Shqipëri-BE. Reforma në Drejtësi hap përpara, por akoma më i rëndësishëm zbatimi i saj - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Kryeministri shqiptar, Rama, nënkryetarja e BE-së, Federica Mogherini, dhe Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn kanë mbajtur një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit të 8-të Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit Shqipëri-BE.
Rama: “Reforma në drejtësi është një bazë solide për hapjen e bisedimeve”

Bruksel, 8 shtator 2016 - Në përfundim të takimit VIII të Këshillit të Stabilizim-Asociimit, Shqipëri-BE në Bruksel, përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë, Federica Mogherini, deklaroi rëndësinë e zbatimit të reformës në sistemin e drejtësisë nga forcat politike në Shqipëri, që është guri i themelit për procesin e integrimit.

“Përparësia është që kjo reformë të nisë të zbatohet, duke qenë se ajo gëzon popullaritet në vend. Besoj se shqiptarët e kuptojnë që është në interes të tyre për të ecur perpara. Ndërsa partitë politike kanë përgjegjësi për zbatimin e shpejtë të reformes ne gjyqesor, duke nisur me procedurat për procesin e vettingut. Ne jemi të gatshëm t’i ofrojmë Shqipërisë mbështetjen tonë në fazën e zbatimit të saj”, deklaroi Mogherini gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama dhe Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn.

Mogherini tha se gjatë mbledhjes së Këshillit u diskutua për hapat e rëndësishëm të ndërmarrë nga Shqipëria në drejtim të forcimit të shtetit ligjor, përmes luftës kundër krimit dhe korrupsionit.

“Sa i takon krimit dhe korrupsionit, dhe këtu përfshihet edhe trafiku i drogës, - vijoi zyrtarja e BE-së, - ky është problem dhe këtë  çështje Shqipëria duhet ta zgjidhë, pasi ne i japim rëndësi. Duhet të përmirësohet situata në këtë drejtim dhe kjo jo aq për integrimin, sa për Shqipërinë dhe qytetarët e saj, që kanë të drejtën e plotë që të jetojnë në një vend ku mbizotëron e drejta ligjore”, vërejti Mogherini.

Kryeministri Rama në deklaratën e tij konfirmoi angazhimin e dyanshëm të Shqipërisë dhe BE-së për të vazhduar me intensitet në rrugën e nisur. Ai vlerësoi mbështetjen e rëndësishme të BE-së për reformën në drejtësi, e cila tha ai, “është një bazë solide për hapjen e bisedimeve”.

“Besoj shumë, - nënvizoi Rama - që mikpritja e Këshillit të MSA-së dhe miratimi së fundi nga parlamenti shqiptar i amendamenteve për reformën në sistemin e drejtësisë është një argument për të ecur përpara dhe për të dhënë rekomandimin për vendin, që të përgatisë bisedimet për anëtarësim”.

Ndërsa komisioneri Hahn, duke e cilësuar miratimin e reformës në gjyqësor si “një arritje të pabesueshme”, theksoi se “është e rëndësishme të kuptohet se qëllimi kryesor i saj është që ajo t’u shërbejë qytetarëve shqiptarë dhe duhet t’u japim atyre atë që presin”.

“Reforma në gjyqësor nuk ka të bëjë thjesht me plotësimin e kërkesave në letër, por ne presim tani që të veprohet në praktikë, me të dhëna konkrete përsa u takon hetimeve. Duhet të ketë procedime penale dhe dënime”.

“Deri tani kemi parë disa gjyqe dhe vendime kryesisht për çështje mesatare ose të vogla, - vërejti Hahn, pa i rënë shumë rrotull problemit të drejtësisë shqiptare: e fortë me të dobëtin dhe e pafuqishme me të fortin - ndërkohë që ne presim për peshqit e mëdhenj, dhe kjo do të jetë një arritje e madhe”.

Takimi VIII i Këshillit të Stabilizimit dhe Asociimit Shqipëri-BE në Bruksel u drejtua nga Kryeministri Rama. Në takim referoi zv/presidentja e BE-se Federica Mogherini, komisioneri për Zgjerimin Hahn, ministri i Jashtem, Ditmir  Bushati, ministrja e Integrimit, Klajda Gjosha dhe kryetarja e komisionit parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu.