Nisin në maj punimet e rrugës së re Tiranë-Elbasan - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Nënshkruhet marrëveshja e kredisë prej 222,7 milionë dollarësh mes ministrisë së Financave dhe Bankës Islamike

Tiranë, 17 prill 2011 - Punimet për ndërtimin e autostradës Tiranë- Elbasan nisin në fillim të muajit maj, bënë të ditur burime zyrtare nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit. Ministria e Financave dhe Banka Islamike për Zhvillim (IDB) nënshkruan marrëveshjen e kredisë prej 222,7 milionë dollarësh për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, që do të ketë një gjatësi prej 31,17 km, nga 55 km që është rruga aktualisht.

Kjo autostradë shkurton ose u kursen së paku 40 minuta kohë jo vetëm qytetarëve të Elbasanit, por edhe të gjithë qytetarëve të Shqipërisë juglindore dhe jugore. Shpejtësia e udhëtimit do të variojë nga 100 në 120 km në orë. Rruga do të ketë katër breza, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime, 4 nënkalime dhe një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra. Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2.4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali.

Vlera totale e investimit të segmentit prej 400 milionë dollarësh do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjerë si Fondi i Abu Dhabi-t, të cilit i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD; Fondi Saudit për Zhvillim, i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; Fondi OPEC, të cilit i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit.

Në tenderin për ndërtimin e tunelit pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan zhvilluar në muajin mars 7 kompani paraqiten ofertat ekonomike.  Për ndërtimin e këtij tuneli paraqiten interes 26 kompani. Pas fazës së parë të përzgjedhjes u kualifikuan 13 kompani, nga të cilat, vetëm 7 prej tyre paraqitën ofertat e tyre ekonomike. Agjencia e Prokurimit Publik pritet që këto ditë të shpallë edhe kompaninë fituese për ndërtimin e tenderit.