Liria e shtypit. Shqipëria në përmirësim, por ka akoma rrugë për të bërë - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Për “Reporterët pa kufij”, ndër 180 vende, Shqipëria renditet e 76-ta, 6 vende më lart se një vit më parë. Edhe Italia është shumë më mirë se një vit më parë, por mbetet më keq se shumë vende të tjera të BE-së

Romë, 27 prill 2017 – Organizata “Reporterët pa kufij” rendit Shqipërinë mes vendeve me përparim të lehtë në aspektin e lirisë së shtypit, ndërkohë që në shkallë botërore vlerëson se është shënuar një “rënie e thellë dhe shqetësuese” e lirisë së medias. Sipas saj, me rënien e shkallës së demokracisë, retorikën helmuese, ndikimet e drejtpërdrejta dhe të tërthorta politike dhe shtimin e udhëheqësve autoritarë në botë, po rritet numri i vendeve ku liria e medias është më e kërcënuar se kurrë. Në vendet e para, si çdo vit renditen shtete të Veriut të Evropës si Norvegjia, Suedia, Finlanda, Danimarka dhe Holanda, në të fundit Kina, Siria, Turkmenistani, Eritrea dhe në të fundit fare, të 180-tin, Korea e Veriut. Italia renditet në vend të 52-të, shumë më mirë se një vit më parë, por gjithsesi “Reporterë pa kufij” vëren se ka akoma gazetarë italianë të kërcënuar, të frikësuar, të provokuar verbalisht e fizikisht apo nën presion të politikanëve, grupeve mafioze apo organizatave kriminale.

Këtë vit Shqipëria renditet në vendin e 76-të, ndryshe nga një vit më parë kur ishte në vendin e 82-të. Në komentin për vendin tonë, me titull “Rruga drejt BE-së është e gjatë” shkruhet: “Shqipëria mund të bëjë edhe më mirë, siç shkruhej nëpërfundimet e raportit vjetor të Komisionit Evropian në fund të vitit 2015 për këtë vend kandidat për pranim në BE. Duhet të zbatohet më mirë legjislacioni që garanton lirinë e fjalës, thanë ekspertët e BE. Shpifja është e dënueshme me gjobë dhe jo me burgim siç ka qenë deri në vitin 2012. Pavarësisht nga ligjet mbi të drejtën e informimit të miratuara në vitin 1999 dhe 2014, qasja në informacionin shtetëror vazhdon të jetë e kufizuar dhe Autoriteti i Mediave Audiovizive, AMA, është i politizuar”.

Kosova radhitet e 82-ta, ndryshe nga një vit më parë kur ishte radhitur në vendin e 90-të.

Nga vendet e rajonit, renditen më mirë se Shqipëria e Kosova, Bosnja dhe Hercegovina që gjendet në vendin e 65-të, e pasuar nga Serbia në vendin e 66-të dhe Kroacia në vendin e 74-të. Mali i Zi zë vendin e 106-të ndërsa Maqedonia është radhitur në vendin e 111-të.

Ndër vendet me progres të lartë gjejmë Italinë që nga vendi i 77-të i vitit  të shkuar është ngjitur në vend të 52-të. Por nuk është asgjë për t’u mburrur për një vend të zhvilluar të BE-së ku akoma “gjashtë gazetarë jetojnë nën mbrojtjen e forcave të rendit sepse janë të kërcënuar me vdekje nga mafia apo grupe fondamentalistësh”, ku “ka politikanë si Beppe Grillo i Lëvizjes 5 Yjet, që nuk ngurron të publikojë emrat e gazetarët që nuk i pëlqejnë”, ku “gazetarët ndihen nën presion nga politikanët dhe gjithnjë e më shumë zgjedhin të vetëcensurohen”, ku “gazetarë, veçanërisht në kryeqytet dhe në jug të vendit, thonë se ata ende i nënshtrohen presionit nga grupet mafioze dhe bandat kriminale vendase”, ku “sipas një ligji të ri, shpifja ndaj politikanëve, gjyqtarëve apo nëpunësve civilë ndëshkohet me dënime prej gjashtë deri në nëntë vjet burg”.