Nisin nesër punimet për autostradën Tiranë-Elbasan - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Të paralajmëruara për në maj, punimet për tunelin e autostradës Tiranë-Elbasan nisin të premten më 29 prill

Tiranë, 28 prill 2011 - Punimet për ndërtimin e tunelit pjesë e autostradës Tiranë Elbasan do të nisin më 29 prill. E bëjnë të ditur burime zyrtare nga Ministria e Punëve Publike dhe Transportit.
Në tenderin për ndërtimin e tunelit pjesë e autostradës Tiranë-Elbasan zhvilluar në muajin mars 7 kompani paraqiten ofertat ekonomike.  Për ndërtimin e këtij tuneli paraqiten interes 26 kompani. Pas fazës së parë të përzgjedhjes u kualifikuan 13 kompani, nga të cilat, vetëm 7 prej tyre paraqitën ofertat e tyre ekonomike. Agjencia e Prokurimit Publik shpalli kompaninë greke "Aktor" fituese për ndërtimin e tunelit.

Avantazhet e një prej projekteve më të rëndësishme infrastrukturore, autostradës Tiranë-Elbasan, pritet të jenë të shumta. Sipas ekspertëve, kjo rrugë do t’i japë hov zhvillimit të rrethit të Elbasanit, që duke u bashkuar me Tiranën  do të përbëjnë kështu një treg unik, ndër më të rëndësishmit në rajon. Autostrada e re përgjysmon, në distancë dhe kohë, rrugën nga Tirana në Elbasan, dhe kjo shkon në të mirë jo vetëm të banorëve të këtyre dy qyteteve, por edhe për qytetarët e Sarandës e Konispolit, Delvinës e Gjirokastrës, Tepelenës e Përmetit, Skraparit e Beratit, Gramshit, Kolonjës, Korçës, Pogradecit e Librazhdit, duke qenë ajo segmenti i parë e më i rëndësishmi i Boshtit të Jugut.
Autostrada Tiranë-Elbasan, pjesë kryesore e aksit kombëtar të jugut do të ketë një gjatësi prej 31,17 km, nga 55 km që është aktualisht dhe do të ndërtohet në kushte teknike për t’u përshkruar me një shpejtësi sa trefishi i asaj që është lejuar sot në këtë segment.

Rruga do të ketë katër breza, e pajisur ndër të tjera me një numër të madh viaduktesh, 21 të tilla, 7 mbikalime dhe 4 nënkalime.

Me një numër të konsiderueshëm urash, disa prej tyre më të gjata se 400 metra. Investimi më i rëndësishëm i saj është tuneli me një gjatësi prej rreth 2,4 km, i ngjashëm me tunelin e Bolzanos në Itali. Shpejtësia e udhëtimit do të shkojë nga 100 në 120 km në orë. Por bashkë me këtë segment, qeveria ka në plan të mbyllë brenda 4 vitesh, gjithë boshtin rrugor të Jugut.

Ministria e Financave dhe Banka Islamike për Zhvillim (IDB) nënshkruan në fillim të këtij muaji marrëveshjen e kredisë prej 222,7 milionë dollarësh për ndërtimin e autostradës.

Vlera totale e investimit të segmentit prej 400 milionë dollarësh do të vijojë të ndërmjetësohet përmes IDB-së, duke kontraktuar dhe donatorë të tjerë si Fondi i Abu Dhabi-t, të cilit i është kërkuar të financojë në shumën 100 milionë USD; Fondi Saudit për Zhvillim, i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; Fondi OPEC, të cilit i është kërkuar të financojë në shumën 15-25 milionë USD; si dhe kontributi i Qeverisë Shqiptare, i cili do të mbulojë pjesën e mbetur të kostos së projektit.