Rinas: Oraret e fluturimeve në kohë reale - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Romë 31 mars, 2011 – Edhe Aeroporti i Rinasit Nënë Tereza ofron tashmë për pasagjerët e tij shërbimin e informacioneve mbi fluturimet në kohë reale.

Shërbimi i ri i ofruar nga aeroporti i Rinasit (TIA) në faqen e internetit, mundëson informacione mbi statusin aktual të të gjitha fluturimeve të saj të përditshme. Pasagjerët apo të afërmit e tyre të cilët i presin, do të jenë në gjendje nëpërmjet internetit të verifikojnë nëse një fluturim është ulur, anuluar, apo është vonuar.

Avantazhet dhe përfitimet nga ky shërbim janë mjaft të mëdha si për pasagjerët ashtu edhe për kompaninë e cila menaxhon aeroportin. Informacioni u mundëson pasagjerëve të planifikojnë vonesat apo anulimin e fluturimit duke mundësuar udhëtimet si një përvojë pozitive për të gjithë.
"Aeroporti i Rinasit është angazhuar t’u ofrojë gjithmonë pasagjerëve dhe klientëve të saj më të mirën, çdo ditë ne jemi duke u përpjekur të ofrojmë shërbime të reja. Tani po mundësojmë informacion mbi flurimet në kohë reale, njoftimet e fundit mbi mbërritjet e nisjet e fluturimeve, shërbime këto që shpresojmë të priten mirë nga pasagjerët, veçanërisht gjatë kushteve të vështira të motit apo periudhave të pikut të fluturimeve", është shprehur Z. Rolf Castro-Vasquez, Drejtori i Përgjithshëm i Operacioneve në Aeroportin Ndërkombëtar të Tiranës.

Informacioni në kohë reale mbi fluturimet në TIA mundësohet nga FlightStats, një nga ofruesit më të rëndësishëm të informacionit në industrinë e transportit në të gjithë botën. Informacioni në kohë reale mund të gjendet në faqen e internetit të aeroportit www.tirana-airport.com.