Reforma në Drejtësi. Konsensus absolut në Kuvend, miratohet me 140 vota - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Mbyllet më në fund edhe "telenovela-Reformë në Drejtësi" që merr një konsensus të plotë apo 140 vota në votimin në orën 00:45 të 22 korrikut.

E njoftuar për të rinisur në orën 21:00, seanca plenare gjatë të cilës mbërriti edhe miratimi final i Reformës ka nisur me rreth 2 orë e 30 minuta vonesë, pasi deputetët demokratë kërkuan kohë të njihen plotësisht me draftin final. Për të ndjekur këtë seancë plenare në llozhat e Kuvendit qenë edhe ambasadorët e SHBA, BE dhe kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha.

I pari që e ka marrë fjalën ka qenë kreu i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Fatmir Xhafaj i cili pasi ka dhënë një pasqyrim të nevojës për këtë reformë në vend ka falenderuar edhe personat e përfshirë në arritjen e këtij drafti.
“Sot ditë e veçantë në historinë e parlamentarizmit. Rezultatet e angazhimit, sot më të prekshme.  Gjithëpërfshirja, transparenca, profesionalizmi, parimet bazë. Sot do miratojmë bazën kushtetuese për reformën. Sistemi do të funksionojë në mënyrë profesionale. Sistemi i drejtësisë do të shkëputet nga ndikimi politik”, u shpreh Xhafaj nga foltorja e Kuvendit.

Pas tij e ka marrë fjalën kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu i cili vlerësoi arritjen e konsensusit për Reformën në Drejtësi.
“Konsensusi rruga e vetme”, theksoi gjatë fjalës së tij kreu i PR, duke shtuar se politika ka qenë fajtore ndër vite për mohimin e një pjesë të të drejtave të qytetarëve -“një pjesë të të drejtave të qytetarëve, ua kemi mohuar ne, politika” u shpreh ai.

Në emër të PDIU-së fjalën e ka marrë Mesila Doda e cila nga foltorja e kuvendit i ka pyetur deputetët e pranishëm nëse kanë apo jo frikë që ta votojnë këtë Reformë, duke theksuar se deputetët e PDIU nuk kanë.
A keni frikë të votoni sot? Ne të PDIU nuk kemi. Në këtë sallë ka edhe dallkaukë, këtu bën hajër ai që ka blerë mandatin.
“Jemi mësuar me marrëveshjet e natës ku mblidhen 3 koka dhe hanë 3 milionë”, u shpreh më tej deputetja Doda që e vuri theksin tek nevoja për referendum “Ne të PDIU ngulmojmë te referendumi, njerëzit janë zgjedhës e jo dele. Ndërsa ju jeni deputetë dhe jo çobenj.”
Në fund të fjalisë së saj ajo kërkoi votat e deputetëve pasi sipas saj, “Vota pro sot është patriotike, është kombëtare.

Gjatë fjalës së tij nënkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, Oerd Bylykbashi vlerëson se falë punë së opozitës u arrit një draft shumë i mirë, pasi sipas tij nëse do të ishte për mazhorancën do të miratohej drafti i shtatorit 2015.
Ndërsa theksoi se ndryshimet që sjell kjo reformë mund të çojë drejt republike tjetër, Bylykbashi ka falenderuar edhe Komisionin e Venecia, pa kontributin e të cilit, sipas Bylykbashit ky draft do të ishte shumë i keq.
“Sot miratojmë një ndryshim që ndoshta do të çojë drejt një republike tjetër. Me këto ndryshime do t’i japim një drejtësi që u shërben shqiptarëve. Për fat të keq, reforma u pa si një fushëbetejë elektorale. Për mazhorancën do të kishim miratuar draftin e shtatorit, Opozita bëri që të vinim me një draft shumë më të mirë. Pa kontributin e Komisionit të Venecias ky draft do të ishte shumë i keq”, u shpreh deputeti Oerd Bylykbashi.

I fundit që e ka marrë fjalën ka qenë kryeministri Rama, i cili ndryshe nga zakonisht ka folur shkurtimisht duke ftuar për herë të fundit deputetët që të votojnë pro reformës.
“Falenderim dhe ndjesë për çdo mik të Shqipërisë, posaçërisht për Lu dhe Vlahutin. Nëse në këtë konsensus jemi një pjesë nga halli dhe një pjesë nga malli, kjo s’ka rëndësi. Ky proces nuk do të ketë asnjë hap më të lehtë se sa ky që hodhëm sot. Gjyqtarët e prokurorët e korruptuar do t’i heqë vetingu. Duke i uruar PD-së sa më shumë fitore si ajo e djeshmja, ju ftoj të votojmë Reformën”.

Top Channel