Shpallja e pavarësisë së Kosovës është e ligjshme - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND, është shprehur në favor të shpalljes së njëanshme të pavarësisë së Kosovës duke hedhur poshtë kontestimin e Serbisë: “E drejta ndërkombëtare nuk e ndalon”.

Hagë 22 korrik 2010 – Deklarata për pavarësinë e Kosovës "nuk ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare", u shpreh sot Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND, në një mendim këshillimor lidhur me ligjshmërinë e kësaj deklarate.
"Miratimi i deklaratës së pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur asnjë rregull të zbatueshme të së drejtës ndërkombëtare", deklaroi Hisashi Owada, kryetar i GJND-së, në Pallatin e Paqes në Hagë
"Gjykata arriti në përfundimin se deklarata për pavarësinë e Kosovës më 17 shkurt në vitin 2008 nuk e ka shkelur të drejtën e përgjithshme ndërkombëtare, as rezolutën 1244 (1999) të Këshillit të Sigurimit, as kuadrin kushtetues", shtoi ai.

Gjykata vlerësoi të qëndrueshme të drejtën e Kosovës për vetëvendosje ndërsa shtoi më tej se Kuvendi i Kosovës, i mbledhur për herë të parë në janar 2010 miraoi deklaratën e Pavarësisë me nënshkrimin e Kryeministrit, Presidentit dhe 109 deputetëve nga 120 deputetët e pranishëm.
Sipas Gjykatës, rezoluta 1244 parashikon se rrethanat e Kosovës janë specifike dhe nuk mund të paralelizohen me raste të tjera.
Sipas GJND, e drejta për sovranitetin territorial e pretenduar nga Serbia, nuk qëndron në rastin e Kosovës, për shkak se e drejta ndërkombëtare nuk ka ndonjë përcaktim në këtë rast duke ua lënë marrëdhënieve mes shteteve, çështjen e sovranitetit në raport me shpalljen e pavarësisë.
Gjykata ndërkombëtare vlerësoi se rezoluta 1244 parashikoi se në Kosovë duhej të vendoseshin struktura ndërkombëtare me qëllim ndërprerjen e dhunës dhe represionit që po ushtrohej nga Serbia.
Administrata ndërkombëtare e përkohshme u vendos në Kosovë ndërsa qeveria e dalë nga zgjedhjet e shpalli Pavarësinë nën autoritetin e të dërguarit special të OKB.

Beogradi arriti të sigurojë më 8 tetor të vitit 2008 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara të drejtën për t'iu drejtuar Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008.
Gjashtëdhjetë e nëntë shtete, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara dhe 22 nga 27 vendet e Bashkimit Evropian, e kanë njohur deri tani pavarësinë e Kosovës.
Nga data një deri më 11 dhjetor të vitit 2009, Serbia, Kosova dhe 29 shtete, ndër të cilat Shtetet e Bashkuara dhe Rusia, kanë marrë pjesë në një procedurë verbale në Hagë.
Uashingtoni edhe dje përsëriti "mbështetjen e plotë" për pavarësinë e Kosovës me rastin e një takimi të kryeministrit të Kosovës Hashim Thaçi me zëvendëspresidentin amerikan Joe Biden. Rusia, aleate tradicionale e Beogradit, nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.
Që prej krijimit të saj në vitin 1946, GJND-ja ka dhënë 24 mendime këshilluese me kërkesë të OKB-së.

Ministri i Jashtëm i Kosovës Skënder Hyseni e cilësoi vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë si "të qartë" dhe që "nuk lë vend për dyshime", se pavarësia e Kosovës është bërë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare. "Gjykata konstatoi, me shumicë dërmuese, se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Mendimi i Gjykatës është eksplicit dhe i qartë, dhe nuk lë vend për dyshim," thuhet në deklaratën e ministrit Hyseni, pas vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë në lidhje me pavarësinë e Kosovës. "GJND ka vendosur në favor të Kosovës në të gjitha pikat," vazhdon më tej deklarata. "Tani presim njohje të mëtejme të Kosovës. U bëjmë thirrje shteteve që e kanë shtyrë njohjen e Republikës së Kosovës në pritje të Mendimit të Gjykatës, që tani të vendosin për njohjen" thuhet në deklaratën e ministrit të Kosovës.

Nga ana tjetër, “Serbia nuk e ndryshon qëndrimin e saj dhe nuk do ta njohë kurrë shpalljen e njëanshme të pavarësisë së Kosovës, pavarësisht deklaratës së ligjshmërisë që u dha sot nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë në Hagë”, ka deklaruar sot ministri i Jashtëm serb, Vuk Jeremiç, pas shpalljes së mendimit konsultativ të GJND-së për ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. Jeremiç shtoi se ''çështja ende nuk ka përfunduar pasi tashmë fjala i takon Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së", në shtator.

Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-moon, kërkoi sot të "evitohen provokimet pas shpalljes së mendimit konsultativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, sipas të cilës pavarësia e Kosovës nuk e shkel të drejtën ndërkombëtare", njoftoi Martin Nesirky, zëdhënës i Sekretarit të Përgjithshëm, gjatë një konference në zyrat e Kombeve të Bashkuara. "Ban Ki-moon inkurajon palët e përfshira të angazhohen në një dialog konstruktiv, duke i evituar provokimet që mund të dëmtojnë këtë dialog". "Sekretari i Përgjithshëm do t’ia transmetojë mendimin e Gjykatës Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së", shpjegoi zëdhënësi.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës përshëndetën sot mendimin konsultativ të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, që thekson se deklarata e pavarësisë së Kosovës nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare dhe u bëri thirrje vendeve  evropiane të mbështesin vendimin e gjykatës. "Mendimi i GJND-së shpreh ligjshmërinë e deklaratës për pavarësinë e Kosovës. Ne e mbështesim këtë vendim", deklaroi zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Crowley. "Ka ardhur çasti për Evropën të bashkohet për një të ardhme të përbashkët", shtoi ai.

Mendimi i dhënë sot nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, GJND, nuk e ndryshon aspak qëndrimin e Rusisë, që mbetet kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, u shpreh sot Ministria e Jashtme ruse në një komunikatë. "Qëndrimi ynë për mosnjohjen e pavarësisë së Kosovës mbetet i pandryshuar", bëri të ditur ministria ruse. "Është shumë e rëndësishme që Gjykata ka dhënë mendimin e saj vetëm për deklaratën e pavarësisë së Kosovës, duke theksuar pikërisht se nuk e shqyrton në tërësi çështjen e të drejtës së Kosovës për ndarje të njëanshme nga Serbia", theksoi ministria ruse.

Mediat italiane përcollën menjëherë lajmin siç tregojnë fotot e siteve ueb që ilustrojnë këtë artikull.