Kur plasi gjylja e madhe{br}15 mars 2008, ora 11.50 - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Punëtorë, bujq, dasmorë...Njerëz të thjeshtë,  në orët dhe minutat e një dite të zakonshme që do të  shndërrohej në një makth të paharrueshëm

Më 16 mars dikush lajmëroi në Vorë se po vinte një shpërthim, më i madh se një ditë më parë në Gërdec. Familjes së Ikbales, e Ramazanit, Ruzhdiut e shumë e shumë fshatarëve, nuk u bëri asnjë përshtypje. Më shumë se ajo që u ndodhi më 15 mars nuk kishte se ku të shkonte. U kthyen të shikonin ç’kishte mbetur nga tmerri.

Ismeti, gruaja, djemtë, me makinën e një mikut të tyre, që kishte ardhur për t’i parë në Vorë, mbërritën në Tiranë duke mbledhur vetëm pak sende të nevojshme. Lekët e xhiros së merkatës së tij, 48 vjeçari, i fshehu në kasafortën shtëpiake...që e kishte për dreq pa çelës. Ikën të gjithë. Kurse, ushtria dhe policia morën në dorë Gërdecin gërmadhë.

Një ditë më parë shpërthimi i Gërdecit, familjes së Ismetit i ka thyer të gjithë fasadën e merkatës dhe berberhanen e djalit. Shumica e skamnorëve nga Gërdeci, matanë rrugës, janë borxhlinj tek ai. Tani pak rëndësi ka. Hajdutët plaçkisin të qetë...

15 Mars 2008

Ora 05.30

Shtëpia 300 metra nga uzina e vdekjes - Ikbale Alliu, 47 vjeç, u ngrit fiks të shtunën e një jave më parë më 05.30. U shtriq dhe pak në krevat. Pastaj, deri në orën 06.00 i bëri përtesë ngritjes. Pak më vonë, pasi mbaroi gjërat më të nevojshme u la dhe shkoi të milte lopën. Hodhi një sy nga dhoma matanë. Të tre djemtë ishin në gjumë. Më i vogli i ka lënë porosi se do të shkojë diku. Duhet ta ngrejë para orës 08.00. Bash në të njëjtën orë, ajo bashkë me fqinjën poshtë shtëpisë, u duhet të shkojnë në një vaki në Maminas. Duhet të mbërrijnë dhe pastaj të kthehen herët. Është zgjuar dhe i shoqi, ndërsa i duhet të shkojë tek një kushëri i sëmurë në një spitalin në Tiranë. Dy djemtë e tjerë do të rrinë në shtëpi. Pas vdekjes së vjehrrit dhe vjehrrës ka menduar që shtëpinë e thjeshtë, me dy dhoma, një dhomë fjetjeje, ta përshtatë për djemtë. Dy të mëdhenjtë janë të fejuar. Burri nuk punon, por ka ngritur një kolibe, anës shtëpisë, ku shet mallra të përgjithshme. Në 5-6 dynymët e tokës ka mbjellë pak gjëra sa të marrë një thes me patëllxhan dhe speca. 2 dynymë të tjerë janë me jonxhë...Djemtë punojnë. I vogli ka qenë disa kohë në Uzinën, që është përballë. Iku. S’i pëlqeu.

Restoranti 400 metra nga uzina  - Kuzhinieri, që punon në restorantin e ri të Fatmirit në qendër të fshatit, ka një ditë të lodhshme. Nuk është zgjuar ende. Ka një dasmë në Gërdec dhe do ketë bajagi njerëz. Ka llogaritur një ditë të lodhshme.

Shtëpia 500 metra larg - Ramazani, 60 vjeçar nuk është zgjuar akoma në Bërxull. Do shkojë nga paraditja tek e bija në Gërdec, të cilën e ndihmon nga pak. Kohë më parë ka vrarë aksidentalisht të shoqen. Shoferi është i traumatizuar nga jeta, nga pamundësia. Dhëndri ka marrë borxh dhe ka bërë një punishte duro-alumini në fshat. Burri do të merret me fëmijët e vajzës, sot, që i jep vazhdimisht një dorë.

Shtëpia 150 metra nga uzina - Ruzhdiu nuk ka punë sot. Po fle i qetë. E zgjon pak fëmija e vogël, por sërish koten të dy në gjumë. Gruaja është lodhur dhe dje ka punuar me gjërat e shtëpisë. I duhet të shikojë makinën, por puna pret. Është në ditë pushimi. Do rehatohet pak...Javë e lodhshme e pret.

Në fshat kanë filluar të këndojnë gjelat e parë,vetëm se koha nuk duket e mirë. Kalojnë re mbi fshat, disa syresh të errëta. Më të moshuarit janë ngritur në ditën e re me dhimbjet e kockave. Kurse shumë prej të rinjve që punojnë në uzinën e municioneve kanë filluar ditën e re të punës. Në një apel, që do të lexohet më vonë, në një shtab emergjence 125 prej tyre, sot paradite do të jenë në uzinën e armëve. Askush nuk di gjë të saktë për qëllimin e saj. Fshatarët i shikojnë makinat, por nuk flasin. U duhen lekët. Në një turn, çdo syresh merr 500-1000 lek. Në fakt është një si biçim farkëtarie, që është e rrethuar me panele llamarine. Ka fëmijë, gra dhe kuptohet dhe burra...

Ora 08.00

Ikbalja është bërë gati. Bashkë me komshien marrin rrugën, që është sipër fshatit, për të dalë tek shinat. Zbresin poshtë fshatit. Për 15 minuta janë në rrugë. Pas pak në Maminas. Në rrugë kalojnë mbi klubin e fshatit, që është rregulluar për dasmë. Shikojnë kuzhinierin, por nuk i flasin...Bëjnë pak fjalë me njëra-tjetrën për dasmën në fshat. Ikbalja mendon sesi ka të dy djemtë e fejuar dhe i duhet tu rregullojë shpejt shtëpinë. Djemtë e mëdhenj janë 27 dhe 24 vjeç. I vogli është vetëm 15 vjeç. “Të erdhi dita ti gëzosh”, i thotë gruaja tjetër. I kthen një buzëqeshje, mirënjohje.

Kuzhineri ka lënë që një ditë më parë gati të gjithë mezet. Nuk i ndjen gratë. Ka marinuar mishin. Ka përgatitur patatet dhe fërgesën. Me të tjerët janë marrë ndihmësit. Kur të ngrihet vallja e parë i duhet të nxjerrë tavat e dheut. Nxiton pak. Është lokal i ri dhe duhet të tregojë që e justifikon punën. Do të marrë me vete dhe djalin e vogël. “Pse e mundon”- i ka thënë e shoqja. “Duhet të shikojë vetë si bëhen gjërat”, i përgjigjet. Rrugës shikon Ramazanin. E shqetëson pak nervozizmi i tij.

Ramazani ka bërë pak punët e përditshme në shtëpinë e tij në Bërxull. Është pastruar dhe pas pak do të niset tek e bija. Do të merret me fëmijët sot. Kështu mendon se e lehtëson të bijën, që lufton bashkë me dhëndrin për mbijetesën. Paguajnë shumë taksa dhe kanë borxhe. Nuk është i qetë. Ka ankth. Të jetë prej kohës vallë?! E shikon nga larg kamionin e Ruzhdiut, që zbret nga sipër.

Ruzhdiu është zgjuar me shumë përtim. Ka marrë kamionin. Nuk e tërheq shumë pika e ofiçinës, që është poshtë shtëpisë, ndaj do të dalë njëherë afër autostradës. E presin ca miq. I duhet t’i dalë para- javës së punës që në fundjavë.

Pak orë më vonë Ruzhdiu përshëndetet me Ikbalen dhe fqinjën e saj, që nguten të vinë në shtëpi, ndërkohë tutje në Gërdec bëhet dasmë. Kuzhinieri ka shërbyer antipastat, që bashkë me mjedisin i kanë dhënë hijeshi lokalit. Pak më tutje kalojnë disa makina me furnizim armatimi dhe të tjera shumë më parë. Janë mësuar. Ramazani u hedh një vështrim admirimi. E ka marrë pak malli për makinë asosh.

Ora 10.30

Vakia mbyllet. Gratë bëjnë qokat e fundit. Nisen. Ikbalja dhe fqinja duhet të jenë në shtëpi shpejt. Kjo e dyta ka dy fëmijë të vegjël. Kurse Ikbalja i ka të rritur, por se i duhet t’i menaxhojë. Zoti ‘i ndihmon’ të jenë në shtëpi në kohën e duhur. Bën një kafe dhe me të fejuarën e djalit të dytë bëjnë pak muhabet te veranda. E kishte marrë malli për të renë.

Shikojnë poshtë, ku fillojnë tingujt e parë të kitarës dhe dasmorët që vinë zhurmshëm.

Kuzhineri ka pritur dasmorët e parë. Disa të rinj po rregullojnë me ngut tavolinat. U kanë vënë një kordele të kuqe të gjitha karrigeve. Po shpërndajnë Fantat, Coca-Cola...Rakia do të vi më vonë. Kuzhinieri ka vënë fërgesën dhe antipasta e ftohtë pret gati. Duhet t’i dalë mirë, mendon. Ka ardhur dhe orkestra dhe po bën përgatitjet. Perkusioni është gati. Tinguj të hareshëm elektrikë i ngjiten qiellit, që mbetet indiferent.

Ramazani, që e ndjen këtë mjedis dasme, sapo ka mbërritur në shtëpinë e të bijës ka marrë situatën në dorë. E ndihmon shpesh, në fakt. Prej 17 vjetësh i është bërë vajzës, që i duhet të mbulojë dhe një borxh prej 20 milionë lekësh. I mban fëmijët por edhe dhëndrit i gjendet shpesh. I vjen keq për sakrificën e tij. I paguan shumë shtetit dhe nuk është fare i qetë. Që nga fatkeqësia që i ka ndodhur, shpirti nuk i gjen rehat. Pak më tej, dikush martohet. Nuk është se i hyn shumë në punë. Dhe, ai është martuar njëherë.

Ruzhdiu, që është ulur matanë rrugës, po flet me disa miq... për dasmën. Është fare i qetë. Nuk ka punë atë ditë dhe në shtëpi ka lënë të vetëm babanë, vëllanë me gruan dhe fëmijët e tij. Gruaja e vëllait është shtatzënë. Nusja e tij bashkë me dy fëmijët.

Jo shumë larg tyre në uzinë punët nuk janë mirë. Një incident, që ka të ngjarë mos të zbardhet kurrë, ka ndodhur. Punëtorët janë në panik. Ikin mbrapsht dhe makinat me municion, që kanë ardhur për t’u shkarkuar.

Ora 11.45

Befas. Errësohet. Tundet dheu. Tmerr. Dëgjohet një shpërthim i madh. Është i pari. Vjen një valë e madhe goditëse. Ankthi pushton. Pak minuta më vonë, shikohen njerëz që vrapojnë. Të parët nga uzina. Zhurma. Ulërima. “Sefte isha te veranda. I thashë djalit të madh të dalim nga shtëpia. Erdhi komshija bashkë me një fëmijë. Kam dhe një fëmijë tjetër sipër, më tha”, kujton Ikbalja.

Flaka e parë duket bajagi e tmerrshme. “I thashë nuses së vogël nisu dhe merr fëmijën e komshies dhe ajo erdhi dhe mori dhe të dy fëmijët. Ikëm”. I kap një panik i patreguar. E kanë përfolur disa herë “uzinën” tutje. Lë bukën në zjarr, i derdhet kafja. E pushton tmerri. Dasma ka filluar ahengun, por zhurma i ngrin. Thyhen xhamat. Kuzhinerit i mbeten pjatat e fërgesës në dorë. Ka llogaritur që t’i shërbejë rreth orës 12.00, por zhurma e ka kapur të shtangur. Ka marrë fëmijën e tij dhe e ka futur në një cep. “Më mirë të shpëtojë ky ka thënë”. Ka ndjerë tmerrin e vërtetë. Vala ka thyer xhamat e makinave para dhe i ka trandur dasmorët, që janë përplasur kudo keq. Panik. Të gjithë bien mbi njëri-tjetrin. Ramazani, 100 metra tutje dasmës, del dhe nxjerr fëmijët. Zhurmë dhe nuk e kupton pse është ndalur muzika. Kanë filluar njerëz të ikin. Kalojnë makina. Nxitojnë të gjithë. Ik. Të ikim, dëgjohen kudo. Ka marrë edhe ai ç’të mundet. Nga lokali vinë shumë njerëz. Të tjerë kanë mbetur aty të shokuar. Nusen e largojnë. I kalojnë para syve. Ruzhdiu, teksa shikon nusen dhe dasmorët, që ikin, shtanget një moment. Pastaj merr makinën dhe afrohet në shtëpi menjëherë. Ruhet që të mos përplasë rrugës. Po i shkon vetë vdekjes. Vëllai i madh e di se sot duhet të jetë në punë në të ashtëquajturën Uzinë. Fëmijët dhe gratë janë në shtëpi. “Rreth orës 12.00 pashë flakë në repartin ushtarak dhe u nisa me shpejtësi këtu, se e dija që kisha vëllanë tim atje. Por ai nuk ishte në atë ditë..U futa në terrenin ku kishte tashmë forca policore dhe kur erdha të merrja njerëzit e familjes i mora në kamion, të gjithë”, rrëfen orë më vonë me fytyrën e plagosur.

Gërdeci është në panik. Kanë ikur disa makina që do të derdhnin ngarkesën e tyre me armatime. Rendin të gjithë. Nusja, fëmijë, pleq, të rinj. Qielli errësohet më tej. Një shtëllungë me forma të llahtarshme u rri mbi kokë. Po afron kataklizma.

Ora 12.12 e përtej

Ora e shtëpisë së Ikbales mbetet këtu. Përbindëshi i zjarrit ngjitet mbi shtëpinë e saj. Të gjitha që ka dëgjuar nga fëmijëria, thënie, përrallat, feja i bëhen njësh. Ikën. Në fund ndalet fare pak. “I thashë djalit të madh që më shpëto lopën”. Ai nuk mund të hyjë, ndërsa vritet në sy. Rrugës i bie një këpucë . Mbetet e vetme. Minuta më pas i gjen sërish të vetët. Mbërrin gjysmë e shpërfytyruar te Ura e Limuthit...(fillon e qan). “Djali tjetër, i dyti, më doli para dhe i kërkova dhe djalin tjetër”. I treti nuk është. Takohen të gjithë më vonë te Ura e Limuthit. Humbasin koncepti e kohës. Dy shokë të birit mbërrijnë nga Fushë-Kruja dhe pastaj me celular, gjejnë se ku ishte edhe djali tjetër. Disa komshinj e kanë marrë në Domje. Mbrapa, në dyqanet te hekurudha, te Autostrada. “Zoti, Zoti- pëshpërit. Prej atje më ka çuar një shok i djalit bashkë me fëmijët e vegjël të komshies në Domje. Atje kam qëndruar dy orë”. Tek Ura e Limuthit ka mbërritur edhe burri nga Tirana. Pak minuta më vonë, i vëllai e ka marrë në Budua të Fushë-Krujës nga ku ka edhe origjinën. Fqinja shkon tek i biri në Tiranë. Të gjithë komplet ikin. Por nga Delitë nuk kanë parë kënd. Orë më vonë do marrin vesh se janë shuar. Tv-të flasin vetëm për ta. “Kam qenë këtu dhe jena tur dhe kena ik. Në vend të iknim në Tiranë ikëm në Durrës. Ikëm në Shijak. Gjithçka na kapi te hekurudha. Shyqyr që ishte e vogla dhe pastaj erdhi bubullima e atij kriminelit”, kujton Ramazani, që vetëm bërtet, dy ditë më vonë. Ruzhdiu ka çarë mes njerëzve dhe nuk ka pyetur. Përballë i vinte një kamion. E ka shmangur. “Pasi hypa në kamion ndodhi shpërthimi i parë dhe nga fuqia e shpërthimit u përplas në fytyrën time, pastaj e ktheva kamionin në Vorë. Nga shpërthimi i parë deri në shpërthimin e tretë ka një farë kohe. Ajo ishte që ka shpëtuar edhe shumicën e njerëzve. Në dasmë është bërë katrahurë. Kuzhinieri është futur në një kthinë. Vala e madhe goditëse e shpërthimit ka goditur dhe ka lënë të rënë një nga muzikantët. Shtrihet pas shtyllës. Të tjerët, sipër njëri-tjetrit. Buka është e lyer me gjak kurse tavolinat janë përplasur të gjitha përballë.

Ben Andoni, Mapo