Moti i keq: tre të vdekur, përmbytje, mungesë energjie elektrike dhe uji - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Kanë nisur të shtunën, por edhe vetëm për dy ditë, i ftohti dhe reshjet po gjunjëzojnë Shqipërinë.  Reshjet e dendura të orëve të fundit që kanë përfshirë thuajse gjithë vendin, kanë shkaktuar sërish përmbytje të shoqëruara me dëme të mëdha në zona të ndryshme të vendit.

Tre viktima

Sipas mediave shqiptare, rezulton se ka edhe viktima: Adil Vladi i humbur në Dibër, mund të jetë mbytur gjatë kohës kur ka shkuar për të pastruar kanalet e kullimit të HEC-eve “Lura 1” dhe “Lura 2”; Viktor Gjergji është gjetur i pajetë, kishte dalë për peshkim në Shëngjin, 51-vjeçari Niko Karaj ka vdekur nga një aksident në Elbasan, makina me të cilën ai udhëtonte ka dalë nga rruga si pasojë edhe e kohës së keqe.

Moti i keq, dëmtohen 50 shtëpi në Tropojë

Mësohet se në Tropojë janë dëmtuar çatitë e 50 banesave si pasojë e erës së fortë. Gjithashtu janë dëmtuar dhe 2 ura, që lidhin Tropojën e Vjetër me Bajram Currin dhe ura që lidh lagjen Geghysenaj-Selim. Në një deklaratë të MB-së dielën mbrëma thuhet se Komisioni i Emergjencave Civile në qark vazhdon të ndjekë situatën e krijuar nga reshjet e fundit, duke ndërmarrë edhe masat parandaluese përkatëse.

Reshjet e fundit të shiut sollën probleme të shumta edhe në Qarkun e Dibrës, ku për disa orë ka mbetur i bllokuar aksi në hyrje të qytetit të Burreli. Ky aks është zhbllokuar pas disa orësh me anë të tri fadromave.

Në zonën e Klosit, me ndërhyrjen e Bashkisë dhe Drejtorisë së Bordit të Kullimit u eliminuan pasojat e rrezikut të daljes së prurjeve të ujërave jashtë shtratit të kanalit të Klosit.

Përmbytje dhe bllokime rrugësh në qytete të ndryshme

Prej mesnatës të së shtunës, reshje të dendura shiu dhe erëra të forta kanë mbërthyer zonat në veri dhe jug të vendit. Për pasojë, në disa rrugë janë mbuluar jo vetëm nga uji per edhe nga rrëshqitje dheu. Shirat e rrëmbyeshëm kanë krijuar probleme sidomos në qytetet e Vlorës, Durrësit, Fierit, dhe po ashtu edhe në kryeqytet.

Në veri të vendit, qytetet e Kukësit dhe Tropojës dhe disa fshatra nuk kanë pasur energji elektrike. Situata më e rënduar ka qenë në zonat rurale, ku ka pasur rrëshqitje dherash dhe gurësh, duke çuar edhe në bllokimin e disa rrugëve.

Reshjet e dendura të shiut kanë kufizuar në minimum rrezen e shikimit për drejtuesit e automjeteve, duke vështirësuar trafikun dhe shtuar rrezikun nga aksidentet.

Në Vlorë, rruga për në Orikum është kaluar me vështirësi për shkak të rrëshqitjes së dherave. Ndërsa në Fier, lumi Gjanica ka dalë përsëri nga shtrati dhe ka përmbytur disa banesa.

Në qarkun e Durrësit shirat e rrëmbyera e të shoqëruara me erë të fortë lanë pa energji elektrike Sukthin, Thumanën, Gjirin e Lalzit, Xhafzotajn, Spitallën, Dervenën, Borizanin dhe zonën e Shkëmbit të Kavajës. Në Durrës janë hasur vështirësi në port: tragetet kanë patur vështirësi në ankorim, teksa njëri prej tyre ka arritur të ankorohet vetëm 24 orë pas mbërritjes.

Përmbytjet nuk kanë kursyer as Fushë-Krujën. Mësohet se dhjetëra banesa janë rrethuar nga uji, i cili arriti deri në 1 metër, ndërkohë nuk dihet ende se sa është numri i banesave të prekura. Në në rrethin e Matit janë dëmtuar rreth 150 çati të disa banesave.

Reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme dhe në aksin rrugor Burrel-Milot. Ndërsa në Shkopet ka pasur rrëshqitje të vazhdueshme inertesh.

Përmbytjet në Tiranë, disa familje nxirren nga shtëpitë. Mungesë energjie elektrike dhe uji

Situatë e rëndë edhe në kryeqytet. 23 familje u evakuuan të dielën nga Bregu i Lumit dhe Bathorja pas daljes nga shtrati i lumit për shkak të reshjeve.

Moti i keq në kryeqytet ka shkaktuar problem në furnizimin me energji elektrike, duke sjellë probleme në rrjet. OSHEE njofton se aktualisht janë të paktën 7 zona, kryesisht në zonën e Laprakës, Selitës, ish- uzinës Dinamo, por edhe në Farkë, ku ka probleme me furnizimin me energji elektrike dhe ku punonjësit e saj janë duke kryer punime në terren për të rikthyer normalitetin.

Si të mos mjaftonte mungesa e energjisë elektrike në shumë zona, të kryeqytetit sot njoftohet edhe mungesa e ujit.

Drejtoria e Ujësjellës Kanalizimeve të Tiranës njofton se për shkak të reshjeve të shiut dhe turbulencave në Liqenin e Bovilës disa zona të Tiranës do të kenë probleme me furnizimin me uji të pijshëm.

Siç mësohet nga njoftimi i UKT, zonat problematike, të cilat nuk po furnizohen momentalisht me ujë të pijshëm janë janë: Kinostudio, Zona e Xhamllikut, Allias, Pazari i Ri, 5 Maji, Laprakë, Rr. e Kavajës, si edhe Rr. e Durrësit

Stuhitë dëmtojnë rrjetin, Shqipëria pjesërisht pa drita

Stuhitë në disa zona të vendit kanë dëmtuar rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike, duke lënë pa energji zona të tëra. OSHEE njofton se, si pasojë e erërave janë prishur linjat në disa rajone, kryesisht zonat rurale, ku sistemi është edhe më i dobët.

Mëngjesin e sotëm sipas përditësimit të informacioneve nga terreni rreth 34 fidra në tensionin e lartë dhe të mesëm vijojnë të jenë me defekt, nga 192 në total, pjesa më e madhe mbulojnë me energji zonat rurale.

“Në linjat 35 kV defektet janë si më poshtë: vijon të jetë me defekt linja 35 kV Shijak – Ndroq, ka dëmtim të shkarkuesave 35 kV në n/stacionin Rrëshen dhe n/stacionin Koman, vijon të jetë me defekt linja Radhimë – Orikum, ëhstë dëmtuar një fidër në nënstacionin Elbasan 4. Në linjat e tensionit të ulët 20 kV,10 kV, 6 kV n/stacionet pa energji janë: Tiranë: Zall Bastar, Sauk, Shëngjergj, Shupal, në Durrës Shkozet, Xhafzotaj, Manzë; në Berat: Potom, Tomorricë; në Fier: Levan, Xhuherinë, Dermenas, Mifol, Selenicë , Seman; në Burrel: Gurrëz, Macukull, Zenisht, Cërrunjë, Klos; në Shkodër: Koman, Kacinar, Kallmet dhe në Korcë: Velcan, Voskopojë, Vithkuq, Miras, Pojan”, bën të ditur OSHEE.