Probleme me drejtësinë në Itali, KQZ u heq mandatin tre të zgjedhurve - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Në kuadrin e dekriminalizimit të politikës, KQZ ka shpallur të pavlefshme dhe ka ndërprerë mandatet e kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi dhe dy deputetëve Dashamir Tahirit dhe Shkëlqim Selamit

Tiranë, 29 dhjetor 2016 - KQZ vendosi sot shpalljen të pavlefshëm dhe përfundimin e parakohshëm të mandatit deputetëve Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri dhe kryebashkiakut të Kavajës, Elvis Roshi, në zbatim të ligjit të dekriminalizimit.

Deputeti Shkëlqim Selami (majtas), kreu i bashkisë Kavajë Elvis Rroshi (qendër), deputeti Dashamir Tahiri (djathtas) - Foto nga LSA

Në përfundim të shqyrtimit të kërkesës së Prokurorisë, që kërkonte ndërprerjen e mandateve për të zgjedhurit e mësipërm, se ishin në kushtet e ndalimit të ushtrimit të funksionit, KQZ u shpreh se të trija rastet e shqyrtuara janë të parashikuara në ligjin ‘për dekriminalizimin’.

Ndërsa për Selamin dhe Roshin vendimmarrja për heqjen e mandatit ishte unanime, për Tahirin, tre anëtarët e KQZ-së të propozuar nga PD, votuan kundër heqjes së mandatit të tij.

Më 27 dhjetor, KQZ nisi për herë të parë zbatimin e ligjit te dekriminalizimit, pas kërkesës se prokurorisë për ndërprerjen e mandatit të dy deputetëve dhe një kryebashkiaku, që ishin në kushtet e ndalimit te ushtrimit të funksioneve publike, se figuronin të dënuar nga gjykata jashtë vendit. Shkelqim Selami deputet i grupit te LSI-se, Dashamir Tahiri i zgjedhur nen siglen e PDIU-se dhe aktualisht pjese e grupit parlamentar te PD-se, dhe kryetari i bashkisë Kavajë, Elvis Roshi, të dhënat e tyre kriminale nuk i kanë vetdeklaruar në formular, në zbatim të ligjit te dekriminalizimit.

Por, ne mbledhjen e pare KQZ nuk arriti te marre nje vendim përfundimtar për heqjen e mandateve të tyre, pasi kërkoi informacion shtesë nga prokuroria. Sipas prokurorisë, deputeti Dashamir Tahiri, në vitin 1995 raportohej nga policia italiane për krimin e falsifikimit te parave; ndërsa në vitin 2009 ishte dënuar nga gjykatat italiane me 9 muaj burgim për patentë makine të falsifikuar.

Për deputetin Shkëlqim Selami, policia italiane kishte kërkuar arrest me burg si i dyshuar për pjesëmarrje në një organizatë kriminale, që trafikonte qenie njerëzore. Masa ndaj tij u dha në vitin 1994 dhe u ekzekutua në vitin 2006.

Ndërsa kryebashkiaku i Kavajës Elvis Roshi akuzohej se ishte dënuar në Itali për përdhunim në grup, në vitin 1995. Po ashtu, ai nuk ka deklaruar përdorimin e disa emrave në Zvicër, ku ka hyrë në mënyrë të paligjshme, ndersa eshte ndaluar nga policia e Zyrihut për trafik droge dhe pas disa muajsh është dëbuar.

Para hyrjes në fuqi të ligjit, deputeti socialist Arben Ndoka, i dënuar për trafik qeniesh njerëzore, dha dorëheqjen. Rroshi, Selami dhe Tahiri janë zyrtarët më të lartë deri tani që kanë rënë në rrjetën e ligjit për dekriminalizimin e politikës.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara, e cila ka bërë presion të vazhdueshëm përgjatë tri viteve të fundit për dekriminalizimin, e përshëndeti vendimin e KQZ në një deklaratë për shtyp. “Vendimi i sotëm është një fitore për popullin shqiptar dhe një paralajmërim për kriminelët që po mendojnë a të jenë kandidatë në zgjedhjet parlamentare të 18 qershorit. Zyrtarët e zgjedhur apo të emëruar që plotësojnë deklarata false duhet të ndëshkohen me gjithë forcën e ligjit. Personat me dosje penale nuk mund të kenë vend në përfaqësimin e shqiptarëve”, thuhet në deklaratë.