Luiza Gega, nënkampione e Evropës në Atletikë, e injoruar nga shteti shqiptar - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Nënkampionia e Evropës mbërriti të hënën në Aeroportin e Rinasit ku e pritën vetëm disa dhjetëra miq, të afërm e simpatizantë. As kryeministri, as ministrja e Mbrojtjes apo e Kulturës

Tiranë, 13 korrik 2016 - Luiza Gega është një emër që pakkush e njihte deri pak ditë më parë, kur ajo u shpall nënkampione e Europës në Holandë.


Gega fitoi medaljen e argjendtë në garën e 3000 metrave në Kampionatin Evropian të Atletikës në Amsterdam. Ajo u rendit në vendin e dytë në finalen e garës së 3000 m me pengesa për femra pasi e ndali kronometrin në kohën 9:28.52 duke thyer me rreth 4 sekonda rekordin kombëtar në këtë disiplinë, pasi ka përmirësuar kohën që ajo vetë kishte vendosur më parë me kohën 9.31.

Kjo ishte hera e tretë që Luiza Gega provoi të zhvillojë një garë të tillë shpejtësie dhe rezistence njëkohësisht, pas Golden Ligës së zhvilluar në Paris dhe kampionatit kombëtar në Shqipëri. Kjo nuk ka qenë disiplina e preferuar e Gegës, e cila më parë konsiderohej një atlete e shpejtë dhe rezistente, por puna muajve të fundit me trajnerin e saj Taulant Stërmasi ka dhënë frutet në një disiplinë relativisht të vështirë. Gjithsesi atletja shqiptare arriti të kalojë finishin e dyta pas kampiones së Europës, gjermane Krause. Në të njëjtën disiplinë, pra në garën e 3000 metrave me pengesa Luiza Gega do të marrë pjesë edhe në lojërat geg1olimpike të Rios, që do të zhvillohen në gusht të këtij viti.

Luiza Gega, efektivi i Forcave të Armatosura ka ngritur lart emrin e Shqipërisë në gara të ndryshme europiane dhe botërore. Ajo është kampione dhe rekordmene e atletikës. Gjatë 10 viteve të fundit ajo është kampione e Shqipërisë në 800 metra, 1500 metra, 3000 metra. Gjatë vitet të fundit me te drejtë Gega është vlerësuar si sportisja më e mirë në sportin e atletikës.

Përgjatë 5 viteve të fundit është sportistja kryesore që përfaqëson Shqipërinë në aktivitetet Europiane dhe Botërore. Këtë e vërtetojnë medaljet dhe kupat, të cilat ajo i ka renditur ndër vite në këndin e saj të fitoreve. Vetëm 5 vitet e fundit Luiza ka fituar 4 medalje Ari, 2 medalje Argjendi, 4 vende të para në Kupën e Europës, vendin e dytë në “Theart League”, nënkampione e Mesdheut, si dhe shumë medalje nëpër gara të tjera ndërkombëtare.

Tashmë ajo është bërë objekt debatesh të shumta. Kjo, për faktin e thjeshtë se sportistët nuk vlerësohen në Shqipëri, ose më keq akoma, vlerësohen me standarde të ndryshme.

Nëse futbollistëve të Kombëtares iu bë një pritje shtetërore dhe u shpërblyen me 1 milion euro, edhe pse nuk e kaluan grupin, me Luizën e kthyer nënkampione e Evropës nuk ndodhi kështu.

Ajo nuk mori shpërblim dhe nuk doli ta priste askush, përveç disa dhjetëra qytetarëve. Madje ajo vetë tregoi se nuk ka as veshjet me stemën e Shqipërisë e se i kish ardhur keq që në podium nuk kishte mbi fanellë flamurin shqiptar.

Tashmë Luiza pritet të përfaqësojë e vetme Shqipërinë në Lojërat Olimpike të Rios, që zhvillohen në gusht, por ka një problem, apo më mirë, më shumë se një. Atletja nuk ka ku të stërvitet në Tiranë, pasi edhe një pistë që ishte, ajo e “Qemal Stafës”, tani nuk ekziston më.

Ajo është e detyruar të stërvitet në Korçë, ndërsa trajneri i Gegës, Taulant Stermasi, i ka blerë vetë pengesat për garën e vrapimit.

Ai thotë se Gega të udhëtojë drejt Rios pa një fizioterapist, pa një nutriocionist dhe pa masazhator, diçka e paimagjinueshme për emrat e mëdhenj dhe shprehet i zhgënjyer që ajo nuk vlerësohet nga shteti, njësoj siç ndodhi me futbollistët e Kombëtares.