Kuvendi miraton ligjin e vetingut - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Ligji mori në parlament 88 vota. Opozita braktisi sallën në çastin e votimit sepse e konsideroi antikushtetues projektligjin

Tiranë, 31 gusht 2016 – Kuvendi, në një seancë të jashtëzakonshme plenare, miratoi të martën (30 gusht), me 88 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim projektligjin “Për rivlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, i njohur ndryshe si vetingu, i cili parashikon të vlerësojë përgatitjen profesionale, integritetin moral, si dhe të zbulojë shkallën e pavarësisë së gjyqtarëve dhe prokuroreve shqiptare nga ndikimi i krimit të organizuar, korrupsionit dhe pushtetit politik.

Ligji u miratua vetëm me votat e maxhorancës, pasi deputetët e opozitës u larguan nga salla para hapjes së votimit, në shenjë kundërshtimi ndaj pr/ligjit, të cilin e konsideruan antikushtetues. 
E vetmja votë abstenuese ishte ajo e deputetit Vangjel Dule, kryetar i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut.

Ligji, i organizuar në 71 nene, parashikon që procesi i rivlerësimit të përfshijë kontrollin tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve në 3 komponentë: pasuritë e gjyqtarëve, prokurorëve dhe subjekteve të tjera; zbulimin ose identifikimin e lidhjeve të tyre me krimin e organizuar, vlerësimin e punës së kryer, si dhe aftësitë e tyre profesionale.

Nëse rezultati përfundimtar i njërit prej komponentëve ose vlerësimi tërësor i të treve rezulton i pamjaftueshëm, Komisioni ose Kolegji i Apelimit do të vendosin detyrimin e subjektit që rivlerësohet të ndjekë programin e posaçëm për riaftësim pranë Shkollës së Magjistraturës për një vit.

Nëse subjekti merr vlerësim negativ, këto organe vendosin deri në largimin nga detyra. Në këtë mënyrë ky ligj do të kryejë për herë të parë një vlerësim tërësor të gjyqtarëve dhe prokurorëve dhe pritshmëritë janë rritja e përgjegjshmërisë profesionale dhe etike e të gjitha subjekteve që do të rivlerësohen e për rrjedhojë përmirësimi i cilësisë së gjithë sistemit të drejtësisë.

Lexo edhe:
Risitë e reformës në organizimin e sistemit të drejtësisë shqiptare
7 ligjet e domosdoshme për vënien në jetë të Reformës në Drejtësi