Serbi-Shqipëri. Pas 9 muajsh fitojnë kuqezinjtë - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Mbërriti më 10 korrik vendimi i shumëpritur i drejtësisë sportive: Serbi-Shqipëri e 14 tetorit 2014 fitohet nga kuqezinjtë. Rriten ndjeshëm shpresa dhe mundësitë e kombëtares për të qenë pjesë e “Francë 2016”

Ishte data 14 tetor 2014. Në Beograd, kuqezinjtë e teknikut Gianni De Biasi zbritën në stadiumin e Partizanit të Beogradit për t’u ndeshur me përfaqësuesen e Serbisë vendase, në kuadër të fazës eliminatore të Evropianit “Francë 2016”.

Shqipëria në atë takim vinte pas dy rezultateve shumë pozitive, fitores në Portugali dhe barazimit me Danimarkën. Ndryshe situata për Serbinë, e cila vinte vetëm me 1 pikë në atë përballje.

Zbritja në fushë e sportistëve shqiptarë u shoqërua nga vërshëllima e ofendime të shumta, në një stadium ku ishte ndaluar prania e tifozëve kuqezi pasi Federata Serbe nuk garantoi sigurinë tyre. Himni ynë kombëtarë u shoqërua nga vërshëllima e ofendime.

Ndeshja nisi e shpejtë dhe e ashpër. Çdo prekje e topit nga shqiptarët shoqërohej me vërshëllima dhe ofendime nga më të ndryshmet. Kuqezinjtë arritën të rrezikojnë seriozisht tri herë portën serbe, ndërsa vendasit vetëm 1 herë portën e mbrojtur nga Berisha.

Minuta e 40-të, ishte dhe fillimi i fundit të takimit në fushë dhe i nisjes së betejës ligjore mes dy Federatave.

Pas disa flakadave të hedhura në qilimin e gjelbër, që shkaktuan disa herë ndërprejen e ndeshjes, në minutën e 41-të, një dron fluturoi në qiellin e Beogradit duke valëvitur një hartë të Shqipërisë etnike me portretet e Ismail Qemalit dhe Isa Boletinit. Kapja dronit nga njëri prej futbollistëve serbë, bëri që lojtarët të përplaseshin në fushë dhe shumë tifozë të kalojnë mbi kangjellat mbrojtëse e të godisnin lojtarët tanë. Ndeshja në fushë këtu ishte e përfunduar dhe beteja ligjore e sapofilluar. Gjyqtari Atkinson sinjalizoi mbylljen e parakohshme të takimit.

Federata Shqiptare e Futbollit dhe ajo Serbe përgatitën dokumentacionin e nevojshëm dhe u paraqitën në zyrat e UEFA-s për të kërkuar drejtësi.

Komisioni i Disiplinës vendosi t’i japë tripikëshin vendasve, pasi Shqipëria u akuzua për braktisje të lojës, edhe pse shqiptarët u goditën mizorisht nga tifozeria dhe lojtarët vendas.

Gjithashtu u vendos heqja e tri pikëve për Serbinë, për dështim të sigurisë, duke krijuar paradoksin më të madh. Pasi s’mund t’i kërkosh një skuadre të ridalë në fushë, kur siguria ka dështuar.

Pika e tretë e vendimit të disiplinës ishte edhe gjoba prej 100 mijë eurosh të dyja Federatave, ndërsa Serbia u dënua me 2 ndeshje jashtë fushë së saj dhe pa tifozë.

Prej këtej, të dyja Federatat iu drejtuan Komisionit të Apelit, i cili la në fuqi vendimin e shkallës së parë. Por, Federata Shqiptare e Futbollit nuk u dorëzua: drejtuesit e FSHF-së, përpiluan dosjen dhe e dorëzuan në CAS, Gjykata e Arbitrazhit Sportiv (Court of Arbitration for Sport), e cila pas disa shtyrjeve (e ka nisur gjykimin me 17 prill 2015), më në fund, më 10 korrik 2015, vendosi t’i japë të drejtë vendit tonë, duke i dhënë edhe tripikëshin e asaj ndeshjeje, plot 9 muaj pas ndërprerjes së takimit.

Konstatuam se ndalimi i ndeshjes dhe braktisja eventuale e saj u shkaktuan nga gabimet e sigurisë nga organizatorët dhe aktet e dhunës së ushtruar mbi lojtarët shqiptarë nga ana e tifozëve serbë dhe të paktën një nga rojet e sigurisë. Në këtë mënyrë, CAS vlerëson se është Federata e Futbollit e Serbisë përgjegjëse për mosvazhdimin e lojës dhe jo Federata e Futbollit e Shqipërisë. Për këtë arsye, CAS ka vendosur që ta japë rezultatin 3 me 0 për kombëtaren e Shqipërisë”, theksohet në vendimin e CAS.

Videoja me përmbledhjen e "bëmave" të serbëve në Beograd para e gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri. Edhe mbi këtë material u mbështet mbrojtja shqiptare Shqipëria është më pranë se kurrë kualifikimit

Shqipëria është më pranë se kurrë kualifikimit

Kuqezinjtë tashmë renditen në vendin e dytë me 10 pikë, po aq sa edhe Danimarka (me golavarazh më të keq se Shqipëria), ndërsa Portugalia kryesuese ka 12 pikë. Armenia dhe Serbia kanë vetëm nga 1 pikë qëndrojnë në garë për vendin e tretë vetëm matematikisht. 

Sipas rregullores të UEFA-s, kualifikohen drejtpërdrejt në kampionatin evropian skuadrat e dy vendeve të parë të grupit si dhe skuadra më e mirë e vendeve të treta. Vendet e treta të 8 grupeve që mbeten do të ndeshen në bazë të një shorti me sistem vajtje–ardhje.

Shqipërisë i mjafton vetëm një barazim për të siguruar matematikisht vendin e tretë dhe për të nxjerrë jashtë loje Armeninë dhe Serbinë edhe matematikisht. Më i rëndësishëm është takimi me Danimarkën më 4 shtator pasi aty Shqipëria nuk duhet të humbasë. Për shkak se Shqipëria ka barazuar në ndeshjen e parë duhet që të ruhet barazimi. Në rast se të dy ekipet do të mbeten në të njëjtën kuotë pikësh do të shihet golavarazhi dhe takimet direkte. Për të ruajtur vendin e dytë, Shqipëria duhet të japë maksimumin në këtë ndeshje. Kuqezinjtë favorizohen pasi me Portugalinë do të luajnë në fushën e vet dhe me dy ekipet e fundit të tabelës si Serbia dhe sidomos Armenia takimet zhvillohen në fund kur ato mund të kenë humbur, bashkë me shpresën për të shkuar në Evropian, edhe motivimin. Në favor të Shqipërisë janë edhe faktet se me Serbinë luan brenda dhe me Armeninë ka ndeshjen e fundit.

Por futbolli është një lojë e paparashikueshme dhe gjithçka mund të ndodhë. Të shpresojmë që djemtë e kombëtares të mos zhgënjejnë shpresat dhe pritshmërinë e madhe të shqiptarëve.