Mogherini në Tiranë, as 24 orë. Sonte thuajse të gjitha takimet - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

 

Shkurtohet vizita e Mogherinit në Tiranë e “ngjeshen” takimet për të bërë sa ishin paracaktuar

Tiranë, 3 shkurt 2016 – Për shkak “angazhimesh të papritura”, vizita në Tiranë e përfaqësueses së Lartë për Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së, Federica Mogherini, është shkurtuar ndjeshëm. Ajo nuk qëndron në Shqipëri as 24 orë. Kështu që, ndryshe nga ç’ishte parashikuar, ajo do të bëjë mbrëmjen e sotme thuajse të gjitha takimet për të lënë për nesër në mëngjes vetëm atë me kreun e opozitës Basha.

Zyra e shtypit e delegacionit të BE-së në Tiranë ka zbardhur axhendën e takimeve të Federica Mogherinit, duket theksuar se “vizita u shkurtua për shkak të një angazhimi urgjent. Programi i vizitës është përshtatur duke ruajtur pjesën më të madhe të takimeve dhe aktiviteteve”.

Mogherini do të takohet me Kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta në 18:50 dhe më pas do të flasë në Kuvend në orën 19:15 minuta. Po sot pasdite, Përfaqësuesja e Lartë e BE-së do të takohet edhe me Kryeministrin Edi Rama rreth orës 19 e 40 minuta, dhe më pas do të nënshkruhet Marrëveshja e Sigurisë në sallën e Hartave të Kryerministrisë.  Në përfundim të takimit, Kryeministri Rama dhe Znj. Mogherini do të kenë një konferencë për shtyp.

Mogherini do të takohet me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani në orën  20:40. Ndërsa mëngjesin e të premtes, para se të niset, zëvendëspresidentja e Komisionit Evropian do të takohet me kreun e opozitës Lulzim Basha rreth orës 7.00 në mjediset e Hotelit Sheraton.