OSBE/ODIHR: “Ndikimi i partive të mëdha kufizoi lirinë e shtypit” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Mbërrin raporti paraprak i misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë: ka akoma shumë vend për përmirësim e demokratizim të procesit zgjedhor

Tiranë, 22 qershor 2015 - Shefja e misionit të vëzhguesve ndërkombëtarë, Audry Glover, prezantoi sot raportin paraprak për zgjedhjet vendore.

“Pati një zgjedhje të qartë mes kandidatëve dhe fushata ishte e qetë, por, mungesa e vullnetit politik nga partitë e mëdha për të zbatuar kuadrin ligjor minoi disi procesin”, deklaroi Glover. “Mendojmë se jo të gjitha kërkesat u përmbushën”, theksoi ajo, duke nënvizuar se, “disa afate ligjore nuk u respektuan dhe disa vendime të marra nga KQZ ishin në kundërshtim me ligjin”. Shefja e vëzhguesve ka vënë në dukje edhe defekte si votimet në grup dhe gabimet proceduriale. “Gjithashtu, lëvizjet e militantëve të partive kanë minuar besimin e procesit.

Ajo ka shprehur pakënaqësi të veçanta për mediat shqiptare, për të cilat nënvizoi se, “ndikimi i partive të mëdha kufizoi lirinë e shprehjes”. “Megjithëse në Shqipëri ka shumë media, nuk ka pasur fushatë të lirë nga pikëpamja e shtypit. Pronarët e mediave janë të lidhur ngushtë me partitë dhe kjo ka bërë që redaksitë të mos jenë të lira në dhënien e informacionit". Ambasadorja Glover i është rikthyer edhe njëherë çështjes së kasetave të gatshme që partitë u kalojnë televizioneve e që këto ia përcjellin publikut të gjerë siç i marrin: "Në vetvete nuk përbëjnë shkelje të ligjit, por transmetimi i tyre e dëmton një informacion të lirë dhe të pavarur, lajmet i ngjajnë më shumë reklamave për partitë" tha Glover.

Raporti përfundimtar mbi zgjedhjet e 21 qershorit do të botohet pas 2 muajsh, me rekomandime për çuarjen në drejtimin e duhur të zgjedhjeve.