Qëllohet me armë kryeinspektori i policisë bashkiake të Tiranës - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Është plagosur me armë zjarri nga 2 persona ende të paidentifikuar kryeinspektori i policisë ndërtimore të Bashkisë së Tiranës, Ardit Kaja, 32 vjeç

Tiranë, 4 prill 2011 - Ngjarja ka ndodhur sot paradite rreth ores 09:30 në afërsi të Bashkisë së TiranësTiranë, 4 prill 2011 – Dy persona të maskuar të hipur mbi një motor qëlluan sot me armë zjarri kryeinspektorin e Policisë Ndërtimore në Bashkisë e Tiranës, Ardit Kaja.

Pikërisht dje ai ka pasur një konflikt  me simpatizantë të LSI-së për çështjen e flamujve. Orëve të pasdites së djeshme kreu i Inspektoratit Kaja, nëpërmjet një deklarate të ashpër u ka kërkuar të gjitha forcave politike të respektojnë ligjin dhe mos të vendosen simbole partiake në rrugë. Ardit Kaja ka bërë publike dje lëvizjen e drejtorisë së tij për të hequr nga rruga të gjitha simbolet partiake që janë të kundraligjshme duke paralajmëruar: "Respektoni ligjin, ndryshe do të ndëshkoheni".

Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës thanë sot për ATSH-në se “ngjarja ka ndodhur mëngjesin e së hënës pranë Ministrisë së Mbrojtjes në afërsi të bashkisë, kur kryeinspektori Kaja është qëlluar me armë nga dy persona, të maskuar me motor, të cilët më pas u larguan menjëherë nga vendngjarja".

Forca të shumta të Policisë të mbërritura në vendngjarje, kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e ngjarjes, si dhe arrestimin e autorëve.

Referuar burimeve, kryeinspektori Kaja është dërguar në Spitalin Ushtarakë të Tiranës, për shkak të plagëve që ka marrë në këmbë. Lidhur me gjendjen shëndetësore të tij, burime zyrtare nga Spitali Ushtarak i Tiranës konfirmuan për ATSH-në se, Kaja është plagosur në këmbë.