Lindita Halimi me “Botën” e saj do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurosong 2017 - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Video e këngës fituese e festivalit të këngës në RTSh

Lindita Halimi me këngën “Botë” (me tekst të Gerard Xharit, muzikë e orkestrim të Klodian Qafokut) u shpall fituese e Festivalit të 55-të këngës në RTSH që u mbajt më 21-23 dhjetor në Tiranë. Ajo mori unanimisht votat e jurisë së specialistëve dhe publikut nëpërmjet Facebook-ut, duke fituar kështu të drejtën të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision që do të mbahet në Kiev të Ukrainës, në datat 9, 11 dhe 13 maj 2017.

Çmimi i parë i Lindita Halimit, ndiqet nga Genc Salihu me çmim të dytë dhe Dilan Reka në vend të tretë. Edhe dy çmimet e tjera do të shkojnë në “Eurosong” si pjesë e delegacionit.

Nata e tretë finale e Fest ’55 në RTSH ka pasur çaste befesuese dhe emocionuese.

Kështu, për herë të parë në Shqipëri me teknikën e halogramës u shfaq ikona e muzikës shqiptare Vaçe Zela, me hitin e saj “Moj e bukura Shqipëri”. E konsideruar këngëtarja më e madhe e muzikës së lehtë shqiptare, Vaçe Zela, me karrierën e saj të shtrirë në disa dekada, ka lënë gjurmë të pashlyeshme tek publiku. Ajo u nda nga jeta në moshën 75-vjeçare. Shfaqja vërtet magjike u duartrokit gjatë nga publiku.

Një tjetër moment i bukur ishte prania në skenë e sopranos me famë botërore Inva Mula, e cila risolli edhe njëherë në kujtesën e publikut këngën e babait të saj, artistit të njohur Avni Mula, “Shqipëri o vendi im”.

Duartrokitje solli edhe një kolazh i përzgjedhur nga këngët e festivaleve ndër vite në RTSH kënduar nga Ledina Çelo dhe Sidrit Bejleri.

Përveç votave të publikut, një traditë e rikthyer kjo në Festival, këngët u vlerësuan nga juria qendrore që gjendej në sallën e Pallatit të Kongreseve, e përbërë nga këngëtarja Vikena Kamenica, regjisori Altin Basha, këngëtarja Alma Bektashi, kantautori Vlashent Sata, autori Arben Duka dhe sopranoja Inva Mula.

Dhe veç jurisë në sallë, këtë herë dhanë votën e tyre edhe disa personalitete të tjera të muzikës. Elsa Lila, Nertila Koka, Adelina Ismaili, Anjeza Shahini dhe Agim Krajka ishin pesë emrat e mirënjohur të muzikës shqiptare që dhanë gjithashtu votën etyre. Por këta nuk ishin të vetmit që vendosën për “fatin” e këngës së këtij viti. Juria e natës finale ishte e ndryshme nga ajo e dy netëve të para. Dy juritë e natës së tretë patën një rezultat të ndryshëm nga votat e publikut, që zinin 40% të rezultatit përfundimtar.