Kush është Hashim Thaçi - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Profili i Presidentit të ri të Kosovës

Prishtinë, 27 shkurt 2016  Presidenti i sapozgjedhur i Kosovës, Hashim Thaçi lindi më 24 prill 1968 në Burojë të Skënderajt. Pas fitores së Partisë Demokratike të Kosovës në zgjedhjet parlamentare të 17 nëntorit 2007, Hashim Thaçi u zgjodh Kryeministër i Qeverisë së Kosovës, më 9 janar 2008.

Me 17 shkurt 2008, Kryeministri Hashim Thaçi në Kuvendin e Kosovës shpall Kosovën shtet të pavarur, sovran dhe demokratik. Hashim Thaçi është kryeministri i parë i Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Gjatë procesit negociator (2005 – 2007), të udhëhequr nga i dërguari i Posaçëm i OKB-së, Presidenti Martti Ahtisaari, Hashim Thaçi ishte anëtar i Ekipit të Unitetit. Dokumenti i Ahtisaarit rezultoi me propozimin gjithpërfshirës për pavarësinë e Kosovës.

Gjatë Konferencës Ndërkombëtare për Kosovën, të mbajtur në Rambuje të Francës, (6 – 22 shkurt 1999) Hashim Thaçi ishte Kryesues i Delegacionit të Kosovës. Konferenca përfundoi në Paris më 18 mars 1999, ku pas nënshkrimit të palës shqiptare, iu hap rruga ndërhyrjes ushtarake të NATO-s për Kosovën.

Hashim Thaçi është ndër themeluesit kryesorë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (1992). Gjatë viteve të luftës, ishte drejtues politik i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Që nga marsi i 1999 deri në janar të viti 2000, Hashim Thaçi ishte Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës (Qeveria e Unitetit). Në këtë periudhë zhvilloi aktivitet të dendur politik dhe diplomatik në qendrat kryesore botërore, në SHBA dhe Evropën Perëndimore.

Në jetën politike fillimisht angazhohet në Lëvizjen Popullore për Republikën e Kosovës në vitet 1989 – 1993, (LPK). Ishte lider i Lëvizjes studentore në vitet 1990 – 1993.

Pas themelimit të UÇK-së, policia serbe dështon në përpjekje për ta burgosur më 1993. Gjykata serbe e Prishtinës më 1997, Hashim Thaçin dhe një grup pjesëtarësh të UÇK-së, në krye me Adem Jasharin, i gjykon në mungesë me shumë vite burg.

Në vitin 1991, Hashim Thaçi zgjidhet prorektor student i Universitetit të Prishtinës. Pas largimit të dhunshëm të studentëve dhe mësimdhënësve nga objektet universitare, punon për ngritjen dhe strukturimin e arsimit universitar. Në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Prishtinës, më 1993, Hashim Thaçi, përfundon studimet në Degën e Historisë.

Në Universitetin e Cyrihut në Zvicër (1996), i ndjek studimet postdiplomike në lëmin e Historisë së Evropës Juglindore dhe shkencave politike, deri në fillim të vitit 1998.

Gjatë periudhës së qëndrimit të tij në Perëndim, Hashim Thaçi shpesh herë kthehet ilegalisht në Kosovë, për t’i forcuar formacionet e UÇK-së në terren.

Pas luftës, si Kryeministër i Qeverisë së Përkohshme të Kosovës, Hashim Thaçi udhëhoqi negociatat me faktorin ndërkombëtar dhe është nënshkrues i Marrëveshjes për transformimin e UÇK-së, në Trupat Mbrojtëse të Kosovës (TMK).

Me fillimin e punës së Këshillit të Përkohshëm Administrativ (KPA), si strukturë e përbashkët qeverisëse me misionin e OKB-së në Kosovë (UNMIK), ishte anëtar i këtij Këshilli prej janarit 2000, deri në zgjedhjet e para parlamentare 2001.

Në tetor të vitit 1999 themeloi Partinë e Progresit Demokratik të Kosovës (PPDK), ndërsa në Kuvendin e Parë Zgjedhor (2000), Hashim Thaçi zgjidhet kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, (PDK).

Hashim Thaçi u rizgjodh kryetar i PDK-së edhe në Kuvendin e Dytë (2002) dhe të Tretë Zgjedhor (2005). Në tri legjislatura të Kuvendit të Kosovës është zgjedhur deputet.

Është lider politik me numër më të madh të votave në zgjedhjet e fundit parlamentare në Kosovë. Prej vitit 1999, z. Hashim Thaçi ka afirmuar dhe mbrojtur çështjen e Kosovës me shumë ligjërata dhe fjalime, në dhjetëra universitete dhe institute prestigjioze të vendeve Perëndimore.

Në shtypin vendor, rajonal dhe atë ndërkombëtar ka botuar shkrime dhe artikuj të shumtë. Flet gjuhën angleze dhe atë gjermane. Jeton në Prishtinë, me gruan Lumnijen dhe djalin, Endritin.