Shqiptarët në Europë për festat e fundvitit - Shqiptari i Italisë

Shqipëri

Tiranë 26 Dhjetor 2010 – Festat e fundvitit kanë rritur numrin e qytetarëve shqiptarë që udhëtojnë drejt vendeve të Evropës, në regjimin e lëvizjes pa viza.

Sipas ATSh-së, në portin e Durrësit numri i qytetarëve që udhëtojnë drejt Italisë është rritur ndjeshëm. Përgjatë javës se fundit, përmes këtij porti kanë udhëtuar drejt Italisë me pasaportë biometrike rreth 7.823 qytetarë.

Edhe në Kakavijë, ditët e fundit janë vërejtur radhë të gjata të automjeteve që prisnin për të hyrë në territorin grek, që arrinin deri në 1,5 kilometra.

Zëdhënësi i Drejtorisë së Policisë së Gjirokastrës, Gentian Mullai, thotë për ATSH-në se, "vetëm në 24 orët e fundit kanë kaluar kufirin në Kakavijë 1.036 qytetarë shqiptarë nga rrethe të ndryshme të vendit. Ky është numri më i madh i qytetarëve që  kalojnë nëpërmjet kësaj pike doganore në një ditë që pas liberalizimit të vizave".  Sipas tij, rritja e ndjeshme e numrit të qytetarëve që kanë shkuar për në Greqi shpjegohet me qëndrimin  korrekt të policisë greke për procedurat  në lëvizjen me pasaporta biometrike, procedura që gjatë ditëve të para nuk u respektuan nga pala greke.

Në pikat kufitare është në rritje dhe numri i emigrantëve që kthehen në atdhe me rastin e festave të fundvitit.

Vetëm paraditen e sotme, mbi 4 mijë udhëtarë dhe 700 automjete kanë mbërritur me traget nga porti i Barit (Itali) në Durrës, dhe deri në mesnatë pritet të ankorohen në këtë port edhe dy tragete të tjerë, të cilët kanë lundruar përkatësisht nga Ankona dhe Trieste me rreth 2 mijë udhëtarë të tjerë me afro 350 autovetura. Që nga 15 dhjetori, dita kur u bë realitet lëvizja e lirë,  në portin e Durrësit kanë mbërritur me tragete mbi 30 mijë udhëtarë.

Burime zyrtare nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit, bëjnë të ditur se, pjesa më e madhe e udhëtarëve janë bashkatdhetarë me punë dhe banim në vendet e Evropës perëndimore, të cilët vijnë për të festuar natën e ndërrimit të viteve pranë familjeve të tyre në Shqipëri, Kosovë dhe në Maqedoni.