Raportuesi për Shqipërinë në PE: “Shqiptarët nuk rrezikojnë rikthimin e vizave” - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Nga ekrani i Top Channel, Knut Fleckenstein foli mbi çështje të ndryshme rreth zhvillimeve politike në vend dhe rreth marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Evropës

Tiranë, 21 shtator 2017 – Lajmi se Holanda apo edhe Franca denoncojnë numrin e lartë të azilkërkuesve shqiptarë e se mund të kërkojnë rivënien e vizave, ka sjellë sërish në qendër të vëmendjes çështjen e lëvizjes së lirë në Evropë të shqiptarëve.

Së fundi, në një intervistë në ”Top Story”, eurodeputeti gjerman Knut Fleckenstein, raportues për Shqipërinë në Parlamentin Europian e përjashtoi në mënyrë të prerë. Ai u shpreh se Shqipëria nuk rrezikon rikthimin e regjimit të vizave në zonën Shengen edhe pse pranoi problemin që ekziston në vende të ndryshme të Evropës me azilkërkuesit shqiptarë.

Ja si i përgjigjet ai pyetjeve të gazetarit Sokol Balla mbi këtë pikë:

Duket sikur shqetësimi në disa vende europiane ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve është një tjetër. Më koherente do të ishte pyetja a rrezikon Shqipëria që t’i rikthehet regjimi i vizave me zonën Shengen?

Knut Fleckenstein: Jo! Në rast se ne ndjekim çdo qeveri që ka çdo ministër që sjell ndonjë ide, por jo, nuk ka asnjë diskutim për të hequr lëvizjen e lirë.

Pra, Holanda, problemet që kemi me të dhe marrëveshja e re që nënshkruam me Francën nuk rrezikojnë rikthimin e regjimit të vizave?

Knut Fleckenstein: Mendoj se jo, sepse problemet që ekzistojnë, kjo qeveri i trajton, ka bashkëunim mes policive. Ka një problem për azilin me Francën dhe ka edhe një zgjidhje, por nuk shoh ndonjë rrezik për këtë. Asnjëherë s’i dihet çfarë ndodh në të ardhmen, por nuk besoj që ky të jetë rasti me Shqipërinë.

Poshtë videoja e një pjese të intervistës (nga minuta 20:22 diskutohet mbi regjimin e vizave):