Prezantohet në Kuvend Projekti për strategjinë e Diasporës dhe Migracionit - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Nënkomisioni parlamentar, komiteti shtetëror dhe agjencia e diasporës dhe migracionit do të përbëjnë shtyllat e veprimit për realizimin e politikave për shqiptarët jashtë vendit, duke filluar nga regjistrimi i tyre që kryeministri synon të realizojë “brenda vitit të ardhshëm”. Ministri Majko premton se do të kijohet edhe “gazetë për diasporën dhe do të ketë një kanal TVSH që do t’u kushtohet problemeve të tyre”

Tiranë, 16 tetor 2017 – “Ne jemi të fundit në raport me vendet që janë rreth e rrotull, apo me vendet të cilave duhet t’i ngjajmë, që nuk e kemi plotësuar përfshirjen e drejtpërdrejtë të të gjithë emigrantëve shqiptarë në procesin më të rëndësishëm të vendimmarrjes në vend, përmes votës. Që kjo të relizohet, Natyrisht, baza është regjistrimi, i cili për fat të keq u la pas dore për çerekshekulli. Jemi të vendosur që vitin e ardhshëm të kryejmë regjistrimin, është një detyrë që ne kemi marrë përsipër dhe besojmë se do t’ia dalim ta realizojmë, të paktën në masën më të madhe”. Këto janë fjalët e kryeministrit Rama të mbajtura sot në tryezën e konsultimit për prezantimin e Projektit për Strategjinë e re të Diasporës dhe Migracionit dhe Planin e Veprimit të zhvilluar në Kryesinë e Kuvendit nën kujdesin e Ministrit të Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko dhe Zëvendëskryetares së Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi.

Në këtë aktivitet ishin të pranishëm pikërisht Kryeministri Edi Rama, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati, deputetë, përfaqësues të trupit diplomatik në Shqipëri, përfaqësues të medias, të organizatave të shoqërisë civile.

Strategjia u prezantua nga Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko.

Në këtë prezantim, ministri u ndal tek rëndësia e krijimit të kësaj strategjike si një dokument që i ka munguar shtetit shqiptar ndër vite, edhe pse siç ka pranuar vetë Majko, “sot Shqipëria ka gati gjysmën e popullsisë të vendosur në emigrim”.

Duke vijuar në prezantimin e strategjisë për diasporën dhe migracionin, Ministri i Shtetit z. Pandeli Majko foli edhe për sfidat kryesore në mbështetjen e diasporës për integrimin e tyre në shoqërinë shqiptare.

“Sfida kryesore e strategjisë së re për diasporën dhe migracionin do të jetë përafrimi i saj me strategji e ndryshme kombëtare ekzistuese e cila vlen të konsiderohet si detyra e parë e reformës në këtë drejtim. Në funksion të kësaj do të miratohet me vendim të veçantë qeverie krijimi i komitetit shtetëror të diasporës dhe migracionit nën drejtimin e Kryeministrit. Nënkomisioni parlamentar, komiteti shtetëror dhe agjencia e diasporës dhe migracionit do të përbëjnë shtyllat e veprimit të reformës të sapo nisur. Ky proces do të shoqërohet nga bashkëpunimi me shoqërinë civile dhe komitetet shqiptare jashtë vendit, si edhe organizmat ndërkombëtar të interesuar. Diskutimi i të drejtës së votës për emigrantët shqiptarë, është një fillim i faktorizimit të tyre në politikën shtetërore të vendit. Llogaritja si votues do t’i bëjë politikanët më të vëmendshëm ndaj tyre. Kjo çështje do të kërkojë një bashkëpunim me opozitën pa të cilën ky projekt nuk është i mundur”,- tha Majko.

“Shqipëria dhe Kosova mbulojnë së bashku një projekt mjaft të gjerë të diasporës. Plani për diasporën duhet të nisë zbatimin menjëherë. Do jetëzohet vota e emigrantëve. Vota e emigrantëve ‘e frikshme’ për sistemin tonë. Do krijohet gazeta për diasporën dhe shumë shpejt do jetë dhe kanali TVSH 3 që do iu kushtohet problemeve të diasporës”, tha Majko.