Rama mbi importin e mbetjeve: Ligji ynë është ndryshe nga i vjetri që anuluam - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Kryeministri në takimin me përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve: “Ligji i ri i domosdoshëm. Ai ka impakt pozitiv për mjedisin dhe ekonominë”

Pas protestave të shumta të shoqërisë civile para parlamentit, në media e në sheshet virtuale të rrjeteve online, kryeministri Edi Rama, në një takim me përfaqësues të Shoqatës së Ricikluesve, ka gjetur rastin të mbrojë ligjin mbi importimin e mbetjeve të miratuar të enjten në Kuvend dhe të shpjegojë pse është krejt ndryshe nga ai i qeverisë së shkuar që ai vetë anuloi me të marrë pushtetin.

Tre pikat më negative të ligjit të shkuar që tre vjet më parë qeveria e tij anuloi që në mbledhjen e parë të Këshillit të ministrave, sipas Ramës janë: “Së pari, ishte një ligj që krijonte hapësirë për import plehrash për djegie apo groposje, pra mbeturina të pariciklueshme; së dyti lejonte liçencimin e çdo lloj subjekti kërkues për import mbetjesh; së treti, aplikohej në një kontekst krejtësisht të paqëndrueshëm”.

“Ligji i ri në thelb ka vetëm një ndryshim në raport me industrinë e riciklimit, ai i njeh të drejtën vetëm subjekteve që kanë struktura industriale riciklimi të blejnë mbetje të gjelbërta dhe t’i importojnë ato. Kaq, ky është thelbi, të tjerat janë spekulime”, tha Rama lidhur me ligjin Shalsi duke shtuar: “Çfarë kemi bërë ne është e drejta e kompanive dhe e strukturave tona të riciklimit të importojnë lëndë bazë letre, alumini, plastike dhe mbetje drusore, të gjitha mall me vlerë në treg, që shitet e blihet njësoj si mallrat e tjera”.

Ai theksoi gjithashtu se, para se të miratohej ligji i ri, Shqipëria ishte i vetmi vend në Ballkan dhe Europë që nuk u njihte fabrikave vendase të industrisë së lehtë të riciklimit të drejtën e blerjes së lëndës bazë dhe të importimit të saj dhe se “miratimi i këtij ligji e vendos Shqipërinë në vijë me direktivën 1013 të BE mbi menaxhimin e mbetjeve të gjelbërta. Është një hap që ka vetëm të mira publike dhe pa dyshim sjell një energji të re për një industri që ne jemi të vendosur ta zhvillojmë, pasi pa të nuk mund të përfytyrojmë një Shqipëri më të pastër”.

“Deklarata se Europa do të sjellë plehrat në Shqipëri është komplet një gënjeshtër. Ligji aktual është ligji më i kufizuar edhe në raport me direktivën, po të krahasohemi me Kosovën, Malin e Zi, Kroacinë”.

Për shmangien e abuzimeve, shtoi Rama, do të vihen nën veprim inspektoriatet dhe oficerë të doganave dhe tatimeve që prej dy vitesh po trajnohen nga Interpoli dhe Europoli, për monitorimin e lëvizjes ndërkufitare të mbetjev në kohë reale.

Importi i mbetjeve do të kufizohet deri në tre pika doganore, tha Rama, por deri sa qeveria të nxjerrë disa akte nënligjore, fillimisht do të ketë vetëm një pikë doganore, që është Durrësi. Ai kujtoi gjithashtu se autorizimi për importin që u jepet ricikluesve nuk është i njëanshëm, pasi importi i mbetjeve të gjelbëra kërkon edhe autorizimin e palës nga ku importohet, autorizim që nuk i jepet kujtdo, por që kalon përmes hallkave të kontrollit të çdo shteti.

Doganat tona, - tha Rama, - e kanë marrë më në fund vlerësimin nga KE (që nuk e kishin në 2013-n), për kontrollin radiometrik dhe është marrëzi të mendosh se ka qëllime “të paligjshme” për të kaluar mallrat me përbërje të rrezikshme apo radiaoktive”.
Industria ricikluese në Shqipëri ka investuar 273 milion euro për ngritjen e strukturave të çertifikuara nga BE. Në këtë industri punojnë 3100 punonjës të siguruar, ndërsa 30 mijë të tjerë të janë të angazhuar në mbledhjen dhe ndarjen e mbetjeve. Ligji i ri, theksoi kreu i qeverisë, do të ketë impakt pozitiv në mjedis dhe ekonomi. Industria ricikluese parashikohet të hapë rreth 1 mijë vende të reja pune dhe ta rrisë me 1% prodhimin e brendshëm bruto në vend, ose e kthyer në shifra, me 150 milionë euro, pohoi Rama.