Shqipëria në EXPO. Një rast i humbur? - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Devole: “Shija që mbetet është ajo e një shansi të madh, por që nuk është shfrytëzuar mirë. Pavijoni është vitrina e Shqipërisë në shëtitoren e globit, ndërkohë që është përdorur më shumë mediatikisht për konsum të brendshëm se sa të jashtëm. Nisma interesante si ajo e verës, por edhe kulturore e artistike, duhet të ishin rregulli i përditshëm e jo përjashtimi. Pavijoni shqiptar në Expo e tregon në mënyrë plastike se Shqipëria nuk punon si sistem, si një vend i vetëm me objektiva të përbashkëta”.

EXPO Milano 2015 mund të ishte një vitrinë e mrekullueshme për Shqipërinë që merr pjesë në të mes dhjetëra vendeve të tjera A u shfrytëzua në maksimum një mundësi e tillë?

Duket se jo, edhe pse fillimisht u trumbetua si “një nga surprizat më të bukura” të panairit të madh. Të paktën kështu u shpreh kryeministri Rama në një intervistë të dhënë për magazine.expo2015.org.
Edhe në prezantimin zyrtar të pavijonit shqiptar, fjalët ishin të bukura: “Me pjesëmarrjen e saj në panairin më të rëndësishëm ndërkombëtar të këtij viti, Shqipëria në radhë të parë dëshiron t’i përgjigjet temës kryesore të panairit “Ne ushqejmë planetin, energji për jetën”, me debate mbi çështje të përdorimit të gjerë shkencës dhe teknologjisë në bujqësi, të sigurisë ushqimore apo mbi dieta të shëndetshme. Por sigurisht që Expo Milano 2015 është dhe rasti e vendi i përkryer për të krijuar partneritete me investitorët ndërkombëtarë me shkëmbime idesh dhe njohurish, që kanë për qëllim, zhvillimin e bujqësisë tradicionale dhe bio, dhe, më në përgjithësi, promovimin e identitetit kulturor shqiptar. Pikërisht dhe për këtë arsye konceptimi i pavijonit shqiptar është menduar që të prekë disa fusha: Ekspozimi i një ushqimi të mirë, të cilin mund ta shoqëron me një gote vere të mirë, ndërsa shijon një pjesë nga historia e bukuritë natyrore, arti e kultura shqiptare”.

Çfarë ofron në të vërtetë pavijoni shqiptar në EXPO? Kush e ka parë ka mbetur i zhgënjyer. “Një mulli me ujë e dhjetë fotografi nga Shqipëria” komenton një lexuese në facebook. Fotografi Armando Babani denoncon se në raftet ku duhet të ekspozohen produktet shqiptare pa verërat e Sicilisë. Sipas tij edhe vetë prezantuesja e pavijonit i kish pohuar “në mungesë të prodhimeve shqiptare kishin ekspozuar për pak kohë prodhimet e dikujt tjetër”.

Rando Devole bën një prezantim më të gjerë, madje i lejon lexuesit të krahasojë pavijonin e Shqipërisë me ato të vendeve të tjera fqinje. Pas një dite të tërë të kaluar në EXPO, gjatë të cilës, pavijonin shqiptar e vizitoi disa herë, në mëngjes, drekë e në mbrëmje.

Për vizitën e parë, kur pavijoni sapo ka hapur, shkruan:

I hedh një sy pavijonit shqiptar. Bie në sy një instalacion prej druri mu në qendër të hapësirës. Më thonë se tregon mullirin. Mbrapa, mbi një shkallare të lartë, gjendet një enë po prej druri. Nëse është kështu jemi brenda temës, sepse Expo-ja flet për ushqimin, energjinë për jetën. “Mulliri” është i rrethuar nga ekrane […] me materiale të ndryshme për natyrën, kuzhinën, turizmin shqiptar, etj. Punojnë me qark të mbyllur, gjithë ditën e ditës japin të njëjtat pamje. “Mulliri” në mes, më duket ca si i thatë si instalacion. Për shijet e mia të diskutueshme, më shfaqet si tepër i stilizuar dhe i konceptualizuar. Simbolikën e harmonisë fetare nuk e gjej, ose më mirë nuk më vjen natyrshëm, përveçse me një sforcim mbinterpretativ. Por arti kështu e ka, merr formë në sytë e spektatorit, dhe ky i fundit ka caqet e veta”.

Kur i kthehet në drekë: “Në pavijon ka ndonjë vizitor por nuk janë të shumtë. Hapësira e pavijonit shqiptar më duket më e vogël se më parë. Instalacioni, e pak metra rreth e qark me video. Vajza e turnit të ri më tregon se ka edhe një kat më sipër. Shkoj për t’i hedhur një sy, por ka vetëm një sallë të vogël me ekran më të madh, natyrisht me pamje nga Shqipëria. E disa karrige. Asgjë e veçantë, asnjë i pranishëm. Më zë pak trishtimi, por nuk e jap veten”.

Në mbrëmje kthehet sërish në pavijonin shqiptar: “Vizitorë hyjnë herë pas here, por pastaj dalin menjëherë. Nuk dëgjoj tinguj muzike. Dikush pyet, dikush tjetër kërkon vulën mbi pasaportën e Expo-së, dikush tjetër ikën i heshtur. Shoh një grua shqiptare që ka sjellë familjen e vet dhe të afërmit italianë. Ankohet se përse nuk ka ushqime tipike shqiptare për t’u treguar vizitorëve traditën e pasur shqiptare. Dalloj zhgënjim. Priste diçka tjetër për t’ia treguar grupit me të cilit shoqërohet. E ma merr nga goja batutën për çmimin e lartë të hyrjes në Expo. Por ky nuk është faji i pavijonit shqiptar. I kujtojnë aktivitetin e verës, por nuk bindet plotësisht. Kam kënaqësinë të bisedoj me bashkatdhetarë, por më duhet të largohem”.

Për fatin e tij, Devoles i qëllon të shkojë në EXPO ditën kur Shqipëria ka një takim mbi verërat, goxha cilësor, por ndër të paktit që organizon vendi ynë siç mëson aty: “Aktiviteti më duket cilësor, gjithashtu relacionet kushtuar territorit e vreshtave shqiptare. Pjesëmarrja është mjaft e mirë. Në krah më ulet një vajzë kineze me banim në Milano. Punon në Expo, ndoshta në të njëjtin cluster. Hyj menjëherë në muhabet. Mirësjellja ndihmon, por edhe vera bën të vetën. “Si të duket aktiviteti?” e pyes. “Shumë i mirë, veçse bëjnë pak. Praktikisht ky është i dyti që po zhvillon Shqipëria”. Dalloj një farë keqardhjeje në zërin e saj. Ndoshta e ka fjalën për prezantimin e Altin Prengës, të Mrizi i Zanave, që u bë në fillim të muajit. “Po pavijonet e tjera bëjnë më shumë?”, “Patjetër, varet nga vendi, por në përgjithësi bëjnë më shumë aktivitete”, më thotë duke shijuar verën e kuqe shqiptare”.

Përfundimi në të cilin arrin pas vizitës? “Shija që mbetet - shkruan Devole - është ajo e një shansi të madh, por që nuk është shfrytëzuar mirë. [...] Pavijoni shqiptar duhet të ishte shkëndija, gjeneratori, strumbullari, gozhda e Nastradinit, dritarja, skena, për të gjitha nismat shqiptare në Expo. Pavijoni është vitrina e Shqipërisë në shëtitoren e globit, ndërkohë që është përdorur më shumë mediatikisht për konsum të brendshëm se sa të jashtëm. Nisma interesante si ajo e verës, por edhe kulturore e artistike, duhet të ishin rregulli i përditshëm e jo përjashtimi. Vështirësitë organizative e financiare, natyrisht të vërteta, janë të kapërcyeshme me pak vullnet të mirë.
Pavijoni shqiptar në Expo e tregon në mënyrë plastike se Shqipëria nuk punon si sistem, si një vend i vetëm me objektiva të përbashkëta. Përndryshe, pavijoni do të ishte shndërruar në destinacion për të gjithë protagonistët e ushqimit e të natyrës, që duhet ta merrnin rrugën drejt Expo-së si pelegrinët. Do të ishte mënyra më e mirë për ta promovuar brand-in e Shqipërisë. Por kjo kërkon një qasje sistemike, sikurse kërkon një rrjet aktorësh të ndërtuar e të kolauduar gradualisht në kohë e posaçërisht për rastin konkret. Pavijoni shqiptar duhet të kishte mbledhur pikërisht frytet e një pune të përbashkët për t’i treguar botës potencialet e saj. Aktivitetet sporadike, anipse të suksesshme, nuk e sjellin pranverën e zhvillimit. As na zgjidhin shumë punë postimet ose cicërimat në internet
”.

Shkrimin e plotë të Rando Devoles (të botuar në tri pjesë) e gjeni në bloëgun Peizazhe të Fjalës në lidhjet e mëposhtme:

NJË DITË NË EXPO (I)
NJË DITË NË EXPO (II)
NJË DITË NË EXPO (III)