Kultivimi i marihuanës në Shqipëri, GdF zbulon 1368 parcela - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Përfundon misioni italian i fluturimeve i Guardia di Finanza-s mbi territorin shqiptar për zbulimin e tokave të mbjella me kanabis. Policia shqiptare ka shkatërruar 700 mijë bimë që, të shitura me pakicë në tregun evropian, do të kishin sjellë fitime deri në 7 miliardë euro

Tiranë, 3 tetor 2015 – Përfundon  misioni italian i fluturimeve me avionë të posaçëm të Guardia di Finanza-s për lokalizimin e parcelave të kultivuara me bimë narkotike në territorin e Shqipërisë.

Sipas një komunikate shtypi të Policisë shqiptare, falë angazhimit të avionëve të specializuar të GdF në bashkëpunim me Universitetin e Napolit, gjatë misionit të këtij viti, nga qershori deri në fund të shtatorit, janë kryer 36 fluturime, janë zbuluar 1.368 parcela të mbjella me kanabis. Gjithnjë sipas Policisë shqiptare, falë informacioneve nga pala italiane, ajo ka ndërhyrë në 99,6% të parcelave duke shkatërruar rreth 700 mijë bimë në të gjithë territorin e vendit. Sasi kjo, që e shitur me pakicë në tregun evropian, do t’u sillte narko-trafikantëve fitime për rreth 7 miliardë euro.