse e qartë se rezultati që komisioni do të japë pasi të marrë në konsideratë kutitë që ka numëruar vetë dhe ndryshimet në tabelat përkatëse do të nxjerrë fitues Bashën me 78 vota mbi Ramën. Me siguri, vendimi i KQZ për numërimin e votave të hedhura në kutitë e gabuara do ta marrë verdiktin mbi vlefshmërinë e tij ligjore në Kolegjin Zgjedhor.