Mungesa e domethënies së votës së shqiptarëve - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Drejtësia, legaliteti, barazia dhe Shteti i të drejtës mund të burojnë vetëm nga poshtë, nga masa e gjerë e njerëzve. Dhe shpresa ose pritshmëria në njëfarë mënyre e kuptueshme, por që nuk do të thotë e justifikueshme e shqiptarëve, që gjërat të fillojnë të ndryshojnë nga lart ose nga politika nuk ka asnjë themel ku të mbështetet përveç mentalitetit diktatorial e bindjes tashmë të ngulitur në mendje që duhet të jetë politika dhe politikanët ata që duhet të mendojnë për njerëzit e të ndryshojnë gjërat. “Po u kemi dhënë votën, duhet të mendojnë për ne” - janë këto fjalët që dëgjohen në mënyrë modeste nga shumë shqiptarë. Por në të njëjtën kohë janë fjalë që në shumë raste shprehin hipokrizi, mungesë koherence dhe dëshire e vullneti për të përballuar problemet.

Është shumë e vërtetë teorikisht që u kemi dhëne votën dhe çdo parti ose koalicion që ka fituar zgjedhjet duhet t’i përmbahet programit politik të shpalosur gjatë fushatës elektorale sepse në bazë të atij programi ka fituar zgjedhjet. Por në qoftë se pjesa më e madhe e atij programi, për të mos thënë i gjithi, nuk realizohet brenda mandatit, shqiptarët kanë detyrën civile të mos e votojnë më. Të paktën këtë mundësi e kanë në dorën e tyre. Atëherë pse gabimet e të kaluarës vazhdojnë të përsëriten? Për të mos folur pastaj edhe për Ligjin e Zgjedhjeve të miratuar para pak kohësh nga parlamenti, i cili privon njerëzit nga e drejta për të zgjedhur kandidatin dhe përforcon me tepër ndarjen ideologjike duke u dhënë edhe më shumë pushtet partive në dëm të popullit. Por si të gjitha ligjet e tjera edhe ky ligj nuk u intereson shqiptarëve.

Por ka edhe një gjë tjetër që shqiptaret nuk kanë arritur ta kuptojnë deri më sot: përgjegjësia për votën. Duhet të kuptojmë që ajo fletë në të cilën me indiferencë shënojmë një kryq ose X shpreh shumë më tepër, shpreh gjithçka jemi si individë e si popull, shpreh “kulturën tonë politike”.

Në këtë rast pyetja nuk është: “Për kë po votojmë?”.  Apo “ Për çfarë po votojmë?”. Duhet t’i harrojmë e t’i lëmë mënjanë partitë e ideologjitë boshe e të mendojmë për veten, të mendojmë për Shqipërinë, të mendojmë se si mund t’i zgjidhim problemet që na mundojnë çdo ditë, e jo të presim që dikush të na shtrijë dorën e të na nxjerrë nga gropa e tranzicionit ku kemi rënë e nuk arrijmë të gjejmë forcën e duhur për të dalë. Këtë nuk do ta bëjë askush. Secili nga ne të mendojë për impaktin që do të ketë ajo votë në politikën shqiptare e në mënyrë të tërthortë në jetën e tij personale, familjare, profesionale.

Votimi është një e drejtë e çdo shtetasi, e garantuar nga Kushtetuta e si e tillë nuk mund të ndalohet, të dhunohet dhe as të transformohet nga askush. Por eksperienca ka treguar që mund të blihet, në kuptimin më të ulët e pervers të fjalës. Eksperienca e viteve të transicionit ka vënë në dukje një fenomen te cilin unë juridikisht do ta quaja – papershtatshmërisht, me keqardhje e me një ndjenjë zemërimi brenda vetes, –  “fenomeni i transaksionit të votave”.
Me keqardhje sepse transaksionet kryhen kryesisht në fushën e tregtisë e ku vlerat njerëzore e ndjenjat nuk kanë asnjë domethënie për mbarëvajtjen e gjërave. Por me Kushtetutën është ndryshe. Në Kushtetute kjo gjë nuk mund të ketë vend. Një fenomen që evokon konceptin mesjetar të pushtetit bazuar në shkëmbimin e favoreve, por indirekt në dëm të shoqërisë. Një gjë e tillë ka ekzistuar në mënyrë të theksuar deri para pak vitesh dhe ekziston akoma, megjithëse me tipare tendencialisht të zbehura, edhe në Sicili e ne pjesën jugore te Italisë ku tregtia e votave ndërmjet organizatave mafioze e partive politike i ka sjelle një dëm shoqëror, ekonomik e moral te pallogaritshëm këtyre rajoneve. Por si gjithmonë ne jemi te afte vetëm për të kopjuar gabimet e devijimet in peius të të tjerëve. E vërteton edhe reforma e fundit elektorale. Në një kohë kur një ligj të ngjashëm italianët kërkojnë ta shfuqizojnë me referendum, që është mbajtur në fund të qershorit 2009, parlamenti shqiptar e miraton po të njëjtin ligj.

Nuk është rasti për të rene në përgjithësime absurde e te palogjikshme, por ndodhemi përpara një fenomeni që ekzalton edhe më shumë papërgjegjësinë e shqiptarëve, atë pamjen e shtrembëruar e te kufizuar nga materializmi i fitimit kalimtar qe arrin deri ne shitjen e dinjitetit e ne një mosinteresim te tmerrshëm për te ardhmen e fëmijëve te tyre. E çfarë fitimit mund të thotë dikush?! Fitimi material ne këtë rast është aq i parëndësishëm saqë i lë vendin tërësisht Boshllekut të brendshëm, Turpit, Pandershmërisë, Padrejtësisë dhe ndoshta ajo çka është më e rëndësishme: shkatërrimin me ose pa vetëdije të dinjitetit te çdo personi që është pale në këtë mekanizëm pervers te “transaksionit te votave”, një nder armët me vdekjeprurëse te demokracisë e sidomos te një demokracie tejet te brishte e ne konsolidim e sipër si ajo qe karakterizon formën e shtetit shqiptar. E transformon njeriun e qytetarin ne një send të pavlerë, të parëndësishëm e pa asnjë domethënie.

Në çdo prag fushatash elektorale shqiptaret duhet t’i harrojnë të paktën për një bast ndarjet ideologjike, problemet historike e aktuale e duhet te drejtohen te gjithë drejt qendrave te votimit, te frymëzuar nga respekti reciprok i te gjitha palëve e me besimin se janë ata qe me vullnetin dhe me voten e tyre e me ato te drejta qe Kushtetuta u njeh, u atribuon e u garanton qe mund ti ndryshojnë gjerat, qe mund ta ndryshojnë Shqipërinë, qe mund te ndryshojnë te ardhmen. E kaluara shkatërruese nuk mund te votohet me! Shqiptaret nuk kanë nevojë për Ligjin e Lustracionit që ta kuptojnë se kush është e kaluara e kush jo. Këto janë vetëm e thjesht strumentalizime politike. Të gjithë (pothuajse) kane jetuar periudhën shkatërrimtare te diktaturës e periudhën e mundimshme te tranzicionit e te gjithë e dine se kujt nuk duhet ti jepet vota. Por vazhdojnë ta bëjnë, ndoshta për inerci ose nga konformizmi i verbër ideologjik qe vazhdon akoma t’i mbaje te ndare shqiptaret.

Nëse shqiptaret duan që Shqipëria te jete si vendet e tjera te Evropës duhet te zhvillojnë atë ndjenjën e Legalitetit e të Kushtetutes, rectius sensin e Shtetit te se drejtës. Natyrisht Kushtetuta e sotme nuk është e përkryer dhe ka nevoje për ndryshime, por aktualisht Kushtetuta është i vetmi mjet qe i mbron qytetaret nga pushtetit tendencialisht i pakufizuar i Shtetit, rectius i qeverise. Nga interferenca e pushtetit ekzekutiv ne jetën e secilit prej nesh. Është një kufi ose një pengesë para së cilës veprimtaria e Shtetit ndalet, nuk mund te shkoje me tej sepse atëherë do te konfigurohej një hipotezë e dhunimit të Kushtetutës e që Gjykata Kushtetuese ka detyrën sublime që ta mbrojë. Por para së gjithash kjo detyre u takon Shqiptarëve.

Orges Mandi, student në Fakultetin e Juridikut në Firence