Një votë shprese - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Zgjedhjet e 25 qershorit plebishituan PS si fituesen e madhe të tyre, me 74 mandate deputetësh të fituara në 140. Për të votoi ajo pjesë e Shqipërisë së cilës, edhe pse nuk i pëlqejnë premtimet e pambajtura të qeverisë në 4 vjetët e fundit, beson akoma se Rama e PS janë aktorë protagonistë të një ndryshimi të mundshëm pozitiv
Nga Gjergji Kajana

Gjergji KajanaNë komentimin e rezultateve të zgjedhjeve të 25 qershorit nuk mund të lihet pa u përmendur pjesëmarrja e ulët në to, në nivelin 46,7%. Kjo, në radhë të parë, sepse shumë shqiptarë të regjistruar në listat elektorale jetojnë jashtë vendit (nxitje kjo për qeverinë t’u mundësojë atyre votimin). Por mosushtrimi i së drejtës së votimit, nga ata që këtë të drejtë mund ta ushtrojnë lehtësisht, tregon një apati mazokiste ndaj një përgjegjësie qytetare: zgjedhjes me votë të përfaqësuesve institucionalë në Parlament. Politikanët administrojnë institucionet e bëjnë ligje universalisht të zbatueshme brenda territorit kombëtar dhe është iluzion të mendohet se me mosvotim ata ndëshkohen moralisht e kështu do t’i drejtohen vetëpërgjegjësisë morale dhe do të nxiten të bëjnë “të mirën e popullit” si pasojë e ndërgjegjësimit se janë në gabim sepse njerëzit s'po zgjedhin askënd. Mosvotimi thjesht sjell një ikje nga përgjegjësia e zgjedhjes së përfaqësuesve politikë të vendit. Përbën një fitore të teorive demotivuese se "ai vend nuk bëhet" ose se edhe "e keqja më e vogël" duhet bojkotuar.


Zgjedhjet plebishituan PS si fituesen e madhe të tyre, me 74 mandate deputetësh të fituara në 140. Për herë të parë në 27 vjet pluralizëm një parti shpall qëllimin të qeverisë e vetme pa aleatë Shqipërinë. Edhe pse gjysma e votuesve nuk iu drejtua kutive, një në dy shqiptarë që u janë afruar atyre kanë zgjedhur këtë parti t’i përfaqësojë. Është triumfi i saj më i madh dhe një shpresë për Shqipërinë sepse kjo parti ka yll polar integrimin në BE përmes reformash themelore në ekonomi e administratën publike. Oferta ekonomike e "Shqipërisë që duam" përmban: llogaritje të rritjes ekonomike mesatare me 4,5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) deri në 2021-shin, rënie të borxhit publik nën 60% të PBB-së, premtim për 220.000 vende të reja pune, çuarjen e pagës minimale nga 24.000 lekë në 27-30.000 lekë të reja, ndihmesë familjeve të reja për blerjen e shtëpisë së parë, çuarjen në 5% të tatimfitimit për kompanitë e "software". Gjatë fushatës u fol shumë për metaforat e “timonit” e “tepsisë”, pra që Ramës i duhej liria e qeverisjes pa aleatë në mënyrë të mundësonte mënjanimin nga emërimi në postet publike administrative të të zgjedhurve prej partive. Këta kryeministri i etiketoi si “shushunjat” e administratës publike. Bëhet fjalë, troç, për një mafie brenda shtetit. Sfidë do të jetë zgjedhja e tyre përmes një konkursi të hapur e transparent që të ketë për armë meritokracinë e jo partishmërinë. Me votë shumica e shqiptarëve i janë bashkuar këtij mesazhi.

Rama e PS shihen si aktorë protagonistë të një ndryshimi të mundshëm pozitiv në Shqipëri. Për ta voton Shqipëria së cilës vërtet nuk i pëlqejnë premtime të pambajtura të qeverisë së tij në 4 vjet, spitale pa kushte, rrugë ende të pashtruara, një problem papunësie i pazgjidhur, të varfër ngado por ama beson se këto probleme janë të zgjidhshme. Mbase brenda saj janë të shumtë janë ata që do të donin ta linin këtë vend që s'të jep aspak mundësitë e Perëndimit, por gjithsesi mendojnë se për momentin po jetojnë aty e duhet të vendosin aty. Trendet e modernitetit nuk e lënë jashtë Shqipërinë dhe votuesit për së dyti të "Rilindjes" në versionin 2.0 "Shqipëria që duam" e duan këtë vend po aq modern sa "jashtë shtetit". 

Mundësitë gjeopolitike për Tiranën nga rikonfirmimi i qeverisjes Rama janë të gjitha pozitive. Si të gjitha qeveritë parardhëse, qeveria Rama ka qenë si atlantiste (partneritet i ngushtë me SHBA e NATO-n, rikonfirmuar me dërgimin e një batalioni shqiptar në Letoni) si evropianiste. Standardet e pashkelura të zgjedhjeve, vazhdimi i implementimit të reformës në drejtësi, afrimiteti me vendin lider të BE-së - Gjermaninë - në kuadrin e Procesit ndërballkanik integrues të Berlinit afrojnë çastin e hapjes së negociatave të aderimit me Bashkimin Evropian. Aderimi i Malit të Zi në NATO e qeveria Zaev në Shkup në vend të asaj nacionaliste të Gruevskit përmirësojnë atmosferën e sigurisë në Ballkan, gadishull i shenjuar për destabilitet antiperëndimor nga Rusia. Tirana është në rreshtin e parë të aleatëve të Perëndimit, duke mos pasur alternativa të tjera realiste gjeopolitike. Ndërkohe me fjalë partitë kryesore janë të gjitha evropianiste, por deri në 2013 procesi i integrimit me BE-në ka qenë fort peng i grindjeve të brendshme shqiptare. Reforma në drejtësi u votua me unanimitet ne Parlament para një viti por mbeti gjatë peng i tentativës së ndjekur deri në çastin e fundit nga SHBA, BE e qeveria për të përfshirë PD-në në tërësinë e saj. Me një qeveri njëngjyrëshe socialiste, ecuria e reformave që do të imponojnë negociatat duhet të jetë më e shpejtë.


Qeverisja vetëm përmban gjithmonë një armik të dukshëm: dellin e vetëkënaqësisë e arrogancën që të sjell një pushtet ekzekutiv i pandarë. Nëse qeveria e re Rama do ta tradhtojë këtë votë shprese duke e përkthyer në nepotizëm pushteti e kthim të partishmërisë në favor të PS-së shqiptarët mund të rrisin nivelet e abstenimit ose të tradhtojnë në kuti socialistët. Për momentin opozita e PD ngjan se nuk do të bashkohet në një front unik me atë të LSI-së e, të paktën në çastet e para të legjislaturës, socialistët nuk duhet te kenë probleme në çuarjen para të axhendës së tyre.